Nëntor i ftohtë mes dehjes së turmave
Teksa dalldia e festimeve të njëqindvjetorit të pavarësisë i ka dehur të gjithë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të zi e kudo ku ka shqiptarë, zëra të kthjellët dëgjohen më rrallë se kurrë, të mbytur nga kore brohoritjesh emocionale të një tifozerie masive që ka pushtuar çdo cep të hapësirës publike. Duke nisur prej politikanëve, analistëve, gazetarëve, e me rradhë shkrimtarë, artistë, sportistë, humoristë, prestigjatorë, ustallarë, prostituta, tutorë, skafistë, spaçatorë deri tek i fundit qytetar a përdorues droge nga profesionet e mësipërm, shihet e njëjta gjuhë, që ripërsërititet në të njëjtën mënyrë si një refren i mësuar mirë përmendësh, pa patur nevojë t’ia dimë kuptimin. “Katërkëmbësh mirë, dykëmbësh keq”, – është formula e duhur divulgative, e riprodhuar nga Orwell-i, në gjuhën e “Fermës së kafshëve”. Kjo është e vetmja mënyrë sesi delet mund të motivohen të përvetësojnë artin e të qenit popull.
Ajo që mungon thellësisht, ashtu si në çdo përvjetor festiv, të cilitdo lloji, është reflektimi. Mungon vetëdija reale mbi objektin e festës që do të duhej të çonte në reflektimin mbi rrugën e kombit për të ardhur deri këtu dhe mbi atë që na mbetet në vijim. Sot pas 100 vjetëve, historia e shqiptarëve mbetet ende e pazbardhur dhe, si kurrë më parë, një mollë sherri tejet e mbllaçitur në debatin publik. Akoma dhe më e ngatërruar është e ardhmja e shqiptarëve, paqartësinë e së cilës, secili sipas rradakes së vet, përpiqet ta projektojë tashmë tek një idhull i ri që quhet Europë, por pa ditur se si e qysh.
E megjithatë, ne festojmë. Si gjithmonë, pa e ditur qartë motivin e festës, madje edhe pa patur nevojë ta dijmë, siç kemi bërë rregullisht për çdo datë që na e shënojnë me të kuqe në kalendar. Për shqiptarët, festa nuk ka fare rëndësi, rëndësi ka të festuarit, plotësimi i dëshirës sonë të brendshme për të festuar, përmbushja e epshit tonë për të harbuar. Është thjesht nevoja e shqiptarit të sotëm, njeriut të ri të spanuar vidash, për t’u përfshirë në turmë, për t’u shkrirë me të, në mungesë të një identiteti dhe vetëdijeje individuale. Kjo është shenjë e dorëheqjes prej mendimit në një shoqëri pa motiv për të jetuar. Ajo çfarë njerëzit duan, është vetëm të mos mendojnë, sepse ndryshe nuk kanë sesi ta përballojnë zbrazëtinë e tyre.
Patriotizëm erotik
Këngëtarët janë sot semaforët që sinkronizojnë lëvizjet uniforme të pakuptimta të turmave. Ata janë si policë trafiku që i orjentojnë turmat për atje ku urdhërojnë padronët e tyre. Artistët, masivisht janë sot tellallët më të mirë të pushteteve. I sheh të rendin në çdo fushatë politike, për të bërë të mundur përmbushjen e oreksit të popullit për argëtim. Nuk besoj se ka njdonjë vend ku mercenarizmi artistik gjendet në një shkallë të tillë inflacioni e masivizimi. Me pesë lekë në Shqipëri mund të blesh tërë armatën e figurinave karikatureske që nxijnë faqet e rubrikave gossip. Në përpjestime të frikshme, muzika këtu nuk është gjë tjetër vetëm se industria e rrjetave të peshkimit të turmave për hesap të pushtetit politik, ekonomik, kulturor a ideologjik.
Merilin MonroeMasa dërrmuese e artistëve, e sidomos muzikantëve tanë zotërojnë një kulturë të cekët e sipërfaqësore që i bën të jenë përfaqësues të denjë të vulgut. Ata vijnë kryesisht nga shtresat më të paarsimuara të shoqërisë. Shumica prej tyre nuk ka asnjë bindje, ideal apo orientim, shoqëror, kulturor, ideologjik a estetik. Ata kanë vetëm nuhatjen për të ndjekur trendin e pushtetit duke riprodhuar atë çfarë kërkohet në main stream. Detyra e tyre është të përvetësojnë e riprodhojnë skemat, formulat, klishetë, stereotipet, duke i ripërsëritur ato pafundësisht, derisa “deleve” t’u nguliten mirë në mendje: ‘’Katërkëmbësh mirë, dykëmbësh keq’’. Kjo është arsyeja përse një mori hitesh muzikore me subjekt pavarësinë e Shqipërisë, kanë vërshuar këta muaj nga çdo lloj çingieje e ekraneve shqiptare. Patriotizmi është bërë befas në modë dhe duhet integruar doemos në menynë e përditshme në pazarin e tingullit.
Duke nisur që nga adoleshentët repistë që promovojnë modelin e horrit halabak të lagjeve apo ekuivalentit të tij femëror të ideal-tipizuar tek pornomodelet, të gjithë janë turrur të pozojnë plot bujë patriotizin e tyre. Shqiponja e shkretë dykrenare ka shëtitur në mënyrë inflamative nëpër mijëra hapësira trupore nga më intimet, në ekranet televizive, duke u shndërruar në një aksesor dekorativ pornografik nga më erektivët të momentit.
