Miliona apo qindra milionë drejt Europës?

Postuar në 25 Nëntor, 2015 00:39

Europa mund të përmbytet nga qindra milionë imigrantë nga Azia dhe Afrika Veriore. Parashikimin me tone apokaliptike e bën një profesor i universitetit të Haifas në Izrael, Arnon Soffer, sipas të cilit njerëzimi ndodhet përballë valës migratore më të paprecedentë në historinë e vet. Sipas Soffer shkak për  këtë lëvizje që ai e cilëson “një pikë kthese në historinë njerëzore” janë kushtet klimaterike si dhe faktorë të tjerë që burojnë apo ndërveprojnë me të.

Premisa kryesore është ngrohja globale e cila për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut jep si parashikim deri në vitin 2100 një rritje temperaturash mesatare prej 2-4 gradë C, apo edhe 8-12 gradë në variantin më ekstrem. Në të dyja rastet sipas Soffer, që është edhe këshilltar i qeverisë izraelite kemi të bëjmë me kushte që do të katalizojnë lëvizje masive. Parashikimet gjithsesi kanë krijuar kundërvënie dhe jo të gjithë janë dakord. Gazeta e njohur izraelite “Haaretz” që raporton këto parashikime, i referohet një profesori të Universitetit Hebraik të Jeruzalemit, Ronnie Ellenblum, i cili pranon ngrohjen globale, por jo variantet apokaliptike që e shoqërojnë. Sipas tij kryqëzatat europian lidheshin me klimën, pasi ato u parprinë dhe u shoqëruan nga Anomali Klimaterike Mesjetare, që ishte një i ftohtë i madh. Ellenblum shton se një nga arsyet që çon në konkluzionin se lufta e Sirisë provokon lëvizje të madhe migratore, është mbulimi i madh mediatik përqendruar te kjo temë. Migrimi është përsëritës: 3200 vjet më parë, Mesopotamia u përfshi nga thatësira. Kombinuar me faktorë të tjerë, kjo çoi në fundin e një qytetërimi, i cili provokoi largime njerëzish dhe lindje të qytetërimeve të tjera. Në shekullin 4-5 pas Krishtit fiset turke dhe gjermaninke lanë kushtet e vështira në Azi dhe në Veri dhe iu drejtuan Europës. Më tej në shekullin 10-11, Azia Qendrore, Rusia, Siberia dhe Lindja e Mesme iu nënshtruan një tjetër periudhe të ftohti, që çoi në largime për shkak të urisë drejt Iranit të sotëm. Ellenblum shton se Lindja e Mesme ka parë shumë anomali klimaterike përfshirë të ftohtë të pazakontë dhe thatësira të tmerrshme që kanë tharë edhe lumin Nil. Kështu për disa dimra rresht, i ftohti ka qenë aq i madh, saqë Tigri dhe kanali i madh i Bagdatit ngrinë duke çuar në lëvizjen e parë të njohur të fiseve turke, njësoj si thatësirat e mëdha të Palestinës dhe Sirisë që shkretuan qytete të tëra. Nëse afrohemi në kohën tonë, autori në fjalë vëren se gjatë vitit 2013-2014 në territorin që sot kontrollohet nga Shteti Islamik nuk ra asnjë pikë e vetme shiu.

Për Soffer një arsye më shumë që çon në përfundimin e lëvizjeve me qindra milionë është rritja demografike. Në vitet 1950-1980 popullsia e Lindjes së Mesme dhe Afrikës Veriore u dyfishua. Pastaj u dyfishua sërish në 28 vjet, nga 1980-2008. Një llogari vlen për të kuptuar pse Soffer ecën kah “apokalipsi”:  Baseni i Nilit strehon 400 milionë njerëz, por prurja e tij po bie. Në Afrikë përgjatë 20 viteve të fundit janë tharë 800 liqene. Përfshirë këtu varfëria mes 450 milionë banorëve të Lindjes së Mesme, çon në shifra të pranueshme se për këta faktorë diku te 400 milionë njerëz në total mund të vihen në lëvizje. Hipoteza që ngjallin dilema dhe frikë. Ndonëse ende mbeten hipoteza. 

 

http://www.haaretz.com/israel-news/science/.premium-1.688008?utm_campaig...

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.