Nato ftesë Malit të Zi të bëhet pjesë e saj

Postuar në 04 Dhjetor, 2015 15:14
Julian Borger/The Guardian

NATO do të ndërmarrë hapin e saj të madh më të fundit drejt zgjerimit – dhe do të rrisë më tej tensionin me Rusinë – kur ministrat e jashtëm pritet t’i bëjnë Malit të ZI ftesë zyrtare për anëtarësim në aleancë. Moska vazhdimisht i është referuar zgjerimit të saj si “provokim”, dhe zyrtarët perëndimorë mendojnë që ajo ka nxitur protestat kundër qeverisë në Malin e Zi në përpjekje për të devijuar procesin e anëtarësimit të këtij vendi. Por parlamenti i tij ka votuar për t’u anëtarësuar në Nato dhe qeveria e Podgoricës ka reformuar forcat e saj të armatosura dhe ministrinë e mbrojtjes për të rritur shanset e anëtarësimit.

Njëzet e tetë ministrat e jashtëm të Natos, të cilët kanë nisur një takim dy ditor në Bruksel të martën, pritet ta bëjnë  ftesën unanime të mërkurën. Pastaj procesi i anëtarësimit të Malit të Zi ka mundësi të zgjasë nga një vit deri në 18 muaj, 17 vjet pasi ai u bombardua nga Nato, kur ishte pjesë e Jugosllavisë dhe i përfshirë në luftën e Kosovës. “Mali i Zi ka bërë një rrugë të gjatë për t’u anëtarësuar në familjen euroatlantike”, tha sekretari i përgjithshëm i Natos, Jens Stoltenberg, të hënën. “Ftesa që Mali i Zi të nisë bisedimet e anëtarësimit do të jetë një vendim historik. Kjo do të tregonte përkushtimin tonë të vazhdueshëm në Ballkanin perëndimor. Stoltenberg nuk e konfirmoi ftesën për Malin e Zi, duke thënë se ajo ishte një çështje për ministrat e jashtëm, por burimet diplomatike në Bruksel thanë që vendimi është marrë.

Sllovenia, Kroacia dhe Shqipëria janë tashmë anëtare të plota të Natos, por qeveria ruse e ka kundërshtuar vazhdimisht zgjerimin e aleancës me anëtarë të rinj nga vendet e ish-bllokut komunist. Në shtator, ministri i jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, i tha një gazete boshnjake: “Në lidhje me zgjerimin e Natos, unë e shikoj si gabim, madje si provokim në një farë mënyre. Kjo është… një politikë e papërgjegjshme që nënvlerëson vendosmërinë për të ndërtuar një sistem sigurie të përbashkët dhe të barabartë, i barabartë për çdo vend pavarësisht në është apo jo anëtar i këtij apo atij blloku.”

I pyetur për reagimin e mundshëm të Rusisë pas shpalljes së të mërkurës, ambasadori i SHBA, Douglas Lute, tha: “Kjo nuk është projektuar si një mesazh për Rusinë. Nuk ka të bëjë me Rusinë”. Lute tha se marrëveshja e Uashingtonit që themeloi Naton kërkon që aleanca të qëndrojë e hapur për anëtarët e rinj, nëse ata shprehin dëshirën për t’u anëtarësuar, përmbushin kriteret e anëtarësimit, përfshi demokracinë dhe kapacitetin për të dhënë kontribut ushtarak, dhe nëse pranohet me votë unanime nga anëtarët ekzistues.

Në të njëjtën kohë me ftesën, ministrat e jashtëm do të bëjnë një deklaratë për vazhdimësinë e derës së hapur të aleancës për tre vendet e tjera në radhë për anëtarësim të mundshëm: Bosnja dhe Hecegovina, Maqedonia dhe Gjeorgjia. Diplomatët thonë se kjo deklaratë ka qenë burim mosmarrëveshjeje më i madh brenda aleancës sesa anëtarësim i Malit të Zi.

Çështja e bisedimeve për anëtarësim të Gjeorgjisë është shqetësuese për disa anëtarë të Natos, që shqetësohen për faktin se çfarë garancish mund t’i jepen një vendi dy rajone të të cilit – Abkhazia dhe Osetia – janë shkëputur prej tij me mbështetjen e Moskës. Një radhë vendesh perëndimore e shikojnë tani deklaratën e samitit të Natos në Bukuresht më 2008 që Gjeorgjia dhe Ukraina “do të bëhen anëtare të Natos” si një gabim.

"Postbllok.com"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.