Kur hyhet në pyll pa sopatë!

Postuar në 15 Dhjetor, 2015 15:38
Prof. dr. David Luka

(Një “buletin shkencor”, që vazhdon të mos jetë “shkencor!”)

Në veprën “Studime gjuhësore” XIII (2011), pata botuar një artikull me titull “Buletin Shkencor” i Universitetit të Shkodrës ‘L. Gurakuqi’ në numrin 60 të tij”, që niste kështu: Numri i parë i “Buletinit shkencor” të Universitetit të Shkodrës (në atë kohë quhej ‘Instituti i Naltë Pedagogjik Dyvjeçar’), është botuar më 1957. Tirazhi, 1000 kopje. 10 vjet më vonë (1967), tirazhi ishte 700 kopje. Në vitin 2007, 150 kopje. Në vitin 2010, në numrin 60 të tij, tirazhi zbriti në 110 kopje. Pasqyra e mësipërme nuk ka nevojë për koment.

Duke u përpjekur të vërtetoj që “Buletini” nuk është revistë kuriozitetesh, ku mund të shkruajë kushdo e çfarëdo; pata sjellë si shembull artikullin “Gabriel Anseja për lashtësinë e gjuhës shqipe dhe të popullit shqiptar”. Artikullshkruesi donte të na vinte në dijeni se Anseja në shkrimet e veta “… mbron teorinë se legjendat për perënditë dhe heronjtë e mitologjisë mbështeten në pjesë të madhe në lojë fjalësh, ose si thuhet zakonisht tek etimologji të rrema ose etimologji popullore …” Tanimë, edhe studentët e universitetit e dinë se “lodrat e fjalëve” dhe “etimologjitë popullore” nuk janë shkencë. Është pikërisht kjo edhe arsyeja që, megjithëse Anseja u dërgoi letra, përveç të tjerëve, edhe prof. E. Çabejt, ai asnjëherë nuk mori përgjigje prej tyre.  Dhe s’kishte si të ndodhte ndryshe. G. Anseja hyn në radhën e atyre gjuhëtarëve që i përkisnin fundit të shek. XIX dhe që mbronin teorinë e prejardhjes pellazgjike të gjuhës shqipe, tanimë tërësisht e tejkaluar. Argumentet e tyre qenë e vazhdojnë të jenë edhe sot joshkencore, duke mos iu nënshtruar zhvillimit të kësaj shkence deri në ditët e sotme. Pra, të vjetër e të vjetruar. Anseja ngjan të jetë një ndër përfaqësuesit më modestë të kësaj teorie.

Për të vërtetuar jo vetëm inkompetencën e një artikullshkrueseje e, gjithashtu, pakujdesinë e palejueshme të recensentëve, unë pata marrë si shembull shkrimin me titull “Fjalësi i Bogdanit në fjalorin e Bashkimit”, ku lënda e përzgjedhur nuk përbënte objekt studimi. Autorja e këtij artikulli, duke qenë e re në moshë, ngjan nuk kishte as përgatitjen, as njohjen e plotë të lëndës të cilën trajton në shkrimin e saj e as përvojën, së bashku me metodën, të domosdoshme për punime të kësaj natyre. Në përmbyllje pata theksuar se vërejtjet e mësipërme besoj mjaftojnë për të nxjerrë përfundimin që ky artikull, kështu siç paraqitet, është i pabotueshëm për një “Buletin shkencor”, sepse më tepër çorienton se orienton. Ndërkaq nuk mund të rrija pa përmendur se nuk ishte e hijshme as për autoren e këtij punimi, as për recensentin dhe as për “Buletinin”, që kishin lënë të kalonin gabime drejtshkrimore deri te emri i profesorit tonë të nderuar Eqrem Çabejt, që në artikull shkruhej Eqem Qabej (!?, f. 75).

Artikujt e tjerë, të botuar në këtë numër, ishin pothuaj të gjithë të shkruar nga pedagogë të Universitetit, që vazhdonin kurset speciale për master e doktorantura. Për të marrë gradat shkencore të përmendura më sipër, atyre u duhet doemos të botojnë tre artikuj te një organ që i njihet kjo e drejtë. Pra, artikujt e botuar këtu, janë pothuaj të gjithë pjesë të temave përkatëse tëdoktoranturave, të cilat, në shumicën e rasteve më tepër se mendimet e vetë autorëve, shprehin idetë e profesorëve që i udhëheqin në kryerjen e temave përkatëse.

Ky recension i gjatë mbyllej me fjalët: “Jo rastësisht e nisa këtë shkrim duke llogaritur tirazhin e revistës nga botimi i parë deri më sot. Sepse, po vazhdoi kështu, ka mundësi që në të ardhmen të zbresë edhe më tepër.”

