Kamera dhe masa sigurie shtesë: A shkelet privatësia dhe pse M. e Brendshme nuk publikon rezultatet e survejimit në hapësira publike?
Qeveria ka depozituar së fundmi një projektligj që prek direkt qytetarët: “Për masat shtesë të sigurisë”, titullohet projektligji, i cili shpall si objektiv: “krijimi i kushteve ligjore për të siguruar bashkëpunim mes Policisë së Shtetit dhe subjekteve publike e private, veprimtaria e të cilave përbën burim rreziku të shtuar për sigurinë, me synim mbrojtjen e jetës, pronës, dhe garantimin e sigurisë publike”. Ligji kështu siç paraqitet anashkalon praktikën e amendimit, apo ndryshimit të ligjit organik “Për Policinë e Shettit”, duke synuar të emfatizojë një rrezik që abstragohet se buron nga rrethana të posaçme. Dhe në këtë kuadër përgjigja vjen me një projektligj të ri, i cili nuk bën asgjë më shumë sesa zgjeron kompetencat e Policisë së Shtetit dhe Ministrit të Brendshëm deri në kufijtë hipotetikë të shkeljes së privatësisë dhe të drejtës për ruajtjen e të dhënave personale. Policia merr masa shtesë konform të drejtave të veta për nevoja shtesë në ruajtjen e sigurisë, kështu që nga kjo pikëpamje, projektligji ngjan i pajustifikuar në aspektin formal.
Konkretisht në nenin 8 të projektligjit thuhet: “Masat shtesë të sigurisë janë:
“a) Përdorimi i sistemit të kamerave të tipit CCTV, me rezolucion të lartë, me rreze infra të kuqe, që ruajnë imazhet filmike në NRV/Server deri në2 muaj;
b) Përdorimi i pajisjeve elektronike të teknologjisë së lartë për identifikimin, në funksion të sigurisë (detektorë, ura kontrolli, reader, GPS etj);
c) Lidhja direkt e sinjalit për ruajtjen e objektit me sallat e komandimit/ informacionit të Policisë së Shtetit;
ç) Përdorimi i Shërbimit Privat të Sigurisë Fizike (SHPSF)”.
Debati kryesor rreth tij përqendrohet tek ruajtja e të dhënave personale, administrimi i tyre dhe kompetencat e ministrit të Brendshëm. Kamera në vetvete nuk është zgjidhja e preferuar pasi cenon direkt privatësinë duke e lënë me këtë rast mbikëqyrjen, përmes një vërtetimi sigurie, në diskrecion të një organi ekzekutiv si Policia. Policia edhe aktualisht e ka të drejtën e aksesimit të kamerave, por në rast të kallëzimit, ankesës, apo ngjarjeve, gjithnjë në interesin hetimor. Me projektligjin e ri, një “minority raport” që jepet nga drejtesi lokal i policisë, çon në survejim. Po kështu, vërtet që projektligji parashikon përpunim të të dhënave pesonale “në përputhje me përputhje me legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale”, por në nenin 15 bëhet përkufizim problematik: “Rregullat për kryerjen e inspektimeve për monitorimin e përmbushjes së masave shtesë të sigurisë nga Policia e Shtetit, sipas pikës 1, të këtij neni, përcaktohen me udhëzim të ministrit përgjegjës për rendin dhe sigurinë publike”.
Vendosja e kamerave që detyrohet në mjediset private, qofshin këto biznese, konsiderojnë vetëm vlerësimin e sigurisë nga Policia, drejtuesin e subjektit privat, por pa referuar të drejtat e punonjësve që kanë të drejtën të mos survejohen me kamera në punë. Një shpërfillje kjo që ndoshta kërkon edhe vlerësim në planin kushtetues.
Vetiu lindin disa pyetje shumë shqetësuese: a ka Policia e Shtetit sot që flasim, kapacitete njerëzore të administrojë një sasi të tillë të dhënash? A ka kapacitete të afta që të aksesojnë kamera të tilla, të lexojnë të dhënat etj.? Pyetje që i paraprijnë një marrëzie që nuk ka pse ta përjashtojmë siç mund të jetë konçesioni i administrimit të të dhënave, i cili sot që flasim ndodh me administrimin e të dhënave tona bioemtrike, që nuk janë pasuri e shtetit, por e Aleatit që prodhon dokumentet e identitetit. Siç shihet, projektligji krijon probleme në raport me privatësinë dhe përpara se të hartohej do të ishte e udhës konsultimi me Autoritetin përkatës. Nuk dihet nëse kjo gjë është bërë, por në interes të publikut, Ministria e Brendshme, do të duhej të sqaronte se nga niset që harton një projekt të tillë? A ka një raport konkret, me shifra dhe të dhëna, sesa kanë ndikuar kamerat e vendosura në hapësira publike për identifikimin dhe zbulimin e krimeve? Nëse ky raport rezulton pozitiv dhe nëse rreziku perceptohet në rritje, atëherë edhe mund të mendohet një hap i tillë.
Këtu sjellim edhe disa hollësi që dolën në dritë disa ditë më parë në emisionin “Opinion” u diskutua pikërisht për këtë nismë të qeverisë:
Së pari se në të gjithë Tiranën janë të regjistruar në librin e posaçëm, vetëm katër administratorë pallates. Projektligji aktual për sigurinë shtesë sheh tek administratori një prej subjekteve kryesorë në ruajtjen dhe administrimin e të dhënave. Si do të veprohet kur administratorët nuk figurojnë zyrtarisht?
Së dyti është administrimi i të dhënave, siguria e tyre, në kushtet kur kemi parë sesi të dhëna të ndryshme hetimore kanë dalë në media me lehtësinë më të madhe.
Së treti është tenderi prej 23 milionë eurosh i 1700 kamerave në hapësira publike, i cili presupozohet se do të sigurojë një monitorim më efektiv. Paralelisht me këtë, po kërkohet që në detyrim të vlerësimit të Policisë, subjektet private apo publike, përfshi pallate të pajisen me kamera. Një tjetër “tender” ky i pashpallur që transferon kostot e sigurisë gjetkë.
Add new comment