Dora e Ngrohtë e Tagrambledhëses
Para tri ditësh kryeministri u pa në një desantim të tipit “ground force one” në Drejtorinë e Doganave – njohur në traditën e shqipes si Kasabaja e Haneve pa Porta.
Me një stil që të kujton filmin “Hetime rreth një personi jashtë çdo dyshimi”, kryeministri, i acaruar sa më s’ka me korrupsionin në hanet e veta, apo edhe paaftësinë e disa drejtorëve, dukuri këto krejt të kundërta me konstitucionin e tij si burrështetas, këputi për pak minuta disa drejtorë. Thuhet se u është drejtuar: “Jeni për turp të gjithë”. Dha tak fap, me të drejtën e hyqymetit popull, ua përcolli iradenë. Ikën disa drejtorë që janë si të thuash ustallarë të doganave, njohës të tyre, hanxhinj të zotë si i thonë. Nuk ka ende një vendim të zbardhur por u tha se Z. Sh, G. Li, M. M dhe E. K humbën karriget që ngrohin prej disa kohësh. Qeveria duron, mbyll njërin sy, zë edhe njërin vesh, por kur e trash zullumin të fluturon karrigia. Seee, si do bëjmë shtet ne mo?
Kështu, por populli ynë ka edhe atë fjalën e mençur: “Zoti me një dorë të shtyn, e me tjetrën të mban”. Ja, kjo vlen kur në qeveri ka njerëz që janë aty “me idealin se ky vend mund të bëhet”. Me këtë filozofi udhëheqëse, Tagrambledhësja, e cila është e sigurtë në detyrë njësoj si “vdekja dhe taksat”, pra me idealin e të bërit shtet dhe për të justifikuar rrogën 700 para që merr për çdo muaj, ka vepruar menjëherë. Burime nga kati më lart zyrës së saj, thonë se zonja ka kërkuar që drejtori G.L, që te Kasabaja e Haneve shikonte kush ia dridhte shtetit, na qenka emëruar te Fisku, sërish si drejtor. “Po ku ka rrjedhur do pikojë” – nuk thonë kot. Madje G.L i kanë pastruar edhe biografinë në dosjet e administratës meqë si shtet serioz ku kemi fatin të jetojmë, që të punosh në të, ta kërkon biografinë, a cv-në si i thonë, xixë të pastër. Si ta bësh xhanëm këtë? E thjeshtë: për këtë mendon Dora e Ngrohtë e Tagrambledhëses që të zbardh faqen. Nuk mund të lihen asete si G.L që të ikin kështu kot më si koti.
Po si ndodhka që i Madhi e heq, kurse e Vogla e marrka? Mund të mendohet, dhe ka që kështu e mendojnë, nisur nga dëshira për t’i parë gjërat pozitivisht, se në këtë rast kemi të bëjmë me sindromën e Mimoza Llasticës, të cilës gjyshja i rrinte nga pas me bukën me gjalpë në dorë. Çfarëdo “zullumi” të bënte Mimoza, gjyshja nga pas. Njeriu ka edhe dobësi të vetat. Plus që Mimoza do thënë se ishte goxha çamarroke.
Ka edhe një version tjetër, disi më i besueshëm. Këtë e tregon kamarieri i një lokali afër Ministrisë së Drejtësisë, ku Mimoza, d.m.th Tagrambledhësja pi kafet e “rinisë” me shoqen e vet të ngushtë, dikur Kryehanxheshë, e dorëhequr prej muajsh. Takimet janë për nostalgji, pasi aty në atë lokal, me dhoma dhe kthina, “thurreshin” nëse mund të themi kështu planet për “ta bërë Shqipërinë”. E bashkë me të edhe veten. Tregon kamarieri që kishte dëgjuar copëza bisedash mes Tagrambledhëses dhe Kryehanxheshës:
K – Si i hoqi ata? Me një 5 minutsh. Si shpirt është. Vetëm ai mund të bëjë ndonjë gjë për këtë vend.
T – Duhej se na çanë veshët të gjithë. Po e di që një e mora unë aty ku jam.
K – Po pra. Po më duket se e ke bë si institucion riedukimi.
T – Hahah. Po jo. Unë pashë që mori titullin Honoris Causa dhe e gjeta në moment të mirë. I dërgova sms urimi dhe i thashë që kam bërë diçka që e ke bërë edhe ti. Kam vënë dorën në zemër, njësoj si ti me taksat e zejtarëve dhe e mora G.L tek unë. Ai, një kohë pauzë dhe pastaj më shkruajti: Unë jo se doja t’i hiqja. Por kur po hyja aty më doli para ai verdhacuku, financieri me syze dhe më prishi gjakun.
Add new comment