Një përvojë e vjetër europiane/Gjykatësi: “Unë ha çdo gjë”
Kohët e fundit po flitet shumë për gjyqtarë të korruptuar në Shqipëri. Për reformë në drejtësi, e për tërmete që do të shkundin nga vendi të keqen që e ka mbërthyer për fyti vendin. Do shpresuar përherë.
Por Drejtësia, për aq sa është e mundur në këtë botë, paraprihet edhe nga një traditë. Dhe tradita në Shqipëri ka disa tone: Kanunet janë më të hershmit, pastaj pleqësitë, më tej njihen ata që ndanin gjaqe dhe vendosnin për mosmarrëveshjet në Malësi. Edhe figurat e klerikëve kanë patur njëfarë roli. Shteti shqiptar i nisi udhën në fazën, pse jo si shkak, i degradit total të Perandorisë Osmane. Fundi është përherë periudhë e keqe. Një mendim e krijojmë nga thëniet që kanë mbetur si “Vetë Ali e vetë Kadi”, sa për të përmendur vetëm një. Groteskun maksimal Drejtësia, si allasoj i Drejtësisë bazuar në ligj, Shqipëria e njohu në fillimet e komunizmit, me të ashtuquajtura gjyqe popullore. Seanca ku konsensusi i duartrokitjeve ishte edhe vendimi popullor.
Përballë nesh si realitet dhe standard qëndron Europa e cila e ka lënë pas këtë fazë të padrejtësisë që është ngritur në institucion. Sesi e qysh, kjo është shumë komplekse, por jo përherë ka qenë kështu. Në imagjinarin kolektiv të Perëndimit të 1500-ës, gjykatësi është po ajo lubia e pangopur që kundrejt parasë vendos çdo gjë. Si në Shqipëri, ku nga pamjet që na shfaqen shpesh, gjykatës të njohur e të panjohur, janë të mbuluar me “verdhushka” luksi. Po si stigmatizohej gjykatësi në Europë përpara se aty të vinte rregull kapitalizmi? Ja disa skicime:
“...Në gravurën e famshme popullore, të përhapur në Francë dhe Gjermani, gjykatësi paraqitej si një shtresë e katërt: “Unë ha çdo gjë”, janë fjalët e vëna në gojën e tij. Një përrallë popullore gjermane e njohur mirë në këtë periduhë, përshkruante një gjykatës të pangopur, i cili, kur një prej viktimave të tij i tha, “Djalli të marrtë”, me të vërtetë e rrëmbeu nga Djalli. Një përrallë tjetër popullore ka të bëjë me gjykatësin që përpqiet të praktikojë pa gënjyer dhe ai dështon. Maska e Dottore tek Commedia dell’arte, nganjëherë i quajtur Dottor Grazian(sipas një gjykatësi mesjetar të kanunit, i cili jepte mësim në Bolonjë), e paraqet doktorin e ligjit si një budalla injorant, pedant, tendencioz.
Një numër fjalësh të urta ruse trajtojnë korrupsionin e gjykatësve: ‘gjyqi është i drejtë, por gjykatësi është i shtrembër’, ose ‘njeriu nuk mund t’i flasë gjykatësit në qoftë se ai është duarbosh’. Ka gjithashtu një damar të pasur dëshmie angleze për armiqësin popullore ndaj ‘gjykatësit dy gjuhë’, veçanërisht gjatë Luftës Civile. Lilbërni i quante juristët dhe gjykatësit ‘hajdutë cum privilegio’. Uinstanli deklaroi se ‘Ligji është dhelpra, njerëzit e varfër janë patat, ai shkul pendët e tyre dhe ushqehet me to’, dhe një këngë e Digerit përfshinte vargun ‘Kundër gjykatësve dhe kundër priftërinjve, ngrihuni tani’. Për të kuptuar këtë zemërim njeriu ka nevojë të kuptojë se sa i përhapur ishte gjyqi në periudhën e fillimit të Kohës së Re; zejtarët dhe fshatarët mund të kenë pasur përvojë personale me gjykatësit”. (Shkëputur nga “Kultura Popullore në Evropë në Fillimet e Kohës së Re”, Peter Burke, fq. 155-156).
Kuptohet që patat dhe dhelprat, sikurse edhe Djallin në duam, mund t'i zëvendësojmë me personazhe apo ilustrime më moderne. Thelbi, po ai.
Comments
E bukur, dhe shume e goditur
E bukur, dhe shume e goditur dicitura. Aktuale. Domethenese. Shprehese. Eshte e permbledhur nje filozofi e tere korupsioni. Eshte ta maresh, ta zmadhosh, e t'ja vendosesh Sali Berishes e Lul Bashes para zyre.
Add new comment