***

Pata menduar se shkrimi i sipërm do të mirëpritej nga redaksia e “Buletinit” dhe se vërejtjet e mia do të merreshin sadopak në konsideratë. Mirëpo, ngjau e kundërta.

Në numrin 64 (viti 2014) botohet artikulli me titull “Prania e sllavizmave në fjalorin e Gazullit”. Ky artikull jo vetëm që ishte konceptuar gabim, por që nga nisja e deri në fundin e tij ishte mbushur me gabime e pasaktësi të palejueshme për një artikull shkencor e që botohej në një revistë shkencore të një universiteti. Aq më tepër kur artikuj të kësaj natyre, përveç vlerave shkencore, kanë edhe vlera kombëtare, sepse bëhet fjalë për marrëdhëniet shqiptare-sllave, të cilat shërbejnë edhe si argumente për probleme madhore të historisë së kombit tonë, për të vërtetuar autoktoninë, si edhe për të kundërshtuar me argumente shkencore tezat antishqiptare shoviniste të shumë autorëve sllavë. Kemi të bëjmë, në këtë rast, me tema tepër delikate, ku gabimet e pasaktësitë kthehen në dëmin tonë.

Për këtë shkak unë dërgova për botim në “Buletinin” e Universitetit tonë shkrimin me titull “Kur hyhet në pyll pa sopatë”. Artikulli përfundonte kështu:

Natyrisht përgjegjësia kryesore për mangësitë, pasaktësitë dhe të metat në artikullin e mësipërm, bien së pari mbi autoren e këtij shkrimi. Po ndërkaq nuk përjashtohet këtu përgjegjësia thjesht shkencore e redaksisë së revistës “Buletin shkencor”, organ i Universitetit të Shkodrës e veçanërisht e recensentit, që lejoi botimin e artikullit në gjendjen që paraqitet sot.

Artikullshkruesja është gjuhëtare e re, që po përpiqet të japë ndihmesën e vet në fusha të vështira të gjuhësisë historike shqiptare, punë që nuk paraqitet kurrë e lehtë. Ajo në këtë situatë duhet ndihmuar që të punojë sa më mirë që të jetë e mundur. Mirëpo, redaksia e “Buletinit shkencor” nuk ka në përbërjen e vet asnjë historian të gjuhës shqipe, të afirmuar si të tillë. Duhet thënë, ndërkaq, se ajo e kishte një të tillë, po e hoqi nga redaksia, sepse ai pati guximin ta kritikonte, pikërisht për veprime të tilla të papërgjegjshme. Pra, për botimin e artikujve të parecensuar e me gabime të palejueshme, që ulin prestigjin dhe nivelin e revistës së një universiteti.

Meqë artikulli, ashtu siç e pritja, nuk u botua, unë i shkrova një letër redaksisë së “Buletinit”, me këtë përmbajtje:

Me 2 mars të këtij viti (2015) kam dërguar për botim shkrimin me titull “Kur hyhet në pyll pa sopatë!”. Deri më tani nuk kam marrë asnjë përgjigje.

Është tërësisht e drejta juaj  ta botoni ose jo shkrimin në fjalë. E për këtë unë nuk ankohem. Por, është njëkohësisht edhe e drejta ime që të marr një përgjigje për fatin e këtij artikulli. E këtu nuk kemi të bëjmë me dëshira, por me detyrim ligjor institucional. Kërkoj, pra, të mësoj se cili ka qenë shkaku që redaksia e “Buletinit” vendosi për të mos e botuar këtë shkrim? Njëkohësisht të mësoj se cilat kanë qenë argumentet (përkat. vërejtjet) që e kanë detyruar recensentin të japë mendim negativ. Sepse unë e njoh mirë procedurën që duhet të ndiqet në të tilla raste.

Tani, duke munguar përgjigjja juaj, mua më lind dyshimi që arsyet për mos botimin e shkrimit të sipërpërmendur nuk janë aspak shkencore.

Duke respektuar rregullat, që ndiqen në të tilla raste, unë e dërgova së pari  “recensionin” përkatës në “Buletinin” tuaj. Meqë Ju refuzuat botimin e tij, besoj që më lind e drejta ta dërgoj atë në ndonjë revistë tjetër, gjithsesi edhe me përgjigjen tuaj. Sepse çështjet duhen sqaruar deri në fund. Artikullin tim unë e kam shkruar që ta lexojnë të interesuarit. Dhe ata do ta lexojnë atë.

