Në protestë njerëzit i nxjerr qeveri(sj)a
Partia Demokratike ka paralajmëruar se do të zhvillojë një protestë ditën e enjte përpara selisë së Parlmentit, ndërkohë që deputetët e saj do të protestojnë brenda. Ideja dhe realizimi nuk janë risi për Shqipërinë pluraliste, që ka parë nga plumba në Parlament e deri bilbilë, vuvuzela apo edhe kapërcime tavolinash. Nuk përbën risi as qëndrimi i ambasadorëve kryesorë në Tiranë, që tashmë e kanë ekspozuar veten se mbi të gjitha kanë si kryesore, axhendat shtetërore që kanë mësuar t’i fshehin pas pretendimeve dhe apelit për standarde. Në përputhje me detyrat funksionale, ambasadorët që janë përfaqësues të një shteti pranë një shteti tjetër, e kanë prioritare që të mbajnë marrëdhënie sa më të mira me qeverinë pritëse.
Por edhe qëndrimi i pushtetit ndaj paralajmërimit për protestë nuk është aspak i ri dhe i ndryshëm. Vetëm sot, deputetë të PS-së, apo njerëz afër saj si Spartak Ngjela, kanë folur me shqetësim për gjuhën e ashpër dhe kategorike të deputetëve opozitarë që kanë lënë të kuptohet se protesta do të jetë e tonifikuar mirë. Pra reagimi verbal në shesh nuk përjashton përshkallëzim. Përfaqësues të PS-së po përpiqen që këtë qëndrim ta përcjellin si shprehje të mentalitetit të dhunës që PD-ja përfaqëson, si mungesë kauzash, si mënyrë për të shmangur reformën në drejtësi dhe pra bërjen e drejtësisë, duke kërkuar të identifikojnë protestën në vetevete me axhendën e Sali Berishës. E vetmja risi në këtë aspekt është heshtja e Ilir Metës dhe LSI-së për protestën.
Mirëpo kjo simetri e përsëritur ka prirjen të mbulojë disa elementë që janë thelbësorë në vendimin për të protestuar, vendim që pajton analizën politike me intuitën rreth situatës. Sot në fjalën e tij përpara Grupit Parlamentar, kryetari i PD-së, Lulzim Basha, ka trajtuar si argument kryesor ekonominë dhe pasojat e politikave qeveritare në këtë drejtim. “Projektbuxheti i fundit i plotë i kësaj qeverie dhe akti i fundit që konfirmon të zezë mbi të bardhë se po t’i lëmë do ta bëjnë akoma më zi, do ta bëjnë akoma më keq seç e kanë bërë deri me sot, e për të cilin kemi dhënë alarmin dhe kemi propozuar zgjidhjen: largimin e qeverisë Rama-Meta, krijimin e një qeverie teknike që do të përgatisë zgjedhjet e reja parlamentare... Deputetët tanë do të argumentojnë në foltoren e Kuvendit pse ky është projektbuxheti i varfërisë dhe recesionit më të thellë, pse paketa fiskale është një përpjekje e mjerë për të qepur interesat e kontrabandistëve të oborrit qeveritar...Me ketë bindje qytetarët para Parlamentit do të vijojnë protestat dhe aktet demokratike paqësore për largimin e qeverisë Rama-Meta, jo vetëm për shkak të dështimeve të saj spektakolare në raport me premtimet elektorale, por mbi të gjitha sepse kjo është tashmë një qeveri e rrezikshme, një rrezik në veprim për të gjithë, siç është një virus, siç është një pandemi”, tha Basha.
Kauza e opozitës, edhe sikur formale, është në fakt kauza e përditshme e çdo qytetari: ekonomia. Pavarësisht sesa qytetarët përfaqësohen apo identikikohen me PD-në.
Ekonomia e cila nuk është mirë, treguesit e saj nuk janë përmirësuar, ndonëse qeveria sheh dhe paraqet një tjetër realitet. Është një situatë komplekse në krijimin e së cilës ka padyshim dorë dhe përgjegjësi kjo mazhorancë me vendimet e veta. Është polarizimi gjithnjë e më i dukshëm i shoqërisë që krijon klimë të rënduar; është shpërndarja e investimeve për mobilim, rikonstruksion dhe makina të reja. Është papunësia që detyron shqiptarët të mendojnë ikjen, sikurse pandëshkueshmëria e cila ka diferencuar një kupolë të ardhur përherë e më shumë në pasurim që nga viti 1991. Një kupolë që afirmohet te disa qeveritarë të tanishëm, përfshirë kryeministrin me një arrogancë që nuk kapërdihet dot kollaj.
Një qeveri do të kritikohet përherë, pasi ndoshta ky është thelbi dhe përkufizimi i sistemit. Por dalja në protestë është diçka më shumë: është një hap që aktualizohet kur fjala e ka të vështirë të hapë dyert aty ku teorikisht do të duhet të rregullojë përfaqësimin.
Në kushtet e një strukturimi të shoqërisë që shkon paralel me përkeqësimin e ekonomisë, problemet sociale vijnë e marrin përherë e më shumë peshë politike. Ndaj një qeveri e vitit 2015 e ka për detyrë të jetë shumë më e dëgjuar dhe shumë më reflektive ndaj kërkesave apo edhe ankesave sesa një qeveri e vitit 2002. Kjo qeveri që është votuar dy herë me nga një milion vota dhe ka ardhur nga një opozitarizëm protestash, e ka edhe më shumë për detyrë që të kuptojë dhe të pranojë publikisht se është ajo vetë që i ka krijuar dhe nxitur protestat. Se është paaftësia e saj e rrokshme tanimë nga shumëkush, që po rifaktorizon një opozitë që edhe vetë nuk e ka pritur këtë gjë. Ndaj të kërkosh sot tek protesta vetëm axhendat destruktive të një njeriu, do të thotë të ripërsërisësh si bindje se gjërat janë mirë, por është ky njeri që vazhdon të na prishë punë e të turbullojë ujin. Kjo tezë është mjerane për një mazhorancë të blinduar me 86 vota dhe me projekte si Rilindja. Një ekip që nuk kupton dot mandatin që ka marrë dhe forcën që i është dhënë, është mirë të largohet, pasi një qeveri që merret me llafe si hyn në punë kujt. As një qeveri që justifikohet dhe që zvarritet.
s.z
Add new comment