Kostot e Transaksionit dhe Rëndësia e Firmës – nga Coase tek Williamson

Postuar në 23 Janar, 2016 17:12
Selami Xhepa

Shkolla e Institucionalistëve të rinj që e shtrin analizën ekonomike përtej asaj neoklasike, duke rizbuluar tezat e klasikëve të hershëm të ekonomisë politike, lidhet me emrin e Roland Coase, dhe më vonë të Oliver Williamson, të dy nobelistë të ekonomisë, respektivisht nga Shkolla e Çikagos dhe Universiteti Berkey i Kalifornisë.

Roland Coase (1910-2013) kishte lindur në një familje londineze, si një fëmijë i vetëm i një familje punonjësish të postës dhe telegrafit. Siç shkruan në shënimet  tij autobiografike me rastin e marrjes së Çmimit Nobel në ekonomi në vitin 1991, duke mos patur një njohje të mirë të matematikës, kishte filluar të ndjekë London School of Economics për një diplomë Bachelor në tregti. Këtu ai do të kishte fatin të ndiqte seminaret e Sër Arnold Plant, një ekonomist i shquar britanik i kohës i cili, siç shprehet vetë Coase, “do të më ndryshonte kuptimin tim mbi mënyrën si funksiononte tregu, ose, për të qenë më të saktë, më dha një kuptim mbi të. Ai ishte i pari që më prezantoi “dorën e padukshme” të Smithit dhe më ndërgjegjësoi se si një sistem i tregut të lirë koordinohej nga mekanizmi i çmimeve”. Në vitin 1931-‘32, ai mori një bursë studimesh për në Amerikë, ku studioi mënyrën e organizimit të industrisë amerikane, me qëllim të zbulonte arsyet se përse industritë e ndryshme organizoheshin në mënyra të ndryshme. Prej këtej ai përpunoi disa koncepte të reja në analizën ekonomike, për të cilat më vonë do të bëhej edhe autor pionier, siç është ajo e kostos së transaksionit. Artikujt e shkruar gjatë kësaj periudhe u bënë baza e veprës së tij më të famshme, Natyra e Firmës, botuar në vitin 1937, dhe vepra që u citua edhe nga komisioni për dhënien e çmimit “Nobel”. Teoria për të cilën ai u nderua pas gati gjashtëdhjetë vitesh, ishte përpunuar në moshën 27-vjeçare!

Pasi do të punonte deri në vitin 1951 në disa universitete angleze, pjesën më të madhe të kohës në London School of Economics, do të emigronte në SHBA ku fillimisht do të punonte në Qendrën për Studime të Avancuara në Shkencat e Sjelljes, në Universitetin e Buffalo-s, më tej në Universitetin e Virginia-s dhe në vitin 1964 do të vendosej në Shkollën e Çikagos.

Në fjalimin që do të mbante me rastin e marrjes së çmimit, ai do të pohonte se “asnjëherë nuk e kam llogaritur veten midis ekonomistëve të mëdhenj, dhe as kam jetuar në shoqërinë e tyre. Unë nuk kam bërë ndonjë inovacion në teorinë e nivelit të lartë”. Në fakt, kontributi i Coase me teorinë  e firmës, zë një vend qendror në zhvillimin e teorisë së mikroekonomisë, dhe ka ndikuar në mënyrë të rëndësishme kuptimin tonë mbi funksionimin e sistemit ekonomik dhe se si mendojmë rreth politikave ekonomike.

Studiuesit e ekonomisë që prej kohës së Adam Smithit e kishin fokusuar punën e tyre në plotësimin e skemës së funksionimit të ekonomisë dhe “krijimit të pasurisë së kombeve”, nisur nga teza se mënyra më e mirë e arritjes së saj është “dora e padukshme”, ose mekanizmi i çmimit. Të gjitha zgjedhjet teknologjike, zgjedhjet e konsumatorëve që nisen nga interesi vetjak, udhëhiqen në vendimmarrjen e tyre nga sinjalet apo sistemi i çmimeve. Ekonomistët “pas Adamit”, kishin eksploruar mbi kushtet që duhet të plotësonte sistemi ekonomik në mënyrë që ai të funksiononte në mënyrë efikase, dhe shihej se një sistem i tillë kërkonte kushte ideale që nuk gjendeshin lehtësisht në jetën reale të ekonomisë.