Nuk e kam ndërmend të nis “luftën” me Ju. Po ndërkaq, në qoftë se nuk më jepni përgjigje të argumentuar shkencërisht për shkaqet që ju kanë shtyrë që të mos e botoni shkrimin përkatës, unë do ta bëj këtë çështje objekt të opinionit shoqëror.   Qëndrimi juaj (në këtë rast) nuk është as shoqëror, as dashamirës, as korrekt e as institucional.

Ky është mendimi im. Tani po pres përgjigjen tuaj. (Letra mban datën 23 nëntor 2015).

Përgjigjja më erdhi në datën 4 dhjetor. Aty shkruhej:

“Fillimisht dëshirojmë t’ju shprehim vlerësimin për bashkëpunimin tuaj të çmuar prej shumë vitesh në Buletinin Shkencor dhe në botimet e tjera të Fakultetit të Shkencave Shoqërore. Vetëm gjatë këtij viti në vazhdim janë botuar “Pavarësia dhe albanologjia”, Studime shqiptare 21, “Buletini Shkencor nr. 65, 2015” dhe “100 vjet revista “Hylli Dritës”, Studime shqiptare 22, me rreth 1100 faqe shtypi. Janë në proces edhe katër vëllime “Studime shqiptare”. Duke ju përgjegjur kërkesës suaj ju bëjmë me dije se artikulli juaj “Të hysh në pyll pa sopatë” në mbledhjen e rregullt të redaksisë për miratimin e lëndës për Buletinin Shkencor nr. 65, 2015 është vendosur në mënyrë kolegjiale që të mos botohet.

Me besim në mirëkuptimin tuaj mirëpresim artikuj për numrat e ardhshëm. Me nderim të veçantë dhe konsideratë …”

Që artikulli nuk u botua këtë e mora vesh kur doli në qarkullim revista. Ndërkaq unë kam kërkuar të mësoj arsyet e mosbotimit, të cilat duhet të jenë pasqyruar në vërejtjet e bëra nga recensenti. Të tjerat janë fjalë boshe. Mirëpo kjo ngjan është “shije e athtë” për ato që nuk janë mësuar me debate e diskutime shkencore të mirëfillta.

“Vendimet kolegjiale” në shkencë nuk janë gjithnjë të drejta. Ky term “kolegjial” të kujton vendimet e organizatës-bazë të partisë. Në shkencë fiton gjithnjë argumenti. Në rastin tonë kemi një redaksi që e vë veten në rolin e mediokrit, profanit dhe të paaftit për të gjykuar një artikull që trajton një çështje të historisë së gjuhës shqipe, duke mos qenë asnjëri prej anëtarëve të saj specialist i kësaj fushe. Në krah tjetër, përballet një specialist i mirëfilltë, pedagog i kësaj lënde në shkallën e dytë (master), me 20 vëllime të botuara, i cili ka plot 45 vjet që merret me këto studime, Në mes është artikulli, i konceptuar krejtësisht gabim, i hartuar prej një studiueseje që nuk di si shkruhet as emri i prof. E. Çabejt, të cilin nuk e ka konsultuar as në ato raste kur profesori ynë i nderuar, për të përcaktuar prejardhjen e një fjale, i drejtohet Gazullit, po tani me inicialet FR, për arsyet që tashmë stërdihen. Të gjitha ata sllavizma, që artikullshkruesja i përmend te Gazulli, Çabej i ka kaluar nëpër duar, natyrisht kur ai i ka çmuar si të tilla, e që sillnin diçka të re e të panjohur deri më atëherë. Autorja ka përsëritur keq ata që të tjerët para saj i kanë thënë mirë.

Gabimet, pasaktësitë, mangësitë etj., në artikullin për të cilin po flasim, në disa raste i bien ndesh shkencës shqiptare, duke u sjellë dëm përfundimeve të arritura deri më tani, veçanërisht për autoktoninë e popullit shqiptar. Dhe unë e kisha për detyrë të mos qëndroja indiferent ndaj këtyre pasaktësive, pavarësisht se prekeshin interesat dhe prestigji i “Buletinit”. Sepse kemi të bëjmë këtu me interesa kombëtare që dalin mbi vendimet “kolegjiale” të një redaksie të papërgjegjshme. Dielli nuk mbulohet me shoshë!

Ndërkaq unë bëj me dije se artikullin në  fjalë “Kur hyhet në pyll pa sopatë” e kam botuar në vëllimin “Studime gjuhësore” XVII. Tashmë ai do t’i nënshtrohet opinionit shkencor. Të shohim tani se kush ka të drejtë!

 

"Mapo"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.