AMA rrëzon aplikimin për licencat e transmetimit numerik të “Top-Channel”, “Digitalb” dhe “Klan”

Postuar në 01 Shkurt, 2016 16:12

Ka krijuar reagime vendimi i sotshëm i Autoritetit të Medias Audiovizive për të mos miratuar licencat e transmetimit numerik(DVB-T) për “Top-Channel”, “Digitalb” dhe “Tv Klan”. Ka qenë vota e anëtarëve Sami Nezaj dhe Suela Musta që ka rrëzuar aplikimet, të cilat duhet të nisin nga e para. “Në mbledhjen e Autoritetit të Mediave Audiovizive, paraditen e se hënës nuk u arrit numri i kërkuar prej 5 votash dhe si rezultat nuk u krye shpërndarja e licencave. Vetë AMA në njoftimin zyrtar, sqaron se dy prej anëtarëve, përkatësisht Sami Nezaj, zëvendëskryetar dhe Suela Musta, anëtare, vendosën rrëzimin e aplikimeve të subjekteve, pasi licencimi sipas procedurës “beauty contest”, kryhet për një periudhë tranzicioni dhe afati përfundimtar i kalimit të plotë në transmetimet numerike është data 17 qershor i vitit te kaluar, nje afat i djegur tashme”, raporton “Vizion Plus”. Po kështu si arsye është nxjerrë edhe rregulli i pronësisë. Interesant është fakti se një nga palët e këtij procesi, “Top-Channel” e ka cilësuar vendimin si politik duke gjykuar se preteksti i nxjerrë është “thjesht teknik”(http://www.top-channel.tv/lajme/artikull.php?id=318536#k1). Mirëpo ndërkohë që ngrihet ky pretendim, pyetja se në cilat kushte ligjore ka transmetuar platforma “Digitalb” deri më tani ka rëndësi të madhe. Duhet të kujtojmë këtu se prej disa muajsh ka debat të madh, të ngritur nga opozita mbi mënyrën sesi u caktua kreu i AMA-s, i cili sipas PD-së është njeri i propozuar nga “Digitalb”. Në çdo rast kjo skemë nuk ka funksionuar dhe tashmë do të duhet që operatorët të riaplikojnë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.