Teoria mikroekonomike prej gjenezës së vet ishte fokusuar në rolin e çmimeve dhe kostove në nivel firme gjatë procesit të blerjes së inputeve dhe implikimet e tyre në raport me tregun. Por asnjëherë nuk ishte ndalur të shpjegonte se çfarë ndodh brenda firmës, në periudhën që nga blerja e faktorëve të prodhimit dhe deri me daljen e produktit në treg. Harold Demsetz nënvizon se (1983, fq 377) “Është gabim të ngatërrojmë konceptin e firmës në kontekstin e  teorisë neoklasike ekonomike me simotrën e saj të botës reale. Misioni i saj në ekonomiksin neoklasik është të kuptuarit se si sistemi i çmimeve koordinon alokimin e burimeve; jo të operuarit e brendshëm të firmës së vërtetë”.

Siç e thotë vetë Coase, “ekonomistët ishin të dhënë pas studimit të një sistemi që ekzistonte në mendjen e tyre dhe jo në jetën reale…Dhe kjo është befasuese teksa mendon se shumica burimeve në një sistem ekonomik përdoren brenda firmës, ku vendimet se si përdoren këto burime janë më shumë të natyrës administrative dhe jo drejtpërdrejt të lidhura me funksionimin e tregut.” Prandaj, mënyra se si firmat organizohen, si veprojnë dhe marrin vendimet e tyre janë me rëndësi themelore për eficiencën e tyre dhe eficiencën e përdorimit të burimeve. Dhe më tej, ndërtimi institucional i procesit të shkëmbimeve, përcakton në një masë të madhe se çfarë prodhohet dhe tregtohet. Pa kuptuar këto dy element, është e vështirë të kemi një kuptim të plotë të ngrehinës mbi të cilën ngrihet teoria ekonomike. Procesi i tranzicionit në Europën Lindore evidentojë qartazi mangësitë e ndërtimit të një sistemi ekonomik të tregut të lirë, në kushtet e mungesave të theksuara të bazave të saj institucionale.

Sërish konteksti i kohës na jep një argument ndihmues për të kuptuar thelbin e debatit të studiuesve të asaj kohe. Ishin vitet e Depresionit të Madh dhe teza e ndërhyrjes shtetërore nëpërmjet një lloji planifikimi të prodhimit dhe organizimi industrial, ishte një nga më të debatuarat. Lenini kishte gati më shumë se një dekadë që kishte triumfuar dhe kishte theksuar se sistemi ekonomik rus do të funksiononte si një fabrikë e madhe. Shumë pak dihej në atë periudhë rreth planit, por edhe shumë dilema qëndronin pa u zgjidhur: nëse sistemi i çmimeve kryente në mënyrë perfekte funksionet e koordinimit, atëherë duhej gjetur një argument se përse një nga faktorët e prodhimit, siç është menaxhimi, duhet të kryente funksione koordinuese brenda firmës.

Coase iu vu punës për të kuptuar më në thelb mekanizmin e çmimit, si një faktor koordinues në sistemin ekonomik, duke evidentuar edhe faktorët që lidhen me ato që u cilësuan si kostot e transaksionit – negociatat që kryen firma, hartimin e kontratave, inspektimet që duhen realizuar, mekanizmat e mbrojtjes dhe garantimit të përmbushjes së kontratave dhe zgjidhjes së mosmarrëveshjeve, etj. Pikërisht ekzistenca e kostove të tilla nënkuptonte edhe metoda alternative ndaj tregut në procesin e koordinimit, e cila është gjithashtu nga ana e saj e kushtueshme dhe joperfekte në shumë këndvështrime. Pikërisht shmangia e këtyre kostove shpjegonte funksionin koordinues të menaxhimit të firmës dhe rolit të vendimeve administrative në alokimin e faktorëve të prodhimit. Pra, plani dhe nevoja për të mund të ekzistonte në një kontekst optimumi, në rrethanat kur funksionet e saj të koordinimit mund të realizohen me një kosto më të ulët transaksioni se ajo që realizohej nga tregu, apo nga një kompani tjetër rivale. Pikërisht përfshirja e kostove të transaksionit në analizën ekonomike, përveçse ridimensionimit të rëndësisë së firmës  në ekonominë tonë, është edhe kontributi madhor që na ka dhënë Coase në teorinë ekonomike.

