Spital pa ngrohje, pacientë me ngrohëse me vete
Spitali i Librazhdit nuk ka ngrohje dhe pacientët marrin ngrohëse me vete nga shtëpia. Kështu raporton “Top-Channel” që shton se situata vijon e njëjtë prej tre vitesh. “Prej gati 3 vitesh, në Spitalin e Librazhdit nuk ka ngrohje. Pacientët mundohen të përballojnë temperaturat e ulëta të dimrit duke marrë ngrohëse me vete, por kjo nuk është e mjaftueshme, pasi edhe këto ngrohëse nuk u lejohet t’i mbajnë gjatë të gjithë kohës të ndezura. Jashtë kamerave, edhe personeli shprehet se e ka shumë të vështirë të punojë në të tilla kushte, kur temperaturat janë nën zero. Mjekët madje shtojnë se, në shumicat e rasteve nuk i shtrojnë të sëmurët për shkak të të ftohtit, duke u dhënë mjekimin në shtëpi, ose i rekomandojnë ata për në spitale të tjera më të afërta”, raporton TCh. Librazhdi nuk është në prioritetin e ndonjë qeverie, por ngrohja në spitale është një standard që tanimë duhet të ishte kapërcyer. Raste të tilla, që padyshim janë të trashëguara, shërbejnë për të kthjelluar çdo mendje se kjo që dëgjohet në Shqipëri, vështirë se dëgjohet gjëkund në Ballkan.
http://top-channel.tv/lajme/artikull.php?id=316396#k2
Add new comment