Shkrepje bosh nga qeveria. Gjykata Kushtetuese rrëzon nismën e Tahirit për armëmbajtjen pa leje
Nismat e vitit të kaluar të Ministrisë së Brendshme për të ashpërsuar dënimin e personave që arrestohen për veprat penale të armëmbajtjes pa leje, cilësohen si antikushtetuese. Është ky vendimi më i fundit i Gjykatës Kushtetuese, e cila rrëzon në këtë mënyrë qeverinë për shtimin e masës së dënimit për rastet e mbajtjes pa leje të armëve dhe eksplozivit nga 5-8 vjet burgim dhe në rrethana cilësuese nga 15-20 vjet burgim, kur eksplozivi mbahet, transportohet për qëllime kriminale. Duke u nisur nga fenomeni shqetësues i asaj kohe, që kishte të bënte me krimet e organizuara përmes vendosjes së një serie tritoli në vend, më 26 mars të vitit të kaluar, ministri Saimir Tahiri bëri publike nismën e institucionit që ai drejton dhe vendimin e qeverisë në kuadër të luftës së këtij fenomeni, duke deklaruar se këto masa janë të domosdoshme, duke argumentuar se do të ulë kriminalitetin në vend. Por trupa gjyqësore e Gjykatës Kushtetuese, me vendimin e datës 10 dhjetor, bëri me dije shfuqizimin dhe ndryshimet e bëra gjatë vitit 2013 e 2014 nga qeveria, e cila rriti marzhin e dënimit për rastet e armëmbajtjes pa leje. Bazuar në këtë vendim të cilësuar si antikushtetuese, i lind e drejta çdo personi të dënuar me ndryshimet e reja, të kërkojë rigjykimin e tij, për shkak se është dënuar me një vepër penale, që tashmë është cilësuar si antikushtetuese.
Add new comment