Hetim i dytë nga Prokuroria e Tiranës për ministrin Beqaj. KLSH gjen shkelje në tendera e konçesione

Postuar në 27 Dhjetor, 2015 12:36

KLSH-referon në prokurori shkelje të shumta për tenderët e ilaçeve të miratuara nga ministri. Krimet e Rënda po verifikojnë kryesisht drejtorët e Ministrisë së Shëndetësisë për procedurat e koncesioneve qindra miliona eurosh, ndërsa Prokuroria e Tiranës po verifikon një tjetër çështje ndaj zyrtarëve të Ministrisë së Shëndetësisë. Pak javë më parë, Krimet e Rënda filluan hetime me iniciativë për çështjen e pagëzuar tashmë “Beqaj”, ndërsa së fundmi, akuza e kryeqytetit ka marrë disa dokumente nga Kontrolli i Lartë i Shtetit për parregullsitë e zhvillimit të tenderëve. Burime nga akuza qendrore pohojnë për “Shqip” se aktualisht po zhvillojnë hetime të dyja Prokuroritë, ku ajo e Krimeve të Rënda do të hetojë drejtorët në Ministrinë e Shëndetësisë, për sa i përket dhënies me koncesion të disa shërbimeve publike, ndërsa Njësia Task Forcë po verifikon zhvillimin e disa tenderëve për ilaçet. Në të dyja këto çështje, ku e para ka filluar me iniciativë dhe e dyta me referim, prokuroria nuk ka regjistruar emra personash të hetuar, por vetëm me vepra penale: korrupsion dhe shpërdorim detyre.

Referimet e KLSH-së

Ditët e fundit, në Prokurorinë e Tiranës, kanë mbërritur disa materiale nga Kontrolli i Lartë i Shtetit për sa i përket zhvillimet të tenderëve të ilaçeve nga Ministria e Shëndetësisë. Të gjithë tenderët “kalonin” nga një numër i kufizuar drejtorësh, apo krerë të spitaleve, të cilët dyshohet se i kanë shkaktuar shtetit miliona euro dëme. Burime të konfirmuara nga Prokuroria e Tiranës pohojnë për gazetën “Shqip” se kanë filluar të verifikojnë këto materiale. “Çështja ende nuk është regjistruar me emra personash. Po verifikojmë materialet e KLSH-së dhe presim edhe disa shkresa nga institucionet e tjera, apo nga disa firma private. Pas analizimit dhe ballafaqimit të tyre me disa dëshmi, do të vendosim edhe për fazën tjetër të hetimeve” pohojnë burimet nga akuza qendrore. Të njëjtat burime pohojnë se janë në fazën e investigimit të procedurave të ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, të datës 21 prill të vitit 2014. Ai vendosi të modifikojë dokumentet e tenderit për barnat për sëmundjet tumorale, përfshirë edhe herceptinën. Veprimi u kundërshtua fuqishëm nga të gjitha kompanitë farmaceutike, ndërsa akuza thotë se ka dyshime për parregullsi, që mund të vërtetohen nga dokumentet që janë sekuestruar.

Hetimet me iniciativë

Akuza qendrore tha zyrtarisht disa javë më parë se ka filluar hetimet me iniciativë ndaj zyrtarëve të Ministrisë së Shëndetësisë, në bazë të disa ankesave publike dhe së fundmi të disa referimeve nga institucioneve të tjera. Objekti i hetimeve do të jenë koncesionet në shëndetësi. “Çështja është regjistruar me akuzat e korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës”, – pohojnë burime nga akuza qendrore. Akuza thotë se kanë filluar procedurat paraprake për të sekuestruar dokumentet në Ministrinë e Shëndetësisë, ku disa OPGJ kanë shkuar pranë zyrave të Beqajt për të marrë praktikat e koncesioneve. Në fokus do të jenë disa studime që kanë kryer zyrtarë të kësaj ministrie, apo edhe vendimmarrja e titullarit Ilir Beqaj, i cili ka miratuar dhënien e këtyre koncesioneve. Akuza thotë se fillimisht çështja është regjistruar pa emra personash të hetuar, apo të pandehur, dhe për rrjedhojë, nuk ka afate. Hetimet e mëvonshme pritet të përcaktojnë përgjegjësitë e secilit individ, të cilët do të merren në pyetje nga grupi hetimor.

Koncesionet e “Beqajt

Krahas Prokurorisë së Tiranës, që po heton tenderët e ilaçeve, Krimet e Rënda po verifikojnë prej disa javësh, apo kanë sekuestruar dokumentet, për dhënien e katër koncesioneve. Kupola e komisionit të tenderëve është objektivi parësor i grupit të punës, por nga hetimet nuk përjashtohen krerët e kësaj ministrie. Burimet shtuan se po shqyrtohen edhe denoncime të tjera, të bëra nga subjekte apo persona të ndryshëm, që kanë lidhje me Ministrinë e Shëndetësisë. Në dosjet që janë administruar nga prokurorët, do të shqyrtohen të gjitha lidhjet e mundshme mes ofertuesve dhe zyrtarëve të kësaj ministrie, pasi baza ligjore e nisjes së hetimeve ka të bëjë me dyshimet për korrupsion. Në lidhje me koncesionet, Ministria e Shëndetësisë e shpalli kompaninë “Evita” sh.p.k fituese të koncesionit për “shërbimin e hemodializës”, më 20 tetor të këtij viti. “Evita” sh.p.k është një kompani produktesh farmaceutike me qendër në Tiranë, me pronare të vetme Majlinda Fetiun dhe administratore Elona Saraçin, rezidente në Berat. Koncesioni do të ketë afat 10-vjeçar me vlerë 8,6 miliardë lekë, të cilat do të mbulohen nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor. Të dhënat e publikuara në APP tregojnë se në garën e koncesionit u përfshinë nëntë kompani, tre prej të cilave u skualifikuan në fazën fillestare, për shkak se nuk paraqitën ofertë. Një kompani që tregton duhan dhe alkool mori të drejtën e kontrollit shëndetësor për qytetarët e grupmoshës 40-65 vjeç dhe çmimi i paketës për një person do të jetë 1650 lekë. Ministria e Shëndetësisë, nëpërmjet një komisioni, ka shpallur si fitues të koncesionit me afat 10-vjeçar kompaninë “Marketing & Distribution”. Më 21 prill të vitit 2014, ministri Beqaj vendosi të modifikojë dokumentet e tenderit për barnat për sëmundjet tumorale, përfshirë edhe herceptinën. Veprimi u kundërshtua fuqishëm nga të gjitha kompanitë farmaceutike./Shqip

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.