Akuza nuk mund të mbetet nën kontrollin e një të akuzuari

Postuar në 19 Janar, 2016 20:05

Prej muajsh tashmë flitet për reformën në drejtësi, me përqendrimin te gjyqësori. Ambasadorët, kryeministri etj., janë hedhur në sulm ndaj korrupsionit në gjykata dhe sidomos ndaj korporatizmit në këtë pushtet, duke paralajmëruar shkundje të ekuilibrave. Eksertët e Partisë Socialiste kanë parashikuar ndryshime institucionale të mëdha, kryqëzim kompetencash dhe më e rëndësishmja, mandate 9 vjeçare apo edhe 12 vjeçare që në raport me legjislativin do të thotë “stabilitet” dhe kontroll për 3 mandate.

Mirëpo ndërkohë që gjyqësori është fronti kryesor, pak kush, apo më saktë, ata që duhet, po merren me organin e akuzës, Prokurorinë dhe ndryshimet që parashikohen në të. Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim ngjan se bashkohen në këtë pikë kur kërkojnë që decentralizimi i Prokurorisë të njohë një rol cilësisht të ri për Ministrin e Drejtësisë apo në emërimet për në Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Por përpara se të japim një vlerësim për vërejtjet e këtyre dy forcave, le të hedhim një sy mbi atë që është thënë dhe bërë deri më tani në adresë të Prokurorisë së Përgjithshme, sidomos nga njeriu kyç i situatës së tanishme politike, kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta.

2011- Meta: “Prokuroria si Sigurimi i Shtetit. Do të kërkoj reformë të thellë”

Pas ngjarjeve të janarit 2011, Ilir Meta iu nënshtrua një procesi penal që u iniciua nga videopërgjimi i Dritan Priftit. Në muajin korrik, duket se punët morën mirë për në gjykatë dhe në një konferencë për shtyp, Ilir Meta do të deklaronte ndër të tjera se: “Prokuroria nuk ka pasur qëllim të zbardhë këtë çështje, por ka vepruar si celulë politike, ekstremiste, për të dëmtuar personin tim dhe forcën politike që unë drejtoj vetëm për arsye elektorale... Prokuroria me veprimet e saj skandaloze dhe politike, njëkohësisht ka kryer disa vepra penale në këtë proces ndaj personit tim, dhe unë ndaj saj do shfrytëzoj të gjithë legjislacionin shqiptar e ndërkombëtar për të fituar këto të drejta në emër të gjithë qytetarëve shqiptarë... Këto nuk janë rastësi dhe nuk më revoltojnë si Ilir Meta, por të jeni të sigurt që me mijëra çështje skandaloze ndodhen në prokurori, që cenojnë dinjitetin, jetën dhe të drejtat e qytetarëve shqitparë. Pra ky nuk është problem personal. Ndaj e kam thënë se duhet një reformë serioze për prokurorinë e shtetit...Ky problem është shndërruar një problem social. Duke biseduar me shumë avokatë kam dëgjuar shumë çështje të tmerrshme”(http://www.gazetatema.net/web/2011/07/12/ilir-meta-prokuroria-skandaloze-deshi-te-me-godiste-para-zgjedhjeve-ne-emer-te-qytetareve-qe-vuajne-do-kerkoj-reforme-te-thelle/).  Koha iku dhe të gjithë jemi dëshmitarë se reforma e thellë në prokurorinë e shtetit u reduktua në konsensusin PD-LSI për zëvendësimin e Ina Ramës me Adriatik Llallën, paralel me konsensusin për Bujar Nishanin si President.  Premtimi i Ilir Metës që u sipërcitua, u harrua sapo kreu i LSI-së mbylli punët e veta, e që me këtë rast kuptoi fare mirë se për të operuar lirshëm në politikën e inkriminuar shqiptare, të duhet një dorë në kontrollin e institucioneve që kanë tagrin e kundërveprimit ligjor ndaj atyre që kanë imunitet. Për aq sa na dëshmon përvoja e këtyre viteve, Adriatik Llalla, prokurori i “arrestimeve të mëdha në muajin shtator”, mund të vlerësohet objektivisht duke i parë aktet verbale apo institucionale të tija, në përputhje me intersat politike të dyshes Meta-Berisha. Sidomos të parit.

Prokuroria në luftën PS-LSI

Pakti i Lalëzit u aktualizua me qeverinë PS-LSI që në ndryshim nga marrëdhënia e salduar Meta-Berisha, frymon si një pusi e përditshme mes dy drejtuesve të majtë. Përplasja e këtyre muajve i jep të drejtë Ilir Metës në kontrollin  e Prokurorisë, që nëse do të ishte realisht e pavarur, mund të kishte sjellë ndryshime të mëdha në skenën politike shqiptare.

Çështja “Meta-Doshi”, që përfshiu në akuzë edhe Adriatik Llallën, si një njeri të cilin ish-deputeti socialist nuk e besonte, krijoi një premisë për hetim të plotë ndaj Ilir Metës, një njeri që akuzohej për urdhërim vrasjesh. Mirëpo ndërkohë që organi i akuzës hetonte në sekret të plotë, disa të dhëna nisën të dalin nga dosja për t’u publikuar në media. Që për çudi i konvenonin si mjet shantazhi Ilir Metës. Kështu, shkresa e policisë për ndalimin e një personi në makinën e ish-deputetit Mark Frroku, thuhet se ka patur vulën e prokurorisë, pra ka dalë nga ky organ. Shkresa e Interpolit për Mark Frrokun, e cila solli largimin e drejtorit të Përgjithshëm Artan Didi dhe kreut të Inteprol Tiranës, doli në media si pasojë e kërkesë së përsëritur të Ministrit të Drejtësisë, Nasip Naço, një njeri i LSI-së.

Më tej akoma, Prokuroria e Përgjithshme lejoi që të dilte në media, në momentin që çështja ishte në gjykim, biseda mes Tom Doshit dhe Durim Bamit, e inçizuar me lejen e organit të akuzës, e ku Durim Bami, pohonte se “gjithçka kishte qenë një lojë, që ne të dy e dimë shumë mirë”. Deputeti Doshi do të shtronte pyetjen se nga dolën këto përgjime, por siç është zakoni, heshtja është ilaçi më i mirë.

Faza e dytë, ku Ilir Meta u shërbye nga prokuroria është ajo e CEZ-it. Gjullurdia e akuzave që u shpalosën në atë aferë, ku Ilir Meta dhe Sali Berisha rezultonin të përfshirë sip-as asaj që i thoshin njëri-tjetrit, e la të paslur në heshtje organin e drejtuar nga Adriatik Llalla, i cili befas u ringjall në dy momente: kur deklaroi se “prokuroria shqiptare kishte tagrin të hetonte çështjen” dhe kur Kontrolli i Lartë i Shtetit, pas një auditi të bërë në Ministrinë e Energjetikës, depozitoi kallëzim penal për Damian Gjiknurin për shpërdorim të qindra milionë eurove në lidhjen e marrëveshjes së Mirëkuptimit mes CEZ dhe shtetit shqiptar. Në kallëzim përfshihej edhe Avokati i Shtetit, Alma Hicka, e cila në deklaratën e saj nënvizonte ndër të tjera se : “Shpresoj që Prokuroria të gjejë kurajën t’i jap fund një herë e mirë kallëzimeve politike duke vendosur si një standard të punës së saj të përditshme marrjen në përgjegjësi penale të kallëzuesve të rreme, si e vetmja zgjidhje për të frenuar përdorimin e saj për sulme të mirëfillta politike(http://www.gazeta-shqip.com/lajme/2015/10/15/cez-avokatja-e-shtetit-prokuroria-ti-jape-fund-padive-politike/). A mund të jetë rastësi që në në vjeshtë, pra pasi negociatat mes Edi Ramës dhe Ilir Metës kishin arritur të kalonin gropën e madhe të krizës, Prokurorra do të deklaronte zyrtarisht se “ishin mbyllur hetimet edhe për çështjen e serverit të Tatimeve, ku dilte emri i vëllait të Damian Gjiknurit”?

Dy episode të fundit flasin qartë për nevojën e një reforme të thellë në prokurori. Por një reformë e cila të jetë reale. Para disa ditësh njoftohej se prokuroria po shkon drejt mbylljes së hetimit për akuzën që KLSH-ja ngriti ndaj “Albpetrolit”, konkretisht drejtorit të saj, Endri Puka, për abuzim prej 10 milionë dollarësh. “Pas një viti hetimesh Prokuroria e Fierit nuk ka gjetur elementë të veprës penale në aktivitetin e ketyrë zyrtarëve, dhe tashmë po bëhet gati ta arkivojë çështjen”, raporton “BIRN”. Duhet thënë se Endri Puka është njeriu i Koço Kokëdhmës në krye të “Albpetrolit”.

Lajmi i dytë është se prokuroria nuk ka caktuar ende një prokuror për hetimin e konçesioneve të ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqja, hetim i cili nisi kryesisht, pra nga raportimet mediatike.

Një organ i pavarur

Siç shihet, lëvizjet e organit të akzuës në suazën e konfliktit politik ngjajnë të jenë orientuar nga interesat e Ilir Metës kryesisht, që ka arritur ta përdorë një institucion të tërë si mjet për të rritur pozitën negociuese me kryeministrin Edi Rama dhe më tej me kundërshtarët në opozitë.

Nga kjo perspektivë, ndërhyrja në Prokurori është emergjente dhe përvoja italiane e tangentopolit (http://www.respublica.al/2016/01/08/shqipërisë-i-duhet-“tangentopoli”-në-vend-të-modelit-“sanader”) na e provon shumë mirë.

Propozimi i ekspertëve socialistë për decentralizimin e prokurorisë është i duhuri, por në dritën e hetimeve dhje akuzave të vitit 2011, ai rrezikon të zëvendësojë një kapje me një tjetër. Ky është sensi i kundërpropozimeve të PD-së dhe LSI-së që në theb kërkojnë më shumë garanci dhe kërkojnë që t’i japin ministrit të Drejtësisë më shumë kompetenca në procedim disiplinor dhe në transferime. Reforma në drejtësi është infektuar nga aludimi se ajo po realizohet për të dhënë goditje ndaj Ilir Metës dhe Sali Berishës, që nga ana e vet e kanë të mbushur dosjen me akuza për abuzime të qeverisë së Edi Ramës. Komenti i sotshëm i Petrit Vasilit për Skavicën është vetëm një shembull.

Gjykatat janë njëra anë e problemit, shumë i madh, në mos kryesori, por akuza po ashtu është esenciale. Qoftë edhe për çështje të rënda. Të kujtojmë këtu ndryshimin e vendimeve që u bë për Arben Ffrokun dhe Konstandin Xhuvanin, gjithnjë me argumentimin e një pune të dobët të prokurorëve, sa për të përmendur vetëm dy raste.  

Në fund nuk mund të shmanget konsiderata politike: Ilir Meta është njeriu më i akuzuar në këto vitet e fundit si përçues i korrupsionit dhe ngritjes së tij në institucion. Si një politikan që ka zgjeruar elektoratin duke aplikuar procedura punësimi partiake, që shfrytëzojnë dobësinë e shtetit. Nëse PD-ja dhe PS-ja përfaqësojnë një investim afatgjatë të shqiptarëve në krijimin e institucioneve politike, sado të shpërdoruara dhe të degraduara, LSI-ja në vetvete përfaqëson një investim thjesht dhe vetëm financiar e politik të Ilir Metës dhe një grupi të mbyllur. Ilir Meta është institucioni në atë parti, i cili ka arritur të imponohet pikërisht duke eliminuar rrugën institucionale për njerëzit dhe duke kontrolluar disa instrumente. Reforma nuk ka kuptim të realizohet ashtu si do Edi Rama, vetëm për groposur një politikan, apo dy, por po kaq e vërtetë është se Prokuroria nuk mundet të jetë më në kontrollin e një partie politike e cila perceptohet gjerësisht si “thithlopa e sistemit”, sa për të huazuar një term të përdorur nga Astrit Patozi.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.