Kryeministër që bën tellallin

Postuar në 30 Dhjetor, 2015 00:52

Kryeministri Edi Rama doli vetë në një konferencë për shtyp për të njoftuar publikisht vendimin e qeverisë për shpërblimet e fundvitit. U paraqit para kamerave me një solemnitet që rezultoi në disproporcion me përmbajtjen e deklaratës që i komunikoi publikut.
Me dashje apo pa dashje, me vetëdije ose jo, kryeministri bëri rolin e zëdhënëses për shtyp duke lexuar mekanikisht një njoftim të Miistrisë së Financave për shpërblimet e pensionistëve, ish-kooperativistëve apo mësuesve të dalluar sipas analogjisë së "heronjve" të punës socialiste.
Themi bëri rolin e zëdhënëses pasi në konferencën për shtyp nuk u lejuan gazetarët, por vetëm kamerat, përballë të cilave kryeministri recitoi një tekst bamirësie për shpërblime që në fakt garantohen me ligji dhe që si kjo qeveri ashtu dhe ajo e kaluar i përgjysmuan dhe e katandisën kokoshin një thelë. Megjithatë kryeministri e prezantoi si një arritje të qeverisë së tij dhënien e 2 mijë lekëve për pensionistët dhe disa kategori të dalluarish të administratës, duke e përcjellë këtë njoftim si shprehje të fytyrës sociale të qeverisë.
Le ta quajmë vullnet pozitiv për të mos lënë fare pa gjë të moshuarit në këto kohë krizash që po kalon ekonomia, por rëndësia që kryeministri kërkon t'i japë një të drejte që përfitohet me ligj nuk ka pse shitet si meritë që do përçuar me krenarinë e një rilindje që medomes duhet ta shohim edhe kur nuk është asgjëkundi.
Edhe paraardhësi i tij Sali Berisha bënte të njëjtën gjë, ndonëse në një formë më të relaksuar duke e përfshirë çështjen e shpërblimeve në fjalimet që i paraprinin mbledhjeve të hapura të qeverisë. Ose duke "vënë" Jemin Gjanën dhe Eduard Halimin të "hanin pula live në mbledhje qeverie". Nuk është hera e parë që kryeministri bën rolin e zëdhënëses për shtyp, e ka bërë edhe me faljen pjesërisht të kamatvonesavevtë energjisë, vendim që doli sërish vetë t'ia komunikojë publikut.
Ky është kryeministri ynë, njofton ndarjen e lekëve të shtetit në konferenca shtypi, punë që dikur e bënte tellalli i fshatit. Kohët kanë ndryshuar dhe tellalli në Shqipëri ndoshta ka fituar një funksion primar, kjo edhe për meritë të Edi Ramës dhe eminencës gri në hije që përpunon marrëdhëniet publike të kryetarit të qeverisë, këshilltarit meritplotë Endri Fuga.

Comments

Submitted by Ndoc DUDASI (not verified) on

E vetmja gje qe i ka mbetur te beje, ZEDHENESIN e qeverise.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.