Zhvendosje djathtas në Evropë
Kriza e refugjatëve - për gjithnjë e më shumë politikanë të Evropës me këtë problem është e lidhur ngushtë mbijetesa e komunitetit evropian. Ajo është shkaku edhe që u çon zgjedhës, populistëve të djathtë si Front National në Francë, nacionalkonservatorëve si PiS në Poloni dhe partisë hollandeze të populistit të djathtë Geerd Wilders. Deri para disa muajsh, shumë politikanë nuk donin ta pranonin këtë në Bruksel. Kurse tani dëgjohen tone të tjera.
"Po të mos paraqesim zgjidhje konkrete në ditët dhe javët e ardhshme, për ta vënë nën kontroll problemin e refugjatëve, mendoj, se BE do të nisë të shpërbëhet..." Kështu shprehet kryeministri i Sllovenisë, Miro Cerar. Ngjashëm si Hungaria, Sllovenia po ndërton gardhe në kufi me Kroacinë. Tabuja e ndërtimit të gardheve, një kërkesë e cila deri tani lidhej me populistët e djathtë, tashmë është thyer. Tani edhe fqinji Austri kërcënon se do të pranojë në vend vetëm një numër të caktuar refugjatësh në ditë. Këtu, partia populiste e djathtë FPÖ arriti të shtojë pikë. Grumbullimi i refugjatëve në Austri prek Slloveninë e vogël, që është e mbingarkuar. Si në një lojë dominoje, gjithnjë e më shumë vende shprehen për ngritjen e gardheve dhe të kontrolleve kufitare.
"Ne theksojmë se Britania e Madhe nuk është pjesë e Shengenit. Ne do t'i mbajmë kontrollet tona kufitare. Për ne ato kanë rëndësi vitale", ka theksuar kryeministri britanik, David Cameron. Pak përpara kësaj, Britania e Madhe i dërgoi një listë me kërkesa para referendumit, Komisionit të BE. Janë kërkesa që do t'i zbutnin marrëveshjet evropiane. Kështu qytetarë të BE do të kenë të drejtë të përfitojnë shërbime sociale vetëm pasi të kenë qendruar katër vjet në Britaninë e Madhe.
Qendrime refuzuese
Por që populistët e djathtë po fitojnë terren duket edhe në qendrimet refuzuese. Pyetjes nëse Evropa do ta trajtojë së bashku me Turqinë problemin e refugjatëve, kryeministrja e Lituanisë, Dalia Grybauskaite iu përgjigj: "Si, të ndihmojmë Turqinë? Jo, kjo nuk është detyra jonë...". Kryeministrja përndryshe me qendrim miqësor në çështjet evropiane, u kthye dhe u largua. Në një kohë kur bëhen fjalëpak ata që e kanë mbrojtur dikur Evropën, populistët e djathtë shfrytëzojnë çdo podium që u ofrohet. Si kryeministri sllovak Robert Fico, në radion çeke:
"Në bazë të informacioneve të mia, 90 përqind e refugjatëve sirianë janë refugjatë ekonomikë. Ne nuk mund t'u besojmë këtyre njerëzve, se ata ikin nga lufta dhe uria, kur nuk duan të qendrojnë as në Austri, as në Sllovaki dhe as në Hungari..."
Edhe kryeministri hungarez, Viktor Orban ndihet shumë mirë në qilimin e kuq në Bruksel..."Pse jam këtu, kjo është një pyetje e mirë. Meqenëse ne nuk bashkëpunojmë më për refugjatët, do të thosha se kam ardhur si vëzhgues..."
Orbani ka shkuar si paditës. Së bashku me Sllovakinë ai ka paraqitur aktpadije në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë kundër vendimit të shteteve të BE për t'i shpërndarë 120.000 refugjatë në Evropë. Së bashku me Çekinë dhe Poloninë Hungaria përbën bllokun e të ashtuquajturave shtete të Vishegradit. Ato janë mobilizuar kundër politikës së refugjatëve të BE dhe marrin mbështetje nga populistët e djathtë të tjerë në Evropë.
Danezët e kanë refuzuar para pak kohësh me një referendum bashkëpunimin në çështjet juridike me BE. Edhe Polonia po bashkohet pas zgjedhjeve të fundit me këtë grup. Pak pas ardhjes në post, ministri i ri i Jashtëm pyeti: a e përfytyroni dot që ne ta dërgojmë ushtrinë tonë në Siri, kur në një kohë në Berlin 100.000 sirianë pinë kafe? Edhe Presidenti i BE, Donald Tusk ekspozoi qendrimin e tij: ai kërkon që koha e verifikimit për refugjatët të zgjatet në 18 muaj për të frenuar kështu valën e refugjatëve. Fjalët e tij e paraqesin më qartë ndryshimin e qëndrimit në Evropë.
"DW"
Add new comment