S.O.S Tirana
Tirana zë 50% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, jeton 1/3-a e popullsisë, hyjnë e dalin përditë dhjetëra - mijëra qytetarë nga i gjithë vendi; është motorri ekonomik, administrativ e politik i gjithë Shqipërisë dhe atraksioni më i rëndësishëm turistik i saj dhe aktualisht vazhdon të ketë vetëm një rrugë hyrëse të përfunduar. Unë nuk jam që buxheti i shtetit të mos përdoret edhe për politika sociale. Por përmes buxhetit qeveria duhet të stimulojë sektorët të cilët gjenerojnë ekonominë dhe kthehen në burim të ardhurash për vetë buxhetin dhe rrjedhimisht edhe në mundësi më të mëdha financiare për zona të tjera, të cilat nuk kanë mundësi zhvillimi ekonomik.
Tirana ka qenë e penalizuar në këto vite për shkak të ndarjes në mënyrë të barabartë të fondeve në të gjithë Shqipërinë. Unë jam shumë dakord të bëhet rruga Qukës -Qafë Plloç e të ketë dy rrugë për të arritur në Korçë, por mos të harrojmë që rruga e Pogradecit është në përfundim dhe rruga e re ka të njëjtat kilometra me të vjetrën e thjesht shkurton pak kohën duke evituar kthesat. Jam shumë dakord të bëhet edhe rruga e bregut nga lumi i Vlorës. Jam shumë dakord që edhe të gjitha rrugët hyrëse - dalëse të Shkodrës të jenë të gjitha të reja, si rruga e Hanit të Hotit, rruga e Muriqanit, ajo e Dukagjinit, rruga nacionale për Tiranë dhe bypass-i. Jam shumë dakord që edhe rrugët hyrëse - dalëse të Tropojës të jenë rrugë të reja, të bëra në këto vitet e fundit, si rruga e Gjakovës, e Hasit, e Valbonës, edhe ajo me traget. Po ashtu Durrësi, Kavaja, e shumica e qyteteve kryesore të vendit kanë një infrastrukturë rrugore hyrëse - dalëse të re e të kënaqshme.
Por ajo që them unë është të bëjmë edhe Tiranën si Tropoja, si Shkodra e Korça, që mos ketë vetëm një rrugë hyrëse e të humbim me mijëra orë pune, energji edhe karburant në trafik sa herë na duhet për të hyrë e për të dalë. Shumë mirë që bëhen të gjitha këto rrugë, por unë mendoj, jo për të bërë lokalistin, por edhe për faktin se askush në Tiranë nuk bën lokalistin, rruga e Dibrës është inekzistente, rruga e Elbasanit me probleme shumë të mëdha; e pambaruar edhe rruga e Ndroqit, ose rruga e jugut e turizmit dhe e bujqësisë, ose rruga që ka bërë çdo qytetar i Tiranës deri në vitet ‘90, të jetë rruga më e degraduar nga çdo rrugë hyrëse e çdo qyteti të Shqipërisë. Mos harrojmë që ky është kryeqyteti. Nuk është i joni që banojmë në Tiranë, është i të gjithëve. Është qyteti që kontribuon me 50% të zhvillimit ekonomik të vendit dhe nuk mund të vazhdojë të diskriminohet në dëm të të gjithëve, vetëm për të bërë qokat e deputetëve që kanë pasur funksione të rëndësishme e kanë mbuluar zona të tjera.
