Kriminalizimi i shpifjes, qeveria konsulton praktikat europiane dhe sanksionet në to
Para disa ditësh bëri bujë të madhe propozimi i qeverisë për ligjin e shpifjes, sipas të cilit do të përfshihej edhe media si subjekt në kriminalizimin e shpifjes. Një apo dy ditë më pas kryeministri u tërhoq, duke deklaruar se nuk bëhej fjalë për mediat, por vetëm për ata persona që shpifin ndërkohë që mbajnë një detyrë publike. Mirëpo është e qartë se ligji për shpifjen, një akt ky që nëse dënohet si i tillë nuk ka pse të përjashjtojë subjektet, pasi para ligjit janë të gjithë të barabartë, do të jetë tërësor. Pra mbetet disi e paqartë sesi qeveria do të përjashtojë mediat nga ky presion ligjor. Burime nga qeveria thanë për “ResPublica” se për draftin e ri, po konsultohen praktikat e disa vendeve të BE-së, si Franca, Gjermania, Italia, Holanda, Spanja, Polonia dhe Greqia. Çdo gjë është ende në fazë shyrtimi, por një nga dispozitat që është marrë në vështrim është edhe kjo që sanksionohet në ligjin francez: “Dënohen si bashkëpunëtorë të një vepre të cilësuar si krim ose kundravajtje ata që, qoftë përmes fjalimeve, thirrjeve apo kërcënimeve të shprehura në vende apo takime publike, ose me shkrime, printime, vizatime, shkarravitje, piktura, emblema, imazhe, apo çdo gjë që është në mbështetje të shkrimit, fjalës apo imazhit, të shitura ose të shpërndara, të ofruara për shitje ose të shfaqura në vende apo takime publike, qoftë me pankarta apo postera të ekspozuar përpara publikut me çfarëdo mjeti të komunikimit publik në mënyrë elektronike, të kenë provokuar autorin ose autorët për të kryer veprimin e lartpërmendur, nëse provokimi është ndjekur nga zbatimi”. Ky paragraf është përfshirë në Ligjin mbi lirinë e gazetarisë, në kapitullin: Shkeljet e kryera nga shtypi i shkruar apo çdo lloj mënyre publikimi. Po kështu, praktika austriake parashikon edhe autorizimin për hetimin e shpifjes, ndërkohë që në këto vende shifrat e gjobave për shpifje dhe fyerje arrijnë deri në 45 mijë euro dhe burg. Materialet janë me natyrë konsultuese, por nga ajo që praktika europiane ofron është kriminalizimi i shpifjes, në kushtet e një gjyqësori serioz. Mbetet ende për t’u parë se çfarë do të propozojë qeveria shqiptare, ndonëse raporti i saj me mediat aktualisht është variabël i humorit të kryeministrit dhe dy tre bashkëpunëtorëve të tij.
Add new comment