“Transparenca.sb” përballë “transparenca.al”: Mbërrijnë 41 mijë dekodera që do paguhen nga qeveria. Shpërndarës: DIGITALB
U bë publike para disa kohësh një Vendim i Këshillit të Ministrave i cili sanksiononte pajisjen me dekodera dixhital të familjeve në nevojë. VKM-ja lidhet me dixhitalizimin e TVSh-së, realizuar me një tender 23 milionë euro, plus 8.8 milionë euro për mirëmbajtjen e një rrjeti ende të pandërtuar. Dekoderat do të blihen për 350 milionë lekë, prej të cilave 170 milionë do të jenë nga Fondi Rezervë i Këshillit të Ministrave(http://www.respublica.al/2015/10/28/34-milion-dollarë-dekodera-për-familjet-në-nevojë-vkm-e-qeverisë-që-luan-me-paratë-e-të-0). Është folur shumë për faktin se ky veprim është krejt i pavend dhe shpërdoron paratë e taksapaguesve, sa kohë që familjet në nevojë mundet edhe të subvencionohen për gjëra të tjera. Spekullime ka edhe për faktin se ky fond shkon në favor të një operatori, Digitalb-it, i cili merr kështu një grant për një operacion në treg, nga i cili praktikisht vetëm do të humbiste. Pasi dixhitalizimi i TVSh-së e nxjerr në periferi DGA-në. Qeveria, përmes ministres së Informacionit, Milena Harito, është përgjigjur në Parlament me argumentin thuajse kolektivizues se “ne nuk mund të lëmë shqiptarët pa televizor”.
HARITO BERISHA by trelosjermatis
Të kujtojmë se kjo ministre nuk ka thënë një fjalë për heshtjen e çuditshme që mbulon procesin e dixhitalizimit të TVSh-së, ndërkohë që gjen kohë që për nisma të tilla populiste të prononcohet.
Edhe faqja “transparenca.al”, në momentin kur kjo çështje nisi të trajtohej në nivel publik shkruante se: “Deputeti Sali Berisha pretendon se në këtë proces po favorizohet kompania “Digitalb”, por faktikisht dekoderat të cilët do të shpërndahen qytetarëve në nevojë do të jenë të tipit bazë dhe në asnjë mënyrë nuk do të jenë të pajisur me pajisje përshtatëse për dekodera me pagesë”(http://transparenca.al/category/post/Transparenca/224/sali-berisha-pr-de...), duke kapur tek argumenti teknologjik një mënyrë për të rrëzuar akuzat e tij. Mirëpo sot, Sali Berisha shkruan në Facebook, se Digitalb ka sjellë në Durrës në doganë, 41 mijë dekodera të rinj, që janë diku te 50% e sasisë së dekoderave që përfshihen në trajtimin e VKM-së, pra 84 mijë. Thotë Berisha: “41.000 dekodera, porosi e Dixhitalb, mberriten dje ne doganen e Durresit. Neser Edi Rama shpall fitues te tenderit te dekoderave, Dixhitalbin, dhe vjedh se bashku me te 1.7 milione dollare. Te dashur miq, dje Digitalb ka sjelle ne doganen e portit te Durresit, 41,000 dekoderat per te cilat do behet tenderi me date 7 dhjetor. Pa u zhvilluar tenderi fare, kompania Dixhitalb ka ndare parate me Edi Ramen dhe ka sjelle dekoderat. Po te shohesh dokumentet e tenderit, si asnjehere kerkohet qe te shperndahen 41,000 dekodera VETEM per 10 dite!!! Dmth nuk ka kohe, tenderi eshte fiktiv dhe dekoderat duhet te jene gjendje para dates 7 dhjetor. E turpshme edhe qe burimi i financimit eshte Fondi i Emergjencave te Shtetit, ai qe perdoret per permbytjet apo reshkitjet e dherave. Ne permbytjet e marsit 2015 nuk u shpall gjendja e jashtezakonshme dhe nuk ju dha asnje lek banoreve nga fondi i emergjences se shtetit, ndersa tani del se 1.7 milione dollare te emergjencave do perdoren per te ndare Edi Rama parate me Digitalb per gjoja familjet ne asistence”.
E vërtetë ose jo kjo do të merret vesh në ditët në vijim, por nëse shifra është korrekte, atëherë me siguri diçka po ndodh në këtë drejtim. Këto ditë Digitalb humbi klientët e ABCom, që janë rreth 80 mijë, për shkaqe të konflikteve mes dy kompanive. DGA bëri thirrje në Facebook që klientët e ABCom të blejnë dekodera të rinj me 5000 lekë copa, por siç bëhet e ditur, një ABCom orientoi klientelën me një paketë tjetër në treg. Pra edhe sikur të mendojmë se kjo sasi që pretendon z. Berisha ka hyrë për të furnizuar nevoja në treg, sërish nuk bindemi, pasi shtegu është mbyllur.
Do të duhej që për këto çështje që janë të ndjeshme, ministrj Harito, e cila ka 2 vjet e gjysmë në detyrë, e që është ndër më pasivet, të mbante opinionin të informuar, pasi përndryshe deklarime të tilla mbeten burimi i vetëm i informacionit. Dhe nuk ka pse të përjashtohet pse atë e thotë Sali Berisha.
Add new comment