PD: Kreu i PS-së Shkodër, një person që ka kryer vrasje. PS: Vrasja për vetëmbrojtje dhe me armë me leje

Postuar në 20 Dhjetor, 2015 14:08

Partia Demokratike vijon të denoncojë raste të përfshirjes së njerëzve me precdentë kriminalë në përfaqësimin e Partisë Socialiste. Në një deklaratë për shtyp sot, kreu i Departamentit të Rendit dhe Sigurisë në PD, Enkelejd Alibeaj, ka denoncuar rastin e degës socialiste në Shkodër. “Edi Rama po vazhdon paktin me krimin, duke inkriminuar të gjitha hapësirat që nuk i mbulon dot ligji. Ai ka emëruar në krye të Partisë Socialiste në Shkodër, një bandit të njohur, një autor vrasje. Edi Rama ia ka besuar partinë socialiste në këtë zonë, Martin Cubit, i cili kur ishte kryetar komune, me 27 prill të vitit 2009, ka vrarë një shtetas. Ky person problematik, njihet nga të gjithë për aktivitetin kriminal dhe për rrezikshmërinë shoqërore që paraqet. Partia Demokratike shpreh bindjen se dhe socialistët e ndershëm do të refuzojnë me përbuzje kthimin e forcës së tyre politike në inkubator të krimit”, tha Alibeaj që ka deklaruar se protesta vazhdon nesër paradite.

Reagimi i PS-së

Pas akuzave të PD-së për caktimin si kryetar të degës së PS-së në Shkodër të një personi që ka kryer vrasje, ka reaguar PS-ja. Përmes një deklarate partia kryesore në qeverisje deklaron se Martin Cubi ka qenë viktima e një agresioni dhe se ka përdorur për vetëmbrojtje një armë me leje. “Shtetasi Martin Cubi, në cilesinë e Kryetarit të Komunes Pult nuk ka qenë agresori, por viktima e një sulmi të rëndë fizik ndaj tij, gjatë periudhës kur ushtronte detyrën në vitin 2009. Si rezultat i sulmit, Martin Cubi ka mbetur i plagosur dhe ka përdorur një armë të regjistruar, me leje, për t'u vetmbrojtur.  Qoftë vendimi i gjykatës në shkallën e parë, qoftë vendimi i formës së prerë në apel e kanë nxjerre ish Kryetarin e Komunës të pafajshëm, duke konfirmuar faktin se arma ka qenë me leje dhe është përdorur vetëm për qëllime vetmbrojtëse. Për më tepër, është e pavërtetë që personi në fjalë është emëruar në krye të Partisë Socialiste Shkodër. Ai mban detyrën e koordinatorit të PS-së si ish- komunar i Shkodrës dhe ka qenë fitues në disa zgjedhje lokale si Kryetar Komune.  Partia Demokratike, atëherë në krye të ekzekutivit shqiptar, kishte të gjitha mjetet ligjore për ta shkarkuar Kryetarin e Komunës nëse pretendimet e Alibeajt do kishin qenë të vërteta. Në emër të Partisë Socialiste të Shqipërisë, Kryetari Edi Rama, ka kënaqësinë ta ftojë Partinë Demokratike dhe të gjjtha partitë e tjera që të marrin shembullin e PS, e cila në procesin e brendshëm zgjedhor në parti do të zbatoje Ligjin e sapovotuar me konsensus për Integritetin e Figurës së çdo të zgjedhuri dhe çdo punonjësi të administratës publike ose, siç ka dëshirë ta quajë Partia Demokratike për Dekriminalizimin”, thuhet në deklaratë.

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.