Kjo nuk është ekonomia që duam
Që ekonomia është futur në një ngërç, kjo tashmë është e dukshme dhe ata, që thonë të kundërtën, e bëjnë thjesht për të “kryer detyren” dhe duket qartë edhe publikisht që as vetë nuk e “gëlltisin” dot atë që mbrojnë.
Të gjithë treguesit e muajve të fundit flasin për tkurrje të konsumit, stepje të investimeve, të reflektuar në frenim të kreditimit të bizneseve, largim të depozitave, mungesën e investimeve të reja të huaja (dhe kërcënim për largim të atyre ekzistues, që do të kishte pasoja të paimagjinueshme tek investitorët potencialë), që kanë sjellë një ngadalësim të qarkullimit të parasë në ekonomi. Për t’i vënë kapakun, qindra mijëra njerëz të pashpresë janë larguar ose duan dëshpërimisht të largohen nga vendi një orë e më parë.
Arsyet e kësaj situate janë të thella. Ato lidhen së pari me zhvillimin e paorientuar dhe spontan të pas tranzicionit, që pas 25 vitesh nuk po prodhon burime të qëndrueshme të rritjes. Së dyti, pas 2008-s, e gjithë bota u zhyt në një krizë globale, që na largoi nga ritmet e larta të rritjes prej 7-8% që ishim mësuar të shihnim deri atëherë. Së treti, pothuajse nga të gjitha qeveritë e pas ‘90-s kanë munguar, si vizioni për të ardhmen ekonomike të vendit, ashtu edhe strategjitë e zhvillimit dhe politikat orientuese dhe kjo e fundit po dështon në mënyrë spektakolare të jetë e ndryshme prej tyre. Së katërti, agresiviteti me të cilin u konceptua dhe u zbatua aksioni anti-informalitet, në vend ta shëronte e dobësoi dhe më tej ekonominë e sëmurë dhe ka krijuar një ndjenjë pesimizmi, mosbesimi e deri frike tek bizneset, që po reflektohet dukshëm tek investimet.
Duket sikur ekonomia ka hyrë në një tunel të errët dhe dalja, nëse ka një të tillë, është mjaft larg. Burimet e rritjes, që e kanë shtyrë atë deri këtu ku ka arritur, kanë shteruar dhe ekonomia ka nevojë dëshpërimisht për stimuj të rinj. Pyetja 1 milion dollarëshe është ku do të gjenden ato, nga do të vijnë investimet e reja, por një pyetje më e vështirë akoma është se në ç’drejtim do të duhet të orientohen ato?
Një vështrim i listës së kompanive më të mëdha dhe më fitimprurëse ne vend (shiko shkrimin në brendësi për 100 sipërmarrjet më të mëdha sipas fitimeve) nxjerr në pah dobësitë strukturore të ekonomisë tonë.
Përveç një grushti kompanish dhe institucioneve financiare, lista është shumë e luhatshme nga viti në vit. Në rastin më të mirë, kjo flet jo mirë per vetë kapitalizmin shqiptar, por pa dyshim edhe për një amatorizëm në drejtimin e zhvillimit ekonomik, që ka sjellë një dështim tepër evident në krijimin e një baze ekonomike të shëndoshë, në të cilën do të mbështetej një ekonomi tregu funksionale dhe e aftë të prodhojë mirëqenie, si dhe një situatë fiskale, që do të mund të mbështeste krijimin dhe funksionimin e një shteti modern në modelin e demokracive të stabilizuara europiane.
Mungojnë bizneset përpunuese, teksa vendi vazhdon të importojë dhe produkte bazë që me pak investime mund të prodhoheshin në vend e për më tepër nuk duken shenja të ndonjë politike të vazhdueshme, që do të synonte një gjë të tillë.
Fenomeni, që shfaqet gjithmonë në momentet e rotacionit politik, se me ndryshimin e qeverisjeve, disa kompani zhduken nga lista, për t’ia lënë vendin të tjerave, flet qartë për një pilotim politik të aktivitetit ekonomik, që është i lidhur me fenomene mbizotëruse si klientelizmi dhe korrupsioni.
Koncesionet po i zënë përfundimisht frymën këtij vendi, teksa në vite kanë dëshmuar që gjenerojnë fitme të larta dhe shërbime të varfëra. Çuditërisht, ata që i kundërshtuan për vite me radhë janë bërë mbështetësit më të fuqishëm të këtij modeli “të pakërkuar”. Dhe pikërisht për shkak të marzheve të larta, afateve të gjata për të cilat janë në fuqi dhe të garancive ligjore që iu jep procedura administrative e aprovimit të tyre, vijojnë të mbeten biznesi më i lakmuar për momentin dhe fatkeqësisht edhe modeli i vetëm që po arrin të prodhojë qeverisja rilindase.
Sipërmarrjet që prodhuan normat më të mëdha të fitimit në 2014-n ishin lojërat e fatit, një zhvillim i trishtueshëm ky në një vend që kërkon dëshpërimisht t’i largohet së kaluarës dhe varfërisë dhe të shohë para në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Europian. Në mënyrë shumë sintetike ky fakt tregon se një pjesë gjithnjë e më e madhe e popullsisë nuk po shikon shpresë për rritjen e mireqenies tek pjesëmarrja aktive në ekonominë e tregut, por tek një “mrekulli” apo një “shans” në ruletën e kazinosë.
Monitor
Comments
eh mor derman
Ti mire e ke ne kete shkrim me fakte. Po kjo eshte ekonomia qe duan keta tipat ne foto keshtu qe kot leh ne kete shkrim. Asgje e vecante thjesht ceshtje interesash.
Merre me mend kur nga te tre
Merre me mend kur nga te tre aktoret e mesiperm dy kane vetem formimin arithmetik te tetevjecares. Shteti nuk behet vetem me deshire. Ciao
Add new comment