Anemike kërkesa për PBB-në shqiptare, si e brendshmja edhe e jashtmja
Në 9 muajt e parë të vitit që shkoi, sipas shifrave të INSTAT-it, Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB) u rrit në vëllim 2.75%, krahasuar me 9 muajt e njëjtë të një viti më parë (luhatja e çmimeve është zhveshur nga kjo shifër). Por duke e zbërthyer këtë rritje sipas kërkesës për PBB-së, rezulton se konsumi i brendshëm (privat e publik), që përbën destinacionin kryesor ku shkon rreth 80% e PBB-së, ka pësuar një rënie prej 1%. Gjithashtu edhe eksportet, që varen nga kërkesa e jashme për PBB-në, kanë pësuar një rënie me 0.9%. Pra rritja në vëllim prej 2.75% e PBB-së në 9 muajt e parë të 2015-ës ka ardhur vetëm nga formimi bruto i kapitalit fiks (investimet private e publike).
Duke gjykuar nga ecuria e mbledhjes së tatimit të vlerës së shtuar (TVSH), i cili lidhet shumë me konsumin e brendshëm, duket se konsumi ka mbetur anemik deri në fund të 2015-ës. Ndërsa eksportet nuk do të kenë patur rritje në deri në fund të viti që shkoi për shkak të uljes së vazhdueshme të çmimit të naftës dhe mineraleve në tregun botëror. Mbetet që investimet të kenë qenë shpëtimtari i PBB-së, në qoftë se arrihet vërtet shifra 2.7% për rritjen vjetore, sipas parashikimit të Bankës Botërore.
Për sa i përket kapacitetit ofrues të ekonomisë shqiptare, Banka e Shqipërisë ka theksuar vazhdimisht se prodhon nën kapacitetin e mundshëm.
E. Zaloshnja
Add new comment