Duke parë firmën dhe tregun si metoda alternative të koordinimit të prodhimit, Coase dalloi se vendimi për të përdorur njërën metodë apo tjetrën, nuk duhej marrë si e mirëqenë, siç ishte pranuar gjerësisht deri më atëherë, por duhej studiuar. Ishte e nevojshme që ekonomistët “… të mbushnin atë boshllëk të teorisë ekonomike standarde midis supozimit (të bërë me një qëllim të caktuar) se burimet alokohen me anë të mekanizmit të çmimeve, dhe supozimit (të bërë për një tjetër qëllim) se alokimi i burimeve varet nga koordinatori sipërmarrës (fq. 388). Ajo që kishte munguar, kishte qenë kostoja e transaksionit.

Në fakt, edhe ekonomist shumë më të hershëm, madje që nga Aristoteli dhe më vonë Adam Smithi, kishin shkruar për “fërkime/mosmarrëveshje” në sistemin ekonomik, të cilat i referoheshin vështirësive që ndeshen në formimin e çmimit, një çështje që mori më shumë vëmendje nga Karl Menger, por që Coase e përkufizoi në një mënyrë më të plotë problemin që ndeshet tek mekanizmi i çmimit si alokues eficient i burimeve në ekonomi. John Hicks kishte shkruar po ashtu që në vitin 1935 mbi këto “fërkime”, si shkakun kryesor për kalimin nga një lloji aseti tek një tjetër. Megjithatë, përdorimi dhe futja në fjalorin ekonomik të termit “kosto transaksioni” lidhet me emrin e ekonomistit Tibor Scitovsky, ndërsa lindja e disiplinës së re ekonomike të Ekonomiksit të Kostove të Transaksionit -TCE (Transactions Costs Economics), lidhet me një tjetër nobelist në ekonomi (2009) të Oiliver Williamson, me botimin (1979) e një artikulli me titull “Ekonomiksi i Kostove të Transaksionit: qeverisja e marrëdhënieve kontraktore” në revistën Journal of Law and Economics. Lindja e kësaj disipline të re të teorisë ekonomike ishte disi problematike, pasi ajo qëndronte krejt e ndryshme nga teoria e kohës e Debrew dhe Arrow, që bazohej në kuadrin analitik të ekuilibrit të përgjithshëm. Siç e shkruan vetë Williamson tek “Tregjet dhe Hierarkitë”, “nëse një qasje e tillë [e kostove të transaksionit – shënimi im] duhet të përfshihet tek ekonomiksi, është problematike” (fq. 248).

Megjithatë, fokusi i mikroekonomisë ishte zhvendosur nga ekonomiksi marshallian i firmës përfaqësuese, drejt studimit të organizimit të brendshëm të firmës dhe strukturës së vendimmarrjes. Supozimet bazike të ekonomiksit neoklasik: racionaliteti dhe informacioni perfekt në vendimmarrje, maksimizimi fitimit, ishin vënë në dyshim, duke i dhënë shkas lindjes së dy teorive të reja: nga njëra anë teorive lidhur me dizenjimin e skemave institucionale të firmës që maksimizojnë shanset e saj të mbijetesës, dhe nga ana tjetër, një teorie që fokusohej në çështjet e vendimmarrjes brenda organizatës, e cila po bazohej fort tek shkencat psikologjike të njohjes (cognitive) dhe që lidhet me emrin e (nobelistit) Herbert Simon. Kjo shënon dhe themelimin e ekonomiksit të sjelljes dhe më pas të ekonomiksit të ri të sjelljes, që sot mishërohet në veprën e nobelistit Daniel Kahneman dhe Amos Tversky.

