Drejt modelit gjeorgjian të bashkimit të Tatimeve me Doganat?

Postuar në 05 Dhjetor, 2015 15:13

Disa informacione, ende jozyrtare, bëjnë me dije se qeveria po hedh sytë nga një model tjetër për administrin e financave dhe të ardhurave. Fjala është për modelin gjeorgjian, që integron Doganat me Tatimet. Ky model, i shpjeguar këtu:https://www.imf.org/external/np/seminars/eng/2011/revenue/pdf/rusuda.pdf, konsiston në reduktim taksash, konkretisht nga 22 në 6 dhe në integrim të Kodit Doganor dhe atë Fiskal. Ose krijimin e një zyre të vetme, që siç shpjegohet në materialin e referuar synon thjeshtim procedurash, shkurtim afatesh, trajtim të shpejtë administrativ dhe eliminim të problemeve në mbitarifim. 

Është një përvojë si shumë përvoja të tjera, të cilat qeveria shqiptare e Edi Ramës i sheh si guida suksesi. Dhe guidat nuk kanë munguar në fushë e financave në Shqipëri.  

Viti 2015  konfirmoi më së miri se sforcimet e qeverisë, duke mos përjashtuar as represionin në financa, tatime dhe dogana, nuk kanë asnjë vlerë pa një vizion dhe një program të qartë që prek realitetin shqiptar dhe synon të disiplinojë dhe korrigjojë atë. Komplikimet në politika fiskale u cilësuan edhe nga FMN-ja se duhet të shoqëroheshin me një performancë të mirë të administratës tatimore. Kjo nuk ndodhi.

Bashkë me eksperimentin e dështuar me Crown Agent në Dogana, nga mesi i vitit 2015 e deri më tani, kjo qeveri ka thyer çdo rekord në improvizimin e nismave që synonin përmirësimin e situatës së të ardhurave. 

Shtim të punonjësve tatimorë, represion në emër të informalitetit, rishikim me ulje të planit të të ardhurave muaj pas muaji e sërish dështim. Pastaj heqje e taksës së biznesit të vogël; ndërkohë që zyrtarisht flitej vetëm për sukses. Arsyet mund të jenë të shumta, por një që është i prekshëm, korrupsioni, nuk goditet. Qytetarët nuk kanë parë deri më tani asnjë shembull të luftës kundër korrupsionit në Tatime dhe Dogana që pranohet se kanë dështuar, nuk kanë parë (ndoshta vetëm Bankers Petroleum) sesi luftohet evazioni, ndërkohë që emrat e biznesmenëve që dikur nga ky kryeministër apo njerëzit e tij përfliteshin si klientë dhe partnerë të qeverisë së shkuar, janë sot partnerë të kësaj qeverie.

Ndryshimet e shpeshta janë ilustrim për mosfunksionim të skemave ekzistuese. Përndryshe një administratë që ka sukses nuk ka ose të hedhë sytë nga model të tjera. Dështimet e kanë stërvitur këtë qeveri me pandjeshmëri dhe arrogancë; nga njëra nismë në tjetrën, nga njëri eksperiment në tjetrin, flitet për sukses, propozohet befas ndryshimi, deviza dhe çdo gjë duket normale. Pa një analizë konkrete, pa një vizion, pa përgjegjësi, të krijohet përshtypja se qeveria me DPT-në hidhet nga dega në degë sa për të kaluar vitin. 

Referimi i modelit gjeorgjian, nëse do të ndodhë, nuk ka asgjë të keqe në vetvete, por në dritën e këtyre dështimeve që kanë ndodhur, ai është thjesht një eksperiment i radhës. Çfarë ndodh nëse nga bashkimi i doganave me tatimet pason dështimi? 

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.