Kafsha më rezistente në Tokë me 17.5% të ADN-së të importuar. E vetmja që njihet se i ka mbijetuar edhe vakuumit hapësinor
Tardigrades, kështu quhet jovertebrori ujor që konsiderohet si gjallesa më e fortë dhe rezistente në Tokë. Të njohur ndryshe edhe si arinj të ujit, këto krijesa të vogla i rezistojnë temperaturave shumë të ulëta, periudhave të gjata të thatësirës, dozave të larta të radioaktivitetit dhe janë gjallesat e vetme(kafshët) të njohura deri më sot që t’i kenë mbijetuar edhe vakuumit hapësinor. Ku konsiston kjo aftësi “mbinatyrore” e mbijetesës? Sipas një studimi, Tardigrades kanë një sasi shumë të madhe – 17.5% të përbërë nga ADN e huaj. Një ekip që studioi një lloj të kësaj gjallese, Hypsibius dujardini, arriti në vëzhgimin se kjo e fundit ka në genonimin e vet këtë përbërje: pjesa më e madhe bakteriale(16%), kërpudhore (0.7%), bimore(0.5%), njëqelizore(0.1%) dhe virale(0.1%). Ky proces, pra transferimi i ADN-së së huaj, quhet transferimi horizontal i geneve, konsiston në kalimin e materialit genetik direkt mes organizmave në vend që ai të kalojë nga prindërit tek fëmijët. Një prej pjesëtarëve të ekipit kërkimor, Thomas Boothby, biolog në Universitetin e Karolinës së Veriut, deklaroi se “shumë kafshë shfaqin një shkallë të vogël të transferimit horizontal të geneve, përfshirë njerëzit. Por askund nuk vihet re kjo përmasë(gati një në 6 gene) si në rastin e genomit të tardigrades”. Ky konstatim vërtet i rrallë çon në implikime të mëdha edhe në konceptin e përgjithshëm të njeriut mbi hierarkinë e jetës në Tokë. “Kjo na tregon se në vend se të mendojmë për një Pemë të Jetës, ne mund të nisim të mendojmë më mirë për një web(faqe) të jetës, ku materiali genetik nga njëra degë, le të themi nga dega bakteriale, mund të kapërcejë drejt degës së kafshëve”, shtoi ai. Sesi ndodh ky transferim masiv genesh, Boothby jep një version: “Ndërkohë që qelizat thahen, ADN-ja e tyre ndahet në fragmente dhe membrana qelizore bëhet përkohësisht e rrjedhshme teksa rihidratohet. Kjo u lejon molekulave të mëdha si proteinave dhe fragmenteve të ADN-së së huaj që të kalojnë, akt pas të cilit fragmentet e ADN-së vetërregullohen. Ne mendojmë se teksa tardigrade riparon genomin e vet të dëmtuar, ajo mund t’i japë jetë sytheve të fragmenteve të huaja. Një faktor tjetër është riprodhimi aseksual i këtyre gjallesave”.
http://news.nationalgeographic.com/2015/11/151128-animals-tardigrades-wa...
Add new comment