Tjetër “dhuratë” për Shullazin nga Drejtësia. Pushohen hetimet për kërcënimet ndaj Bashës
Emri i tij u përfol së fundmi nga ambasadori amerikan Donald Lu, si person që shijon lirinë pasvarësisht se është i akuzuar për disa vepra kriminale. Emiljano Shullazi mori një tjetër dhuratë nga drejtësia nëse mund të quhet kështu pushimi i çështjes në ngarkim të tij për kërcënim ndaj kryetarit të opozitës, Lulzim Basha.
Një hetim i prokurorisë i nisur në fillim të këtij viti, nuk siguroi prova që të vërtetonin se Emiljano Shullazi kërcënoi kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha.Burime të prokurorisë pohuan se çështja do të arkivohet, pasi veprimet hetimore të kryera deri tani nuk kanë siguruar prova që të konfirmojnë kallëzimin e Ademit. “Ende nuk ka një vendim përfundimtar të prokurorisë, por nga të dhënat e deritanishme, çështja do shkojë drejt pezullimit”, – tha një burim i Prokurorisë së Përgjithshme për Mapo.
Por burime pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda konfirmuan pezullimin e çështjes për shkak të mungesës së provave. Ish-deputetja e PD-së, Voltana Ademi e kallëzoi Shullazin në prokurori, pasi nëpërmjet saj i kishte dërguar një mesazh kërcënues kreut të opozitës. Asokohe, prokuroria tha se nisi një hetim ndaj Shullazit për “shtrëngim me anë të kanosjes për të kryer ose mos kryer veprime të caktuara”, por ky hetim nuk u finalizua me akuzë.
Add new comment