Vonesat për skanimin, problem i krijuar nga Drejtoria e Doganave. “Masa kundër terrorizmit dhe nevojë për disiplinë”
Prej disa ditësh raportohet në media një problem i lindur në dogana mes bizneseve dhe konçesionarit të skanimit. Vonesat në përpunimin e automjeteve dhe kufizimi i orareve për ata që eksportojnë, kanë sjellë jo vetëm orë të zgjatura, por i kanë hapur rrugë edhe korrupsionit. Mirëpo sot gazeta “Shqip” shkruan se shkak për këtë situatë është bërë një urdhër i lëshuar nga Drejtori e Përgjithshme e Doganave në muajin dhjetor, përmes të cilit detyrohen degët doganore që të aplikojnë oraret e kthyera në problem. Në një prononcim për këtë gazetë drejtoria në fjalë është përpjekur ta lëjë topin në fushën e konçesionarit, edhe kështu shumë problematik dhe me kosto. Gjoja argumenti është se “oraret e vëna kanë karakter orientues, jo kufizues”. Një gënjeshtër e pastër, pasi DPD-ja ka lëshuar një urdhër dhe jo një sugjerim, apo udhëzim, përmes të cilit urdhëron në mënyrë taksative zbatimin e orareve që po kthehen në kosto shtesë për biznesin. Aq më shumë bie ndesh ky justifikim, kur lexohet se në urdhër kjo masë është përligjur me “marrjen e masave kundër terrorizmit”.
Kjo situatë që zbulon paaftësinë administrative ka sjellë edhe reagimin e Dhomës së Tregëtisë dhe Industrisë, pasi siç shprehet kjo e fundit “kufizimi në kohë i kryerjes së procedurave të eksportit, sipas këtij urdhri, është në ekstrem, në disa degë doganore shërbimi ndaj eksportuesve reduktohet deri në vetëm 3 orë në ditë”. “Me këtë orar të reduktuar, cikli i plotë i ngarkimit të mallit dhe zhdoganimit, është e pamundur të përmbushet brenda një dite, për rrjedhojë: Rriten kostot për parkim doganor; rriten kostot e transportit, pasi transportuesi e vë mjetin në dispozicion të eksportuesit për një numër të caktuar orësh”, vlerëson Dhoma e Tregëtisë. Dogana deri më tani nuk ka ofruar zgjidhje praktike për një problem që e ka krijuar vetë, duke iu përmbajtur arsyetimit se oraret janë të nevojshme. Pavarësisht kostove dhe korrupsionit që ka nxitur.
Add new comment