"Tv Klan" bën kronikë për kolaudimet dhe ministri vrapon "për një inspektim të papritur"
Që Shqipëria është një shtet kartoni, kjo dihet fare mirë. Por mënyra sesi kjo fatkeqësi verifikohet në përditësi, i shton dozën këtij perceptimi që po i bën shumë shqiptarë të ikin nga sytë këmbët. Sot Ministria e Transporteve, që drejtohet nga pëefaqësuesi i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Edmond Haxhinasto, njofton se ky i fundit ka bërë një inspektim të papritur në Prezë të Tiranës, aty ku ushtron aktivitetin konçesionari i kolaudimit. çfarë thotë njoftimi? "Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës Edmond Haxhinasto këtë të shtunë zhvilloi një inspektim të papritur në mjediset e pikës së kolaudimit të makinave në Prezë të Tiranës. Ministri Haxhinasto tha se nga kompania "SGS" që ka konçesionarin e kolaudimit, kërkohet performancë më e mirë. Ministri Haxhinasto theksoi se qytetarët duhen shërbyer më mirë, në pikat që ofrohet ky shërbim. Më tej ai i konsideroi si të papranueshme rradhët e gjata. Ministri Edmond Haxhinasto i bëri thirrje kompanisë "SGS", që të eleminojë fluksin e fundit të vitit. Ndërkohe Ministri Haxhinasto përsëriti apelin ndaj kompanisë, se kontrolli i automjeteve duhet të jetë një shërbim që u ofrohet qytetarëve gjatë gjithë vitit". Po të jetë vërtet kështu? Pyesim pasi vetëm disa ditë më parë, një kronikë e televizionit Top-Channel, raportonte situatë skandaloze, me radhë të gjata në zyrat e kolaudimit në Shkodër. Kronika kishte ankesat e njerëzve, por edhe një përgjigje cinike nga konçesionari: njerëzit i lënë pagesat për në fund të vitit dhe ndaj krijohet radhë. Nuk u pa e nuk u dëgjua që ministri Haxhinasto, i cili edhe në planin politik nuk kuptohet nëse ka menduar ndonjëherë vetë, të bënte një vizitë të papritur. As të bënte thirrje për performancë më të mirë. Pse reagoi sot ministri? E thjeshtë dhe banale: Tv Klan, që drejtohet nga Aleksandër Frangaj, të cilin nga i pari tek i fundit i qeverisë e kanë frikë se mos u qëndis ndonjë kronikë, bëri të njëjtën kronikë. Dhe e relizoi kronikën, e cila pasqyron një problematikë vërtet acaruese, në Prezë. Pra, Tv Klan dhe Frangaj i ranë bilbilit dhe Haxhinasto u bë i gjallë duke trashur një çikë zërin.
Pa keqdashje, por duke lexuar drejtpërdrejt atë që shohim, ky veprim është në fakt një hosana ndaj "Klanit" dhe jo një shqyrtim i problemit që hasin qytetarët. Thënë kjo, për të mirën e përbashkët do financuar "Tv Klan" për ndonjë kronikë të tillë, pse ministra si Haxhinasto vetëm kështu i mbushin poturet.
Add new comment