Patozi: Jo koalicion me Metën
Ish-kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, e sheh si vetëvrasje politike një koalicion të mundshëm të Partisë Demokratike me Lëvizjen Socialiste për Integrim. Në një intervistë për “Panorama”, deputeti demokrat sheh lëvizjet agresive dhe masive popullore si të vetmen mundësi që vendi t’u drejtohet zgjedhjeve të parakohshme.
“Qofsha i gabuar, por ngjan se një koalicion pazaresh e ka të vështirë të prishet përfundimisht sa kohë që i kujtohet se ka diçka për të ndarë. Ndaj këto ftohje-ngrohjet e Ilir Metës me Edi Ramën janë më shumë hakërrime dhe testim forcash në një rivalitet të egër politik brenda së majtës, ku PD-ja po përdoret si garniturë kërcënuese, por jo si një kërcënim për pushtetin vetë. Siç, në fakt, i takon të jetë. Deri më sot nuk ka ndonjë deklarim publik të zotit Basha që e lë të hapur mundësinë për një koalicion të PD-së me LSI-në, ndaj edhe nuk e shoh të arsyeshme të komentoj për pyetjen e tuaj- thotë Patozi.
Patozi thotë më tej, “Unë e kam thënë edhe më parë dhe i qëndroj bindjes sime se çdo shkelje syri në distancë apo afërsi e jona me Ilir Metën, do të ketë pasoja të rënda në radhë të parë për vetë Partinë Demokratike”
Sipas tij, kjo pasi do të rrisë perceptimin publik se LSI-ja është “e dënuar” për të qëndruar gjithmonë në pushtet, pavarësisht kë zgjedh si aleat dhe kjo do të zbehë dramatikisht pritshmërinë e njerëzve te forca kryesore e opozitës.
Add new comment