Oferta për anëtar partie
Partia Socialiste me turin “Ta pastrojmë Shqipërinë” dhe Partia Demokratike me turin e kryetarit të saj nëpër rrethe kanë pagëzuar një parafushatë elektorale e cila synon si fillim organizimin. Lëvizjet në këtë drejtim fitojnë rëndësi jo dhe aq për ndonjë ringjallje të shpresës, sesa për të parë konfirmimin e një politike të dështuar dhe të mbyllur në qarkun e vendimmarrjes klanore që vetë ka krijuar. Të dy drejtuesit kryesorë kanë bërë të vetën tezën e hapjes së partisë, e afrimit të rinisë, duke paraqitur si mall të tregtueshëm politikisht, një vizion për të ardhmen e Shqipërisë. Por pas 25 vitesh kaos po bëhet e dukshme mirë se nuk është vetëm politika që ripërtyp të njëjtat teza që s’i ka besuar kurrë, por edhe rinia, elektorati, militantët, të cilët kanë adoptuar instinktin e një marrëdhënieje biznesi me partitë. Në këtë kuptim si Edi Rama, ashtu edhe Lulzim Basha me fjalimin e vet sot në Durrës, nuk bëjnë asgjë përveçse konsumojnë si bindje dhe si zgjidhje publike, një gënjeshtër që dihet se është e tillë. E që i shërben vetëm vetvetes.
Meqenëse ligjërimi presupozon dy palë po supozojmë se raporti mes partive dhe qytetarëve është pozitiv. Të marrim një parti që ka traditë administrative dhe “jetë të brendshme politike”: PS.
Sot kryetari i saj, Edi Rama, në krye që prej vitit 2005, fton të rinjtë që t’i bashkohen asaj, për të çuar radhët e saj në 150 mijë: “Organizata e PS-së, është e hapur ndaj njerëzve të punës, të suksesshëm, ndaj njerëzve që në jetën e tyre të përditshme janë shembull se si gjërat bëhen me vullnet e përulje....Ne duhet të shikojmë me këmbëngulje në këto drejtime dhe t’i japim mundësi strukturës sociale të PS që të diversifikohet dhe të bëhet e larmishme që në 25 vjetorin e saj në qershorin e ardhshm të shënojnë 150 mijë anëtarë, por të pasqyrojë të gjithë spektrin e shoqërisë”, tha ai në Berat. Po të kthehemi pas në vitet ’50 ai që është i interesuar do të gjejë fjalime dhe direktiva të Enver Hoxhës për zgjerimin e anëtarësisë së Partisë, për shqetësimin e madh se ajo është akoma “një parti intelektualësh” dhe se kërkohet përfshirja në të e njerëzve të punës dhe nga klasa punëtore. Nuk po themi se kryeministri aktual ndjek kursin e Enver Hoxhës, por në rastin më të mirë, vuan nga një mungesë e madhe fantazie politike dhe sidomos nga një paaftësi e tmerrshme për të qenë qoftë edhe një çast i sinqertë. Për një të ri, për një qytetar që sot dëgjon ftesën për t’iu bashkuar PS-së, ofrohet një model solid i klaneve të trashëguara apo të krijuara rishtas. I klaneve me strukturë vertikale e të cilat Edi Rama ka ditur t’i manovrojë që nga viti 2005. Për një të ri që hyn sot në PS ofrohet mundësia që të njohë Taulant Ballën, si shembull operativiteti, të shohë nga afër Gramoz Ruçin apo Namik Doklen të cilët ia ka zënë syri në media qysh kur lindi, të takojë nga afër luksin e Edi Ramës që ka edhe mazhordom për tekat mediatike të vetat, të njohë arrogancën e padukshme të një pushteti që për shokët dhe miqtë e Tiranës krijon lehtësi sa hap e mbyll sytë, kurse për të tjerë ofron "konkursin" e vështirë. Mund të ketë rastin të njohë nga afër Sajmir Tahirin, sesa i rëndomtë është ai, Erjon Veliajn, këtë aktor ambulant që e sheh politikën si protagonist i një trupe cirku lëvizëze, mud të dëgjojë Pandeli Majkon që në mbledhjen e organizatës sjell dekretin e kryetarit se kush do të zgjidhet në krye të degës, apo të jetë rastësisht në një mbledhje ku kryeministri flet për kutish votimi për frymë anëtari. Ky i ri, që presupozohet dhe kërkohet të jetë idealist dhe naiv, do të ketë pas disa muajsh rastin dhe shansin të kuptojë se disa çuna në Tiranë, nga ata që përmendëm apo që i rrinë afër Edit të fotografisë zyrtare, janë aty qysh prej 40 vitesh, përmes gjyshit dhe babit, përmes tezeve dhe hallave, kunetërve dhe krushqve. Dhe janë aty pa bërë zhurmë, thjesht me atunë e drejtorit të përjetshëm. Në fund do të marrë vesh, sa për kulturë, se Fatmir Xhafa nuk është aq babaxhan sa duket, sikurse ata deputetë që nuk flasin ndonjëherë thjesht kështu kanë folur përherë në atë parti. Një parti pasanikësh që u rri shqiptarëve në kurriz si një taksë e papërballueshme më. Sikur ky i ri hipotetik të hidhet nga PD-ja, qartësia që të ofrohet aty e bën edhe më dëshpëruese pranimin e ftesës. Një parti me sundim kaubojsish dhe ku brenda një sere të improvizuar po rritet në brishtësi të vazhdueshme bima e një kryetari të çmontueshëm. Më tej, do të mjaftonte leximi i mediave.
Ky zinxhir i denoncuar hierarkish të brendshme dhe marrëdhëniesh të përmbysura e dikton dhe e ka kusht ekzistence pragmatizmin ekstrem që edhe e promovon. E nxit, e shtyn përpara drejt një identifikimi të përkohshëm, një angazhimi me parablerje, që ua lë pikërisht atyre grupeve të njohura vendimmarrjen e vërtetë. Në një sistem që pretendon se bazohet dhe promovon iniciativën e lirë të njerëzve, kjo ofertë e vetme që partitë politike kanë për rininë dhe qytetarët është konfirmim i oligarkisë. Nëpër këto parti “militojnë” dhe vendosin ata që sot kanë pushtetin ekonomik, atë që nuk konkurohet, pasi është mjelës ekskluziv i parave publike. Për rrjedhojë kjo ftesë për të marrë tesera nuk është as më shumë e as më pak një lloj kapitalizmi partiak ku njerëzit ftohen të punësohen në këmbim të votës për të rigjeneruar një sistem të deformuar që duhet eliminuar.
Add new comment