Demografia e Europës prehistorike, një thyerje ndodhi 14 500 vjet më parë me migrime nga Europa Juglindore
14 500 vjet më parë Europa u përfshi nga një valë migrimi popullsish gjuetarësh. Kjo konfirmohet nga studime të fundit të ADN-së së kockave të gjetura të individëve që u përkasin këtyre popullsive. Vitet e fundit kanë çuar në konstruktimin e një peizazhi demografik të Europës që ka këtë diakroni: rreth 40 000 vjet më parë grumbuj gjuetarësh u vendosën në Europë. Ata u zëvendësuan nga fermerë të ardhur nga Lindja e Mesme rreth 8000 vjet më parë. Vetë këta fermerë u përballën me mbërritjen e blegtorëve nga stepat euraziatike rreth 4500 vjet më parë. Pra demografia e Europës u kompozua nga tri flukse kryesore. Studimi i fundit, bazuar gjithnjë mbi studimet e ADN-së dhe realizuar nga Instituti “Max Planck” në Gjermani, e ndërlikon panoramën. Diku te 14 500 vjet më parë, kur Europa po dilte nga epoka e fundit akullnajore, një tjetër popullsi gjuetarësh mbërriti, duke zëvendësuar atë që ndodhej tashmë në kontinentin tonë. Nuk dihet mirë nga erdhën, por një hipotezë është Europa Juglindore. Kjo u favorizua nga përmirësimi i kushteve klimaterike, por në çdo rast kjo interferencë e theu vjueshmërinë genetike të popullsive ekzistuese. Shkencëtarët arritën në këto përfundime pasi studiuan ADN-në e 55 individëve, më i vjetri prej të cilëve jetoi 35 000 vjet më parë, gjatë Pleistocenit, kurse më i riu, vetëm 7000 vjet më parë, pra gjatë Holocenit që vijon akoma(së fundmi disa shkencëtarë kanë postuluar se bota ka hyrë në epokën e antropocenit). Ky studim cilësohet si i pari që jep një dinamikë të popullsive gjatë Pleistocenit, ndonëse studimi që ndërtohet mbi sekuencat mitokondrike të ADN-së jep vetëm një pjesë të historisë. Studimi në vetvete, mund t’i japë një përgjigje edhe pyetjes se përse mungojnë disa gjurmë genetike në popullsitë me origjinë europiane. “Të gjithë njerëzit sot janë anëtarë të një prej grupeve të vogla të dallueshme, nisur nga mitokondria e ADN-së, e cila përcillet në linjën amtare. Shpërndarja e njerëVe në secilin grup jep idenë sesi njerëzit u shpërndanë në botë gjatë prehistorisë. Europa në këtë kuadër ka një histori të pazakontë, sepse një prej haplogrupeve kryesore – M – mungon thuajse plotësisht, ndonëse është shumë i zakonshëm në Azi dhe deri tek indigjenët e Amerikës. Ndërkohë një haplogrup tjetër – N – është më i zakonshëm”, vëren “Newscientist”. Ka disa mendime për këtë, por studimi i fundit i jep forcë tezës se “M” ka qenë i zakonshëm pikërisht deri 14 500 vjet më parë, kur migrimi nga Europa Juglindore ndryshoi situatën. Parë nga një perspektivë genetike, kjo periudhë mund të jetë kyçe për të ndërtuar një panoramë më të mirë për dinamikën demografike të Europës prehistorike. https://www.newscientist.com/article/2076477-mystery-invaders-conquered-...
Add new comment