Divjaka, Italia e vogël e produkteve bujqësore

Postuar në 06 Shkurt, 2016 19:08

Një ditë u zgjuam dhe kuptuam që makaronat tani na quhen “pasta”, që domatet na ishin xhevahire dhe se rukola dhe finoku, sidomos ky i fundit nuk na e kishte me hile, përkundrazi. I vetmi rreng që mund të na bëjnë këto delikatesa italiane është të na bëjnë të pastër brenda e të bukur jashtë, siç thonë me krenari dhe vetë italianët. Këto produkte të Mesdheut kanë hyrë tërë delikatesë në kuzhinën tonë, në restorante, por dhe në tokën tonë. Ju ndoshta nuk e dini, por arugula, ose rukola siç njihet ndryshe, prodhohet edhe në Divjakë e Lushnjë së bashku me shokët e tjerë, finokun dhe brussel sprout e njohur ndryshe si lakra e vogël pranverore. Arbër Gjoka, është një nga fermerët e rinj nga Divjaka që po e provon fatin pikërisht me Brussels sprout. Ai ka nisur ta kultivojë këtë lakër të vogël, për shkak të kërkesës në rritje për të. “Në Divjakë mund të ketë afro 20 ha të mbjellë me lakrën e vogël me një prodhim prej rreth 1.140 ton në vit”, konfirmon Gjoka për AgroWeb, duke pohuar se gjatë viteve të fundit kërkesat për këtë lakër speciale janë shtuar veçanërisht nga Polonia dhe Lituania. Ruzhdi Koni i AgroKoni është një tjetër fermer që po kultivon fidanët e brussel sprout. “E kam nisur këtë vit kutivimin e kësaj lakre, duke qenë se kam pasur kërkesa nga vende të BE-së dhe mund të them se po ecën shumë mire”, thotë Koni, i cili përveçse eksporton edhe i shet fidanët tek fermerët shqiptarë. Por me shumë gjasë ju mund të pyesni, po pse atëherë ne shohim kaq pak rucola, lakra të vogla dhe finok në treg? Kjo ndodh sepse prodhohet shumë pak. Luto Goga, ekspert i bujqësisë shpjegon për AgroWeb, se kjo vjen edhe si pasojë e një tregu të vogël. “Këto në fakt janë bimë shumë interesante, por tregu ynë është shumë i vogël. Duke qenë se janë shumë delikate ato kanë nevojë për një kujdes më të veçantë nga fermerët dhe njohje më të madhe nga konsumatorët në lidhje me cilësitë dhe vlerat e tyre” thotë Goga për AgroWeb. Pikërisht mosnjohja e këtyre produkteve dhe tregu i vogël, i bëjnë fermerët skeptikë, nëse duhet të prodhojnë më shumë, pasi nuk dinë a do të mund të ketë treg për to. Siç është dhe rasti i Liri Muho, e cila prodhon rukola dhe erëza të tjera në serrën e saj me klientë të dedikuar dhe me disa restorante në Tiranë, në vend që ta shesë në treg. Një treg, i cili do të ecte shumë mirë, nëse ne të gjithë do të dinim më shumë rreth këtyre super produkteve, që i bëjnë kaq mirë trupin tonë me gjithë delikatesën e tyre. Sepse ndonjëherë pak është shumë.

Rukola se Arugula

Arugula ose rukola siç dhe e njohim më shumë, është një nga ato perime që qëndrojnë në piedestal për shkak të shumë vitaminave e mineraleve. Nëse do të krahasonim rukolën me sallatën jeshile, rukola përmban tetë herë më shumë kalcium, pesë herë më shumë vitaminë A, vitaminë C dhe vitaminë K dhe katër herë më shumë hekur sa e njëjta sasi me sallatë jeshile. Zgjedhja është e thjeshtë. Rukola për një sallatë të shëndetshme. Për më tepër, fibrat tek rukola ju ndihmojnë në aparatin tretës, duke ju bërë që të ndiheni të ngopur për një kohë më të gjatë. Gjithashtu ndihmon për të ulur kolesterolin, për të balancuar sheqerin në gjak dhe për të ulur rrezikun e sëmundjeve të zemrës.

Finoku

Të mirat shëndetësore të finokut janë aq të shumta, sa e meriton me të vërtetë emrin finok. Ndihmon për aneminë, tretjen, konstipacionin, diarenë, çrregullimet e frymëmarrjes, çrregullimet menstruale dhe ndihmon për shikimin. Finoku ose Fennel, emri shkencor i së cilit është Foeniculum Vulgare Miller, përdoret masivisht në të gjithë botën për të freskuar gojën, si pastë dhëmbësh, si ëmbëlsirë dhe për përdorime të shumta kulinare.

Brussel Sprout (baby cabbage) ose lakra e vogël

Është e habitshme se sa shumë proteina kanë Brussels sprouts, duke qenë se janë veçse një perim i gjelbërt. Në një tas me këtë lakër të vogël nevojat tuaja për vitaminë C dhe për vitaminë K për ditën do të jenë të përmbushura. Brussels sprouts renditen mes 20 ushqimeve me më shumë vlera ushqyese, ku maten vitaminat, mineralet dhe fitoushqyesit në raport me sasinë e kalorive. Duke konsumuar një racion me Brussels sprouts ju do të merrni 195% vitaminë K, 125% vitaminë C, dhe 10% ose më shumë vitaminë A, vitaminë B-6, folat, potas dhe manganez që ju duhen në një ditë.

http://agroweb.org/?id=10&l=786&ln=sq&url=divjaka-italia-e-vogel-e-produ...



 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.