Shënim: Bregdetin e Jonit nuk e prishën “alpinët e Saliut”

Postuar në 15 Dhjetor, 2015 22:14

Incidenti i kryeministrit në Sarandë për pronarë që kanë zaptuar tokat në bregdet e që janë me origjinë nga Veriu bëri njëfarë buje në Tiranë. Ajo i dha edhe një material ditor opozitës për të dalë e për të folur për cenet e panumërta të këtij njeriu që paska zaptuar detyrën e lartë ekzekutive. Por çfarë tha Edi Rama e që në rrjete sociale u cilësua si racizëm? “…mbi 50 mijë hektarë janë të identifikuara si të grabitura nga persona që figurojnë pronarë dhe që detin Jon e kanë parë për herë të parë pasi fitoi Saliu pushtetin, për herë të parë në historinë e fisit të tyre”, tha ndër të tjera ai. Vendi prej nga ku zgjodhi të prekte çështjen e pronës është i gjetur: Saranda është toka e shpartalluar e një eksperimenti të kultivimit të kaosit dhe shkatërrimit. Ndaj të shtrosh këtë problem aty është e mirëpritur.

Por sa mund të fajësohen për këtë të ardhurit? Të ardhurit kanë një pjesë të përgjegjësisë, pasi edhe pse shteti, apo pushteti, të ka hapur derën që të livadhisësh, ne shqiptarët kemi aq komb që na lidh: se zakoni jonë tej e tej territorit, nuk na e lejon që të ndërtojmë shtëpitë buzë varreve të tjetrit. Se nuk bëhet ahengu dhe adeti aty ku tjetri vjen e qan të vetët. Sikurse nuk bëhet shtëpia në zona depresioni, në gjurmë përroi e lumi, nuk betonizohen tokat e bukës etj..Po kjo gjë iku tani dhe ata që zaptuan toka, qoshe e zgëqe ku dikur mbinte sherebeli i “kërryen binanë” logjikës dhe traditës. Puna është se kjo kategori, për aq sa është Deti Jon me gjeografinë që e di e gjithë bota, nuk janë të Saliut. As nuk vijnë nga Alpet. Nuk e kemi fjalën për ata që kanë blerë prona, sepse kjom është një e drejtë e patjetërsueshme, por për ata që krijuan zonat informale. Deti Jon nis për Shqipërinë nga Kepi i Gjuhëzës në Karaburun e përfundon në Kepin e Stillos në Sarandë dhe në këtë hapësirë, Alpinët e Saliut – një përcaktim ky simptomatik i Tiranës së Bllokut – mund të identifikohen në një numër minimal në Borsh dhe një fshat në Sarandë që quhet Shëndëlli.

Alpinët që i vunë shkrepsen bregdetit, nga Saranda e deri në Dhërmi, por sidomos në Sarandë e në Ksamil, janë "alpinë të PS-së", nga fshatrat e Tepelenës, të Gjirokastrës, apo edhe të Skraparit. Janë alpinë që z. Rama duhet ta dijë se kanë ardhur në bregdet kur i Plotfuqishëm aty ishte shoku Gramoz Ruçi, i cili njësoj si z. Skënder Gjinushi, edhe në vitin e socialistizuar 1997, nuk arritën të fitonin dot në zgjedhjet parlamentare në Sarandë e në Vlorë, përveçse në balotazh. Zgjedhjet e fundit në Sarandë provojnë se kandidati i PD-së fitoi në qytet, por humbi në Ksamil e në lagjen “Baba Rexhep” që tubon këto komunitete të ardhurish. Dhe kjo zgjedhje tregon shumë për ndarjen e madhe që ekziston si pasojë e kësaj politike.

Himara kundërshtoi ndarjen e re territoriale që e sjell votën e Vranishtit dhe Kuçit e një pjese të Labërisë në vendimmarrjen e bregdetasve. Dhe kjo është politikë që ka nga pas “kapedanin e Qeparoit” Koço Kokëdhima dhe një histori të lavdishme të PS-së si “parti atdhetare”. Me siguri që nga “mësimet e shokut Enver” tani kjo parti po modernizohet për të bërë të vetat mësimet e Nilo Katalanos.

Pse ka rëndësi të mbahet në vëmendje budallallëku i Edi Ramës në këtë rast? Sepse pa dashje ka zbuluar përveç paragjykimeve të veta, që gjithsesi janë njerëzore, se politika e “gogolit Sali” vijon të luhet nga PS-ja në Jug. Diku nga viti 1994, në cilësinë e ish-Presidentit, Berisha tha se kompensimi i pronarëve do të bëhej në Bregdet. Ky mesazh u lexua si organizim i migrimit dhe në Bregdet u bë ndarja e pronave të lira për banorët. Ky migrim nuk ndodhi kurrë, por ndodhi ai tjetri që shpërfytyroi demografinë e zonës, me të ardhur nga prapatoka e Jugut dhe Kurveleshit. Dhe që sot janë pronarë e ndikojnë në vendimmarrje. Këtu nuk po flasim për pronat e mëdha të akaparuara nga pushtetarë apo dorëzanë të tyre si rasti i një hoteli të njohur i përuruar para disa kohësh e ku morën pjesë edhe deputetë. Por për atë politikë e cila u ndërtua me “frikën e ardhjes së malokut” dhe që vijon edhe sot, ndonëse shkatërrimin në atë zonë e sollën farefisi politik i Edi batutaxhiut.

s.z

 

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.