Nëse përmbledh kolazhe tekstesh apo edhe imazhesh nga ikonografia e këngëtarëve në vijimësi mund të krijosh kontraste fantastike në komizmin e tyre. Nuk di sesi mund të integrosh në një profil artistik tangat, kofshët femërore apo gjinjtë e kërcyer mbi dekolte me përkrenaren e Skënderbeut, mjekrën e bardhë të Ismail Qemalit apo siluetën e shamisë mbi kryet e Nënë Terezës. Kjo mund të ndodhë vetëm në gjellën e përditshme të artit barbar me të cilin ushqehen shqiptarët.
Por nuk është vetëm muzika. I tillë është kudo realiteti shqiptar. Sa për ilustrim mësova këto ditë se në shkollën 9-vjeçare Osman Myderrizi stafi pedagogjik organizon një festë për fëmijët me rastin e 100 vjetorit, duke kënduar këngën më të fundit të Adrian Gaxha-s, «Ngjyra e kuqe fort i ngjan». E kuqja, së cilës i këndohet këtu, është ngjyra e tangave në të ndenjurat femërore që intrigon imagjinatën erektive të audiencës mashkullore, e cila sot tërheq më shumë se ngjyra e flamurit, ndonëse përcjellin të njëjtën frekuencë valore të dritës. Nuk dihet nëse kërkesat patriotike të drejtorisë janë aq minimaliste sa të mjaftohen me afeksionin kolorifik të këngës, apo nëse shijet ideo-estetike të drejtuesve të shkollës prodhojnë ndonjë asosacion në subkoshiencë midis tangave që epshi rinor kërkon t’i ulë nga trupat femëror dhe llojit tjetër të pëlhurës së kuqe, që Ismail Qemali e ngriti demonstrativisht në Vlorë, por mund të thuhet me siguri se ky skandal i shkon për mrekulli paradoksalitetit shqiptar. Konotacionet që rrjedhin prej këndej mund të ofrojnë një subjekt interesant empirik për studime psikosociale mbi lidhjet midis erotizmit dhe patriotizmit, në një dialektikë ulje-ngritjesh flakëruese.
Nacionalizëm analkolik
Përkundër gjithë kësaj panorame, një këngë e nxjerrë së fundmi nga grupi Jericho, duket se ka vendosur ta prishë perfeksionin e këtij paradoksaliteti. Kënga synon të prodhojë një emocion krejt ndryshe, një emocion të vërtetë që nuk provokon hare dhe fishekzjarre, as shpalosje krenarish fodulle e krekosje bajate që demonstrojnë forcën e munguar ndaj armiqve, madje nuk ofron as ekspozime qesharake statujash pompoze që fanepsen masivisht si objekte totemike mbi kafkat bosh të shqiptarëve të sotëm. Kënga quhet «Nëntor i ftohtë» dhe ka vendosur një tjetër dimension komunikimi mbi përkujtimin e kësaj ngjarjeje të rëndësishme të fatit dramatik të shqiptarëve.
Në mes të kësaj zhurmnaje të nxehtë nga bataret e ekzaltimit masiv grupi Jericho, – pa dyshim, grupi më i mirë i rock-ut shqiptar aktualisht, i cili, ndër të tjera i ka kushtuar prej vitesh pjesën më të madhe të krijimtarisë së tij ndjeshmërisë mbi problemet e kombit dhe shoqërisë shqiptare, – na solli një zë të kthjellët që mundohet të godasë ndërgjegjen njerëzore mbi realitetin e vërtetë të rrugës që kemi përshkuar në këta 100 vjet. Jericho-t kanë hequr dorë nga festimet, duke na sjellë një copëz reflektimi mbi fatet e këtij kombi. E në këto kushte, kënga nuk mund të mos zgjojë trishtim dhe revoltë, përkundër haresë apo krekosjes festive të nacionalizmit futbollistik që dyndet jashtë në turma.
A ka një kujtim të më ngrohë, në këtë ditë për mua?
A ka ndonjë udhë e si burrë ta kthejë kokën t’shikojë?
A ka një kujtim, të na japë një kuptim, a s’më thua?
A më tregoni, ku ta gjej forcën sot të këndoj?
Akoma të freskët e kam at’ shikim të përbuzjes
Akoma të freskët të ftohtin e dhimbjes në asht
Akoma të freskta edhe gjurmët që këmbët i lanë rrugës
Syri më mbeti i ngrirë në shtëpinë që më kurrë nuk e pashë
Ky është patriotizmi i vërtetë, patriotizmi analkolik i mendjeve dhe zemrave të kthjellëta që arrijnë të ndjejnë temperaturen e vërtetë të mjedisit ku jetojmë. Ky është patriotizmi i njerëzve që nuk projektojnë kombin tek vetja si një tatuazh të modës, por projektohen tek kombi, duke gjetur aty një motiv për të ndërtuar shtëpinë e përbashkët. Ky është nacionalizmi që u mungon shqiptarëve, nacionalizmi që kërkon një projekt të vërtetë për kombin, një projekt që synon të ndërtojë vlerat themelore të një shoqërie të shëndetshme. E ky është një projekt krejt tjetër nga ai që paraqet histeria e turmave të etura për spektakël, të hipnotizuara nga prestigjatorët e pushtetit ideologjik e kulturor, që na rrëfejnë legjenda folklorike e ëndërra boshe.
"Postbllok.com"
Add new comment