Në Shkollën e Biznesit Carnegie, përveçse studiuesve dhe themeluesve të shkollës së ekonomiksit të sjelljes, ishin dhe një grup tjetër ekonomistësh që merreshin me çështjet e pritshmërive racionale dhe teorinë  e tregjeve efektive (personalitete shumë të njohur në ekonomi si Franco Modigliani, John Muth, Merton Miller, Allan Meltzer, dhe më vonë Robert Lucas, Thomas Sargent, dhe Edward Prescott). Nuk mund të gjendet një mjedis akademik interdisiplinar më sfidues se ky që kishte grumbulluar Carnegie në vitet 1950-‘60. Williamson përfitoi nga kjo dije e re ndërdisiplinare dhe i përktheu konceptet e shkencave të sjelljes, në gjuhën e ekonomiksit.

Në një tjetër artikull shumë influencues, “Problemi i Kostos Sociale” (1960), Coase e kishte riformuluar konceptin e eksternaliteteve në termat kontraktore dhe kishte mbërritur tek ideja e zerimit të kostos së transaksionit. E formuluar (nga Stigler) si Teorma Coase, ajo nënvizon se “nëse kostot e transaksionit bëhen zero, atëherë palët do të shkëmbejnë në një pazar pa kosto duke arritur në një rezultat eficient pavarësisht nga mënyra se si janë specifikuar të drejtat e pronësisë. Megjithatë, siç e pohon vetë Coase në fjalimin që mbajti me rastin e marrjes së çmimit Nobël, ky supozim i “kostos zero” ishte shumë i gabuar dhe minonte shpjegimin e fenomeneve ekonomike të botës së sotme shumë komplekse. Mesazhi i vërtetë i teoremës së tij kishte qenë se nevojitej studimi i “kostove pozitive të transaksioneve”.

Duke kaluar nga një regjim i kostove zero të transaksionit tek kostot pozitive, del në pah vendi i rëndësishëm që zë legjislacioni. Teksa shkëmbimet në treg nuk përfshijnë element fizik por shkëmbim të drejtash, këto të drejta janë të mishëruara në ligj. Legjislacioni luan kështu një rol kritik në mënyrën e funksionimit të sistemit ekonomik, dhe në shumë drejtime, edhe e kontrollon atë.

Në shpjegimin e integrimit vertikal të firmës, për të cilën kishte punuar edhe Coase në dhënien e një shpjegimi se përse firmat duhet të prodhojnë brenda saj një produkt apo shërbim dhe të mos e blejnë atë nga jashtë, Williamson i dha një shpjegim disi të ndryshëm nga Coase, duke mos e lidhur vetëm me koston e transaksionit, por duke parë dhe më thellë në procesin  e sjelljes së aktorëve kontraktues dhe mbi të gjitha, në kufizimet e racionalitetit të tyre, duke formuluar prej këtej teorinë e kontratave të paplota. Siç e shkruan në leksionin që Williamson mbajti me rastin e marrjes së çmimit, “artikulli im “Integrimi Vertikal i Prodhimit: Konsiderata mbi Dështimin e Tregut”, dallonte nga ortodoksia e kohës në këto aspekte: (1) unë e shqyrtoja organizatën ekonomike nëpërmjet lenteve të kontratës dhe jo ortodoksinë e zgjedhjes, (2) e përshkruaja njohjen në termat e racionalitetit të kufizuar, kufizim sipas të cilit të gjithë kontratat komplekse janë të paplota, (3) ofroja klauzola mbi sjelljen strategjike (një dezertim nga fryma e kooperimit) kur një mall apo shërbim i “outsource”-ur pësonte devijime dhe kur ishin në lojë interesa të mëdha, (4) e trajtoja adaptimin si qëllimin kryesor të eficiencës së organizatës ekonomike, dhe (5) bëja dallim midis investimeve në asete gjenerike dhe asete specifike, ku kësaj të fundit i atribuohej një marrëdhënie varësie midis blerësit dhe shitësit. Të marra së bashku, argumenti mund të përmblidhet: shkëmbimi eficient i produkteve në treg zakonisht shërbehet më mirë nga kontraktimi nëpërmjet tregut nëse asetet janë gjenerike; por avantazhet e përdorimit të tregut në procesin e shkëmbimeve ndryshojnë hierarkinë sa më shumë që rritet varësia mes dy palëve për shkak të natyrës së aseteve specifike dhe luhatjeve të pazakonta (outlier disturbances)” (fq. 461). Ajo që e dallon teorinë e Williamson është se ai e sheh firmën si shmangëse të kostove negative të transaksionit. Evolucioni i mëtejshëm i ekonomiksit të kostove të transaksionit do të kalonte nga shmangia e kostove negative, tek firma e konceptuar si krijuese e dijeve pozitive, që u zhvillua nga shkencat e sjelljes.

 

Duke filluar nga vitet ’80 dhe në vijim, një numër projektesh dhe studimesh janë ndërmarrë për të testuar në mënyrë empirike teorinë e Williamson të kostove të transaksionit dhe një numër sfidash akoma mbeten përpara kësaj fushe studimore.

Raporti midis rregullimit dhe derregullimit në menaxhimin e operimit të firmës dhe të gjithë sistemit ekonomik, mbetet sot një nga temat më të nxehta në debatin publik, veçanërisht pas fajësimit (esencialisht) të derregullimit si shkaktare e krizës së fundit financiare, ndër më të rëndat që kemi përjetuar që prej viteve të Depresionit të Madh. Në anën e kundërt të akademikëve që kishin shkruar për “dështimet e qeverisë”, qëndronin akademikët e shkollës së “dështimeve të tregut”. Kishte qenë Pigou që duke marrë shkas nga teoria e Coase, kishte zhvilluar gjerësisht idenë e “dështimeve të tregut”, duke  shtyrë drejt idesë së nevojës për rregullime (dhe taksim) me qëllim shmangien e eksternaliteteve (e njohur si taksa piguiane). Përveç eksternaliteteve dhe mallrave publike, ekonomist të tjerë kanë kontribuar në pasurimin e teorisë së dështimit të tregut, duke përfshirë edhe asimetrinë e informacionit, adverse selection dhe dëmtimin moral (moral hazard) dhe konkurrencën joperfekte (Samuelson, Baumol, Stilgitz, Akerlof etj.). Dështimet e tregut kanë qenë dhe mbeten argumenti i fortë intelektual për të justifikuar ndërhyrjen shtetërore në jetën ekonomike të vendit.

Në një botë kaq komplekse dhe me tregje të sofistikuara, risqet nuk ka dyshim se janë bërë shumë më të mëdha dhe nevoja e mbrojtjes prej tyre është evidente. Është e paimagjinueshme se sot do të mund te jetonim të qetë nëse nuk do të kishim agjenci rregullatore dhe monitoruese të tregjeve, agjenci garantimi të depozitave, autoritet të mbikëqyrjes financiare, autoritet konkurrence, etj. Kontributi që jep George Stigler (dhe James Buchanan) me teorinë e kapjes së rregullatorëve (Kush rregullon rregullatorët?) është i padiskutueshëm, por çështja është se çfarë vjen pas kësaj. Rreziqet masive me të cilat operon sistemi i sotëm i tregjeve financiare mbart potencial shkatërrimtar. Për shembull, dëmi që krijoi kriza e fundit financiare nuk ka të krahasuar me asnjë nga katastrofat natyrore që ka përjetuar njerëzimi.

Një prapsim i proceseve të derregullimit të viteve ’80 tashmë është në veprim. Rirregullimi i tregjeve është kryefjala e reformave dhe inovacioneve të reja jo vetëm në rregullim, por dhe në mbikëqyrjen e institucioneve. E megjithatë, gjetja e balancës së drejtë midis sigurisë, eficencës dhe sigurisë rregullatore, duket se është ende larg. Prandaj, le të ecim me kujdes duke qenë të përgatitur për krizat e radhës!

"Mapo"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.