Tirana në vend të punonte me kapacitet të plotë, në mendimin tim punon me çerekun e kapacitetit dhe mundësive që ka. Të zë frika të lëvizësh jashtë qendrës së Tiranës se të ikën gjysma e ditës në trafik. Sot ka dy Tirana. Ajo e bulevardit nga Skënderbeu deri tek universiteti, ku janë institucionet e bizneset më të mëdha, ku është elita e vendit, zonë e cila ka një komunikim shumë të mirë për shkak edhe se lëvizet në këmbë; dhe Tirana tjetër, jashtë këtyre 3 km2, që është e paqarkullueshme. Trafik për të shkuar tek spitalet, trafik në rrugë të Kavajës e atë të Elbasanit, trafik tek Treni, trafik tek Petro Nini për të kapur unazën, trafik tek Vasil Shanto e Komuna e Parisit, tmerr tek Pallati me Shigjeta, akoma më keq në Laprakë e tek Shqiponja. Për 1 orë vjen nga Italia në Rinas e mund të të duhet edhe 1 orë e gjysmë për të bërë 15 km deri në qendër të Tiranës.
Për të hyrë e për të dalë në Tiranë është vetëm autostrada, 2 korsi të bëra që para 15 vjetësh që janë kthyer në një makth për këdo që niset për të shkuar në veri, në jug, në Durrës, në port, në aeroport, për të shkuar në Kosovë, Greqi a Mal të Zi. Të gjithë duhet të kalojnë nga ajo grykë shisheje. Dy orë në mëngjes për të hyrë e për të dalë, dy orë në pikun e pasdites kur dalin njerëzit nga puna, orë e orë të tëra në fundjava e gjatë sezonit veror.
Unë nuk jam kundër rrugës Qukës-Qafë Plloç që kushton 152.75 milionë dollarë për 43.4 km. Por nëse do kisha zgjedhur, sot që po mbaron edhe Pogradeci e Korça mbërrihet në mënyrë shumë komode, unë do kisha zgjedhur të sakrifikoja një rrugë paralele me atë të Pogradecit, me të njëjtat kilometra sa ajo e Pogradecit, por që kursen vetëm gjysmë ore për mjetet që lëvizin në atë aks. Edhe sot që flasim trafiku në atë aks është relativisht i ulët dhe do të ulet edhe me rrugën paralele krahasimisht me Tiranën, ku qindra-mijëra makina çdo ditë do të vazhdojnë të rrinë të bllokuara. Me 152.75 milionë dollarë mund të rehabilitohej 100% rruga Tiranë - Ndroq – Plepa, duke i dhënë një zhvillim të madh bujqësisë, agroturizmit, turizmit dhe komunikimit me jugun e Shqipërisë. Do ishte kthyer si rrugët e Toskanës për nga bukuria e peizazhit ku kalon. Brenda të njëjtës shumë do mbaronte edhe Unaza e Madhe e TIranës, autostrada e re nga Elbasani (pjesa që ka mbetur), lidhja e bulevardit me rrugën nacionale, madje do tepronin lekë edhe për një pjesë të mirë të rrugës së Arbrit që do e lidhte Tiranën me juglindjen e me Maqedoninë.
Nuk po flas për mjedisin që qindra mijëra makina nafte 10 vjeçare rrinë të gjitha të ndezura e nuk lëvizin, e na rrofshin kostumet ne politikanëve kur mushkëritë e fëmijëve tanë i mbushëm me blozë.
E njëjta logjikë vlen edhe për lumin e Vlorës. Po përfundon bypass-i i Fierit dhe i Vlorës dhe brenda një viti do të kemi autostradë deri në rrëzë të Llogorasë. Janë 78 milionë dollarë që do i çojnë një rruge të re, Kuçit, Tërbaçit, Fterrës e Çorrës e do lidhen diku nga Himara. Shumë mirë, por me 1/3-ën e kësaj shume mund t'i shtrohej një tapet kësaj rruge ku qarkullimi është krejt i vakët e pjesa tjetër ti dedikohej rrugës së Arbrit që bashkë me fondet e para rrezik përfundonte pa hyrë në borxh me kinezët për 200 milionë euro.
E përsëris që asnjërit në Tiranë nuk na pëlqen të bëjmë lokalistin, por duhet bërë për të shpëtuar metropolin e për ta bërë po aq të aksesueshëm sa Shkodra, Tropoja, Korça e Vlora.
Add new comment