Konflikt në treg, apo titull i një emisioni të ri?
Në rrugët e Tiranës shihet së fundmi kjo reklamë(në foto) që është sponsorizuar nga “ABCom”, një nga ISP-të më të mëdha në Shqipëri dhe një kompani që ofron shërbime të zgjeruara në tregun e internetit dhe TV. Në reklamë përdoret një shprehje e kryeministrit aktual në Parlament, e cila u lexua gjërësisht si kërcënim ndaj opozitës, por hyri në zhargonin e politikës si replika e duhur debatuese. Nuk duhet paragjykuar, por kjo frazë ndoshta paralajmëron një tjetër aktor në treg që do të “hyjë në kënetën mediatike” për të shqetësuar” me disa të vërteta. “ABCom” ka vendosur bashkëpunimin me “Zjarr TV” dhe po krijon mundësinë e transmetimit të tij në një dritare të zgjeruar shikuesish, që mundësohen nga “ABCom”, një shifër nga 35 000 deri në 65 000 familje. Karriera e Ismet Drishtit që drejton sot “Zjarr Tv”, njeh edhe elementë të gazetarisë investigative dhe me këtë lind pyetja: a jemi para një tjetër cikli si ai i “Fiks Fare” dhe “Stop”? Kjo mbetet për t’u parë, meqë “nuk kemi parë gjë akoma”.
E rëndësishme është të vihet në dukje një moment: ky bashkëpunim vjen pak pasi “ABCom” pësoi goditje në treg nga kompania “Digitalb” e cila vendosi që të ndërpriste shërbimin TV për të gjithë klientët e “ABCom” (http://www.abcom.al/index.php?action=readmore&cid=10&id=12&gjuha=0#1). Që nga dhjetori kur kjo ndodhi, mes të dyja kompanive pati deklarata të ndryshme, që kërkonin të ruanin klientelën. “Digitalb” bëri thirrje që klientët e “ABCom” të konvertonin abonimin (http://top-channel.tv/lajme/artikull.php?id=315214). Po kështu "ABCom" u bëri thirrje abonentëve se do të merrte masaj, por kjo ishte një goditje që impononte ndërhyrjen e Autoritetit të Mediave Audiovizive, që ka për detyrë funksionale të vetën monitorimin e tregut. Merr tjetër kuptim tani akuza e para disa muajve e opozitës, sipas së cilës kreu i AMA-s është një njeri i propozuar nga “Digitalb”. Kjo e bën situatën në treg të papranueshme dhe të pabarabartë. "ABCom" kaloi me platformën "Tring", platformë e cila po ashtu ka qenë e ekspozuar nga lëvizjet e komanduara në AMA. Gjithçka e krijuar nga dështimi i licencimit të "Beauty Contest". “ABCom” është një kompani me pronësi një fond amerikan që operon me sa duket jashtë lidhjeve me politikën apo institucionet shqiptare, por që së fundmi në kushtet e goditjes po mendon të bëjë të vetën moton e kryeministrit. Legjitime apo jo?
Add new comment