“Ta pastrojmë PS-në”...nga armët me leje
Akuzat dhe kundërakuzat që dy partitë kryesore në vend i bëjnë njëra-tjetrës për përfshirje të elementëve me probleme me ligjin në politikë po shkon disi larg. Po vë seriozisht në diskutim mundësitë që sistemi të rigjenerohet me prezencën e tyre aty, ndërkohë që askush nuk besohet më se e ka seriozisht kauzën e dekriminalizimit. Ajo që ndodhi sot është ilustrimi më i mirë. Paradite Partia Demokratike akuzoi se kreu i degës së PS-së në Shkodër, Martin Cubi është një vrasës, i konstatuar i tillë në vitin 2009. Reagoi PS-ja me një deklaratë përmes së cilës “sqaronte” opinionin se Cubi e para nuk është kryetar dege, por koordinator për shkak se ka qenë kryetar komune, pra për shkak të detyrës, jo i zgjedhur dhe e dyta se Cubi kishte vrarë në vetëmbrojtje me një armë me leje. Grotesku vazhdon kur PD-ja reagon sërish me një deklaratë në të cilën rihap kartelën e vrasjeve kur akuzon me anë të tri pyetjeve për kryeministrin që janë:
“Përse zgjodhe t’i përfaqësosh socialistët e ndershëm të Shkodrës me një person të mirënjohur si problematik e që ka kryer me dorën e tij një vrasje, ndërsa ai mund të ishte një mjek, një inxhinier, një jurist, profesor, një mësues, apo një person me integritet që këtij qyteti nuk i mungojnë?
A keni dijeni së vëllai i madh i Cubit që i keni besuar partinë në Shkodër ka vrarë një sportist në këtë qytet, dhe vëllai i vogël ka vrarë dhe e kanë vrarë?
Meqë e keni kaq përzemër Cubin, a mund ti thoni publikut z.Rama, me çfarë shume e bleu ai pafajësinë pas vrasjes, me 70 mijë apo me 80 mijë euro?”(http://www.mapo.al/2015/12/ps-tha-se-kreu-i-saj-ne-shkoder-beri-vetembro...).
Absurdi arrin kulmin.
PS-ja dhe kryeministri kërkon me ngulm ta cilësojnë qartë se procesi që trajtohet pas këtyre rasteve nuk është “dekriminalizim”, por ripërcaktim i kritereve për integritetin. Një lojë fjalësh që provon deri diku kompleksin dhe pështjellimin që sjell me vete termi “dekriminalizim”. Në rastin e Cubit, pretendimi për “integritetin” në vend të dekriminalizim, është shumë i lartë, pasi po të besojmë PD-në, zotëria ka edhe dy vëllezër problematikë. Mund të pyetet me të vërtetë sesi ka mundësi që persona të tillë përfshihen në drejtim degësh të një partie si PS? Është e vërtetë se ka deputetë të PS-së që kanë pranuar se bashkëpunimi me të fortët ishte i domosdoshëm për të rrëzuar Berishën, por sot jemi dy vjet e gjysmë pas marrjes së pushtetit dhe kërkohet që turi “Ta pastrojmë Shqipërinë” të kalojë njëherë edhe nga partia.
Absurdi arrin kulmin edhe për një fakt tjetër: Në reagimin e vet, PS-ja mbrohet me vendimin e gjykatave që e kanë nxjerrë në dy shkallë Cubin të pafajshëm. Por sa vlerë morale e politike, sa Integritet tregon këtu partia që qeveris vendin, kur është po kjo dhe kryetari i saj në vetë të parë që i cilëson Gjykatat si Bandë e Korruptuar? Logjika dhe serioziteti para opinionit e kërkon që të ruhet një fije kohezioni dhe serioziteti. Këtu nuk po flasim për vlerën juridike të vendimeve, por për standardin e dyfishtë të PS-së.
Duke parë këtë rast të freskët, që na kujton edhe njëherë të gjithëve sesa fatkeqë jemi që drejtohemi nga kjo politikë, nuk mund të mos na shkojë në mendje te qëndrimet e kryeministrit Edi Rama. Në Grupin Parlamentar të tij pati njerëz me precedentë penalë që u denoncuan pas një ngjarjeje në Parlament. Edi Rama heshti, mohoi, devijoi, por në fund pranoi të miratonte ligjin. Pranoi në dritën e kartelave penale, të akuzave për vrasje dhe intrigave politike që dolën sheshit. Pranoi pas ngjarjes së Patokut ku u përfshi deputeti Armando Prenga që nuk hezitoi të qëllonte me armë pa leje siç pretendon Prokuroria. E megjithatë kryeministri ka gjetur një mbrojtje që nuk është shumë serioze: “Në momentin që u kandiduan nuk kishin probleme”. Mund të jetë e vërtetë, por që ishin persona problematikë disa prej tyre, ky është një informacion që mund të merret lehtë. Dramatike bëhet situata kur sheh se kush janë deputetët që zëvendësojnë të larguarit: personazhe unikë, pa arsimin e duhur, gjithë një taborr antiberishistësh momentalë të integruar në kiminë politike të Rilindjes. Një rilindje me radioaktivitet të lartë. Një Rilindje e cila prodhon përditë rilegjitimim të Sali Berishës dhe pushtetit të tij, për shkak se erozioni i gënjeshtrës, paaftësisë në qeverisje, gafave dhe mungesës së transparencës, në fillim relativizoi Saliadën 8 vjeçare, megjithë Gërdec e 21 janar, për të ardhur në një rrugë qorre, ku shoqëria nuk ka më alternativë.
PS-ja është përfshirë në një proces hapjeje dhe reformimi. Do të ishte e domosdoshme që ky të ishte një proces i vërtetë, real, pasi me qeverisjen kjo parti e mbylli kapitullin e suksesit. Të paktën të shpëtohet ajo që mundet.
s.z
Add new comment