Rama, duarlidhur përballë LSI-së

Postuar në 14 Janar, 2016 13:41
Armand Shkullaku

Edi Rama po përballet gjithnjë e më shumë me fjalën e urtë se ç’të mbjellësh do të korrësh. Aleati i tij i 1 milion votave, Ilir Meta, e bëri të qartë se për reformën në drejtësi nuk do të veprojë pa konsensusin e PD-së. Kreu i LSI-së u tregua i prerë se këtë herë nuk ka ndërmend të shkojë pas qerres së kryeministrit.

Në llogarinë e numrave në Kuvend, qëndrimi i LSI-së nuk ngre peshë, pasi do të mjaftonin votat e opozitës për të mos u miratuar ndryshimet kushtetuese që i hapin rrugë reformës. Por në planin politik, deklarimi i Metës në mbledhjen e kryesisë së partisë së tij, e ka vendosur Edi Ramën në pozitën më të vështirë që kur erdhi në pushtet. Ai jo vetëm që nuk mundi të gjejë kompromisin e kërkuar me ngulm nga ndërkombëtarët me opozitën, por po rezulton pa asnjë ndikim edhe mbi aleatin e tij më të vogël.

Sikur të mos mjaftonte kriza ekonomike dhe skandalet korruptive që po e gërryejnë përditë qeverinë, kryeministri tani gjendet duarlidhur edhe politikisht për të vepruar. Përballë tij, LSI po flirton thuajse hapur me PD-në dhe kjo e fundit ka zgjedhur ta kursejë Ilir Metën duke lëshuar kështu sinjale të dyshimta në distancë. Situata e re e krijuar në harkun e 48 orëve, por me një zanafillë më të hershme, praktikisht e ka futur në ankth qeverisjen e Ramës. Ai gjendet në udhëkryq mes tërheqjes zvarrë në mëshirën e Ilir Metës, nën moton “ta shtyjmë sa ta shtyjmë këtë histori”, ose një vendimi për të shkuar në zgjedhje të parakohshme. Zgjatja e kësaj dileme është njëkohësisht edhe zgjatje e mosqeverisjes së vendit. Në gjendjen e mosveprimit, kryeministri Rama ka mbetur si një peshk, uji i të cilit po shteron përditë.

Marrëdhënia e kryeministrit me Ilir Metën praktikisht quhet e thyer dhe ndarja për reformën në drejtësi vetëm sa e bëri më evidente këtë. Ajo kishte nisur që në prill të vitit të kaluar kur çështja hetimore në ngarkim të Kastriot Ismailajt u rihap përsëri dhe kur Ilir Meta kuptoi se aleati i tij i 23 qershorit mund ta linte në rrugë sapo t’i jepej rasti. Madje në atë kohë u përfol edhe për një marrëveshje të heshtur me PD-në për të goditur Metën dhe të gjithë e mbajnë mend se si afera CEZ u shndërrua në kauzë të opozitës, në rrugë dhe në parlament, duke kërkuar dorëheqjen e kryetarit të Kuvendit.

Edhe këtë herë, ka të ngjarë që rihapja e aferës Ismailaj, ta ketë nxitur e përshpejtuar qëndrimin e LSI-së. Duke përdorur reformën në drejtësi si një rast për t’u afruar indirekt me opozitën, mesazhi i Metës për Ramën nuk është më paralajmërues, por kërcënues. Jo më kot, mbledhjes së kryesisë së LSI-së i paraprinë shumë zëra pëshpëritës se ajo mund ta braktiste koalicionin me PS-në. Mediat pranë Metës, folën madje për qeveri teknike e zgjedhje të parakohshme. Nëse në krizën e parë me Ramën, Meta kishte kundër edhe PD-në, këtë herë kjo e fundit (jo pa kosto morale) ka zgjedhur të mos bëhet pjesë e lojës dhe të kundrojë në distancë aftësinë e kryeministrit Rama, për t’i dhënë zgjidhje problemit me aleatin e tij në qeveri. Në fakt PD e provoi në vjeshtën e kaluar, kur Rama u kthye nga SHBA dhe sfiloi në zyrën e Metës, se kryeministri nuk ishte i aftë për vendime të mëdha, por mbetej një lojtar i intrigave të vogla. Selektimi që tashmë po bën Lulzim Basha po ia shton edhe më shumë hezitimin dhe pasigurinë kreut të qeverisë.

Por edhe nëse merr guximin për të vepruar, për t’i thënë ndal lojës që po bën aleati i tij më i vogël, edhe me çmimin e zgjedhjeve të parakohshme, për Edi Ramën mund të jetë vonë. Ai e humbi rastin për ta bërë këtë kur ishte momenti i duhur. Sot, çdo vendim i tij do të dukej një detyrim dhe jo një zgjedhje. Një hall dhe jo qëndrim parimor. Ai madje e ka humbur të drejtën morale për të akuzuar LSI-në se po afrohet me PD-në, që kur e kaloi vetë i pari ylberin në 1 prill 2013. Ai po korr atë që ka mbjellë atëherë dhe atë që ka mbjellë në këto dy vjet. Për këtë nuk mund ta kërkojë më fajin te Saliu dhe as të ankohet për Ilirin. Tashmë është rritur për t’i marrë përgjegjësitë vetë dhe i ndërgjegjshëm për zgjedhjet që ka bërë.

"Mapo"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.