Mjekët nuk joshen as me 100 mijë lekë shtesë page, vetëm 7 pranojnë të punësohen në rrethe
Bonusi i ofruar nga qeveria për mjekët që do të pranonin të punonin larg qendrës së tyre të banimit, nuk ka dhënë rezultatet e pritura. Burime nga ministria e Shëndetësisë i thanë gazetës Panorama se vetëm 7 mjekë kanë firmosur deri më tani kontratën, ndërkohë, veç tyre, janë edhe 4 kërkesa të reja që kanë mbërritur dhe po merren në shqyrtim.
Ministria e Shëndetësisë kishte planifikuar të mbushte mungesat për 200 pozicione vakante në spitalet rajonale dhe bashkiake, Duket se bonusi prej 100 mijë lekësh që do të ishte shtesë mbi pagën mujore për mjekët, të cilët do të vetofroheshin, nuk i ka joshur mjaftueshëm këta të fundit.
Kjo nxitje erdhi për shkak të nevojës për mjekë të përgjithshëm dhe specializantë në rrethe, kryesisht në zonat e thella të vendit. Ministria e Shëndetësisë e konsideroi me rëndësi këtë vendim, sepse, vetëm nëpërmjet tij mund të mbusheshin nevojat që paraqiten sot. Madje, u tha se jo të gjithë mund të shkonin dhe se numri do të ishte i limituar, duke mos e tejkaluar shifrën 200. Por kur kanë kaluar 6 muaj nga lançimi i nismës, duket se shifrat janë ende shumë larg pritshmërive të ngritura.
Shqetësimi për mungesën e mjekëve specializantë është ngritur në mënyrë të vazhdueshme edhe nga ministri Beqaj. Në këtë mënyrë, qeveria e pa të udhës të shumëfishonte bonusin mujor për ata që do të pranonin që për një periudhë të caktuar kohe të shërbenin aty ku kishte deficiencë, por nisma nuk dha efektet e duhura.
Add new comment