Industria e naftës pezullon investimet dhe shkurton vendet e punës

Postuar në 24 Janar, 2016 10:44

Industria e naftës në vend pezullon investimet, ndërsa ka shkurtuar 500 vende pune në pak muaj. ‘Transoil Grup’, kompania e nxjerrjes dhe kërkimit të naftës në vend me 150 të punësuar, planifikon të shkurtojë 66% të vendeve të punës pak ditë më parë. Burime brenda kompanisë bëjnë të ditur se vendimi erdhi pas uljes së çmimit të naftës në tregun botëror nën 30 dollarë për fuçi. Vendimi drastik, për të çuar në shtëpi më shumë se gjysmën e punonjësve, erdhi pas një plani të mëparshëm për të ulur me vetëm 20% shpenzimet për paga.
Kompania më e madhe në këtë fushë te ne, ‘Bankers Petroleum’, për herë të parë pas pesë vjetësh, ka vendosur të mos shpojë puse të reja në 6 muajt e ardhshëm. Në njoftimin e fundit zyrtar të kompanisë, thuhet se, “si pasojë e çmimeve të paqëndrueshme të naftës edhe në fillim të vitit 2016, Bankers ka zgjedhur të pezullojë aktivitetin e shpimit deri në përmirësimin e çmimeve me qëllim për të mbrojtur forcën e bilancit financiar të kompanisë”. Vendimi është marrë para se çmimi i naftës në bursa të zbriste nën 30 dollarë për fuçi, ndërsa nafta shqiptare kuotohet në bursa në nivele më të ulëta. Javës së kaluar, nafta bruto e nxjerrë nga fushat shqiptare, ishte 20-23 dollarë për fuçi (pasi shitet me skonto ndaj treguesit referenë europian Brent).
Por, ndërsa Bankers ka tkurrur zgjerimin e saj, duke ulur lehtësisht prodhimin, e pa shkurtuar deri më tani punonjësit, krizën më të thellë po e ndiejnë nënkontraktorët e saj. Një prej tyre është Phoenix. Përfaqësuesi i kësaj kompanie tha se “kemi fshirë çdo plan investimi, duke u ndalur në vend. Ai pranoi se është reduktuar stafi, por i pyetur për nivelin e shkurtimeve, u shpreh se nuk mund të japë një numër, “pasi plani i shkurtimeve është ende në proces”.
Transatlantic Petroleum (ish ‘Streem Oil’), kompania që ka dalë në shitje që vitin e kaluar vlerësohet të këtë tkurrur në nivel minimal shpenzimet, ndërsa përfaqësues të kompanisë nuk flasin për shkurtime të vendeve të punës së fundi.
Dëmi arrin në buxhet
Prej shtatorit të vitit të kaluar, të gjitha sipërmarrjet së bashku kanë dërguar në shtëpi rreth 500 naftëtarë. Sektori zinte me punë 4 mijë veta mes kompanive të nxjerrjes dhe nënkontraktorëve të tyre. Vetëm në fushën e Patos-Marinzës llogariten rreth 2 mijë të punësuar.Zyrtarë pranë kompanive vërejnë se nëse ky nivel çmimi vazhdon mbi 6 muaj, do të detyrohen të mbyllin aktivitetin të gjitha kompanitë.
Krahas të ardhurave të munguara në buxhet, financave publike rrezikon t’u kushtojë më shtrenjtë këtë vit mbajtja në këmbë e ‘Albpetrol’. Burime zyrtare pranë kësaj kompanie theksojnë se nuk ka një plan shkurtimesh të punonjësve. Megjithatë, njohës të tregut të naftës paralajmërojnë se ‘Albpetrol’ do të gjendet para sfidës për të ristrukturuar organikën e saj, ose qeveria duhet të përballojë një pjesë të kostos.
Nafta, braktiset nga financimi
Kompanitë në tregun vendas po përballen edhe me mungesën e lartë të financimit. Për të mbijetuar deri në rritjen e çmimit do t’u duhen para borxh, por bankat duket se kanë mbyllur rubinetin e financimit për këtë industri, ku rëndon pikëpyetja më e madhe e mbarëvajtjes. Punonjës të administratës pranë disa prej shoqërive, thonë se “çështja është se po s’patën financime për të paguar pagat, lëndën e parë, energjinë, nuk mund të mbijetojmë, pasi edhe nëse kompania vendos të mos e mbyllë aktivitetin, ai do të bllokohet nga tatimet, nga furnitorët, të cilët nuk japin materialet bazë nëse nuk paguhen”. Sipas tyre, industria po mbijeton tani me financime të dëshpëruara, duke paralajmëruar se do të ketë vonesa në pagesat e faturave apo detyrimeve fikse të tyre. Në kushtet aktuale, financierë të kompanive thonë se sipërmarrjet nuk marrin dot hua në banka. Këtij sektori, sipas tyre, nuk i jepet më as overdraft, kredia që shpesh përdoret për pagesa emergjente si pagat.
Monitor

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.