Greqia rikthen pensionet për minoritarët grekë
Qeveria greke parashikon të rikthejë pensionet për minoritarët grekë nga Shqipëria, të cilat ishin hequr para më shumë se dy vjetësh. Bëhet fjalë për një kompensim social, me vlerë 260 euro, që do të jepet për gjithë të moshuarit në Greqi, të cilët nuk kanë patur siguracion. Shumica e tyre janë homogjenë nga Shqipëria dhe ish Bashkimi Sovjetik, ka saktësuar ministri grek i punës dhe sigurimeve shoqërore, Jorgos Katrugalos.
“Kemi parashikuar një fond prej 62 milionë euro në buxhetin e vitit 2016, në shërbim të kompensimit shoqëror për të moshuarit e pasiguruar. Sigurisht, pjesa më e madhe e përfituesve janë homogjenë nga Shqipëria dhe ish Bashkimi Sovjetik”, ka thënë ndër të tjera ministri, gjatë raportimit të tij në Komisionin parlamentar të Diasporës.
Korrespondenti I Abc News raporton se sipas ministrit, shuma mujore që do të marrin përfituesit është 260 euro. Katurgalos ka shtuar se “parashikojmë një procedurë për paraqitjen e kërkesave përkatëse dhe dokumentacionit, që do të fillojë nga 1 janari 2016. Sa i përket shumës së kompensimit do të përpiqemi të jetë në nivelin sa më të lartë, por objektivi ynë është që të mbulohen nevojat bazike të jetesës. Sigurisht, 260 euro janë pak, nuk janë para të mjaftueshme për situatën që ndodhet sot ekonomia greke. Sepse megjithëse janë ulur pagat dhe pensionit, çmimet mbeten ende shumë të larta”.
Dispozitat për pensionin e homogjenvëe përfshihen në projektligjin për sigurimet shoqërore që duhet të votohet deri në fund të muajit nga parlamenti grek.Rreth 20.000 homogjenë nga Shqipëria merrnin një pension mujor prej 360 eurosh nga shteti grek. Por në vitin 2013 ky pension u hoq, si pasojë e shkurtimeve buxhetore në zbatim të programit të shpëtimit të Greqisë, të dakorduar midis Athinës dhe kreditorëve.
Add new comment