Kritikë po, por duhet edhe etikë
“Nëse dikush më gjuan me tulla unë nuk i kthej mbrapsht por ndërtoj me to themele të forta”, -kështu do shprehej për kritikat që i vinin figures së tij, Norman Vincent.Sipas një këndvështrimi tjetër kritikat u ngjasojnë gjilpërave në një fabrikë tullumbacesh, që me majat e tyre të holla bëjnë që ato të plasin
Në fakt të gjithë ne, shume apo pak kritikohemi, sidomos në rastin kur tentojmë të jemi kreativë ose angazhohemi drejt përsosjes. Por çështja është se përsosja nuk arrihet vetëm me lëvdata dhe as me kritika po nëpërmjet një balance midis të dyjave.
Kritika në kohë ka pësuar zhvillime dhe dimensione të larmishme, ashtu siç kanë evoluar bashkë me të edhe burimet e saj.Prandaj është jetike të përcaktohet burimi i kritikës nëse është ndaj punës së keqe, ndaj asaj të mirë, apo ndaj inaktivizimit tonë si individë. Më tej mund të marrim vendim nëse “tullat” do i gjuajmë mbrapsht apo do ndërtojmë me to themele të forta.
Me zhvillimin e medias vizive dhe të shkruar ,me një hov marramendës ka marrë zhvillim edhe kritika. Nëse dikush sot angazhohet të shkruajë apo të shfaqet sadopak kreativ ose thënë ndryshe të fryjë një tullumbace menjëherë do vijnë edhe kritikat si gjilpëra për ta plasur atë.
Ndërsa dikur, pa lindur media vizive, shkrimi lulëzonte me tërë shenjtërinë e tij aqsa nëse dikush rastiste të gjente nje copë letër të shkruar në tokë, e merrte menjëherë e pastronte dhe e ruante për një kohë të gjatë. Dikur lapsi mbahej mbi vesh jo si një zakon krejt i pa kuptim po për të treguar shenjtërinë e te shkruarit ose të lapsit.Dhe kushdo që dinte shkrim e këndim dhe ua mësonte të tjerëve, fitonte dashurinë dhe respektin e të gjithëve.
Pra në radhe të parë duhet të kemi respekt dhe të matemi mire përpara se të kritikojmë dikë që shkruan dhe përpiqet për ndonjë ide.Kushdo që shkruan duhet përgëzuar në radhë të parë për të shkruarin si një akt i hershëm që i dha njerëzimit mundësi të mëdha.
Kurse sot meqenëse shkrimit si akt i ka humbur shkëlqimi dhe brendia ka fituar terren, ne jemi shndërruar në toreadorë duke e përdorur shkrimin si shpatë e si mburoje. Më të talentuari në këtë “profesion” i ngjason toreadorit të pajisur më mire, dhe anasjelltas.
Add new comment