Me humorin e Ilirit!

Postuar në 13 Nëntor, 2015 21:37

Media tregoi interes të madh për takimin e vilës 30 ku Rama e Meta kishin thirrur ministrat e treguar me gisht nga opozita për korrupsion, lidhje kriminale e përfitime nga tendera publikë, Sajmir Tahiri, Ilir Beqaj e Damian Gjiknuri.

Një turravrap i pashpjegueshëm i shtypit për të mësuar nga krerët e pushtetit si po funksionon marrëdhënia mes tyre, kush po ia fut kujt dhe kush po lufton kë, në kuadër edhe të thashethemeve që qarkullojnë se Iliri dhe Edi nuk i kanë punët mirë. Personazhi qëndror i kësaj telenovele është padyshim Ilir Meta, veprimet e të cilit më së shumti hamendësohen nga mediat, pasi ato të kenë ndodhur sipas parimit të afishuar të LSI-së dhe “kapos” së saj Ilir Meta: “me qetësi dhe dashuri”.

Meta ia ka dalë të qëndrojë në politikë me të gjitha format, që nga rebelimi kundër Fatos Nanos, krijimi i partisë së tij personale, mbijetesa në zgjedhje, greva politike, kacavjerrja në tavolinat e kuvendit, dorëheqje, dalje para gjyqit, marrëveshje sa nga e djathta sa nga e majta dhe së fundmi si lokomotiva që udhëheq trenin e socialistëve me makinistin pa timon, Edi Rama.

Shpjegimet që Ilir Meta dha lidhur me takimin që pati në vilën 30 ishin tallëse dhe poshtëruese së pari për mediat dhe së dyti për opinionin publik. Iliri i LSI-së e trajtoi me nota humori dhe ironie interesin e madh të mikrofonave për shëndetin e koalicionit PS-LSI, duke shoqëruar me buzëqeshje dhe komente bajate paqen e radhës me partnerin e padisiplinuar Edi Rama.

“Problemi ynë është se, kur nuk takohemi për shkak të pushimeve, ju gjithmonë konstatoni se ka krizë në koalicion. Por edhe ku takohemi në mënyrë të vazhdueshme, ju përsëri duke dëgjuar thirrjet e Doktorit nga “Facebook”-u, merrni ngarkesat e diskutimeve për probleme të koalicionit”-deklaroi Meta. Natyrisht të tilla deklarata mund të bëhen pas një tjetër manovre triumfuese ndaj kryeministrit që një e dy gdhihet në zyrën e Ilir Metës me ndihmën e faktorit të stabilitetit, Spartak Braho.

Fakti që Ilir Meta po tregohet shumë i durueshëm me Edi Ramën duke e pritur në zyrë vazhdimisht ndoshta e bëjnë kryetarin e LSI-së të besojë se dikush e këshillon keq atë djalë. Ndaj dhe ai sa kohë është në qeveri me Edi Ramën nuk e ka humbur as qetësinë dhe as dashurinë, sepse makinisti duket se nuk ka asgjë në