Ministri që rend dhe poston email-e për protagonizëm
Të nesërmen e atentateve në Paris u bë publik një email që kërcënonte ministrin e Brendshëm, Sajmir Tahiri në emër të një organizate të quajtur Brigadat e Kuqe. Është e çuditshme sesi informacione të tilla konfidenciale që mbërrijnë në postën elektronike të ministrit të Brendshëm, dekonspirohen kaq shpejt dhe mbërrijnë në email-et e gazetarëve me qëllimin që lajmi të marrë sa më shpejt dhenë.
Nga policia është e pamundur të marrësh informacione edhe për ngjarje ordionere, e jo më për informacione që kanë të bëjnë me kërcënime terroriste ndaj ministrit të Brendshëm.
Mesa duket e gjithë Shqipëria duhet ta merrte vesh se pararoja e rendit publik në vend është në front lufte jo vetëm me tritolin dhe hashashin, por edhe me terrorizimin.
A i ka kapacitetet ministria e Brendshme për të kuptuar nëse një email kërcënues është një fluksë sapuni apo një rrezik për republikën. Natyrisht që po. Por shtetit ndoshta i mungojnë kapacitetet njerezore për të ndarë seriozitetin nga paaftësia, përfshi edhe drejtuesit më të lartë që sot quhen ministra. Ndoshta ministri i Forcës e ka besuar vetë se e kërcënojnë terroristët dhe ka nxituar ta shesë lajmin në media.
ResPublica mësoi se ka qenë personalisht Sajmir Tahiri që ka insistuar që email-i t’u shpërndahet sa më shpejt disa gazetarëve të preferuar duke treguar më pas padurim a u bë publik lajmi ose jo. Dhe një nga portalet që e publikuan të parët lajmin ishte ai i Fevziut “Opinion”.al në emisionin e të cilit ministri merr linjën sa herë i do qejfi.
Një manovër trashaluqe e ministrit që rend për t’i dhënë rëndësi vetes dhe për të qenë protagonist kur vëmendja e gjithë botës ishtë në ngjarjet tragjike të Francës. Një variabël për të mësuar populli sa shumë punon ministri ynë i Berndshëm. Nëse një mesazh kërcënues do të mbërrinte në email-et e sekretarit të Shtetit Xhon Kerry apo ministrit Francez të Mbrojtjes a do të bëhej publik. Natyrisht që jo, pasi publikut i rezervohen mesazhe të tilla që mund të rrisin panikun dhe pasigurinë . Në rastin e ministrit që na ka qëlluar ta kemi ministër çështja është se nuk ka pasur asnjë rrezik dhe kjo u vërtetua nga hetimet. Po aq sa u vërtetua sharlatanizmi dhe paaftësia e një ministri.
l.mitro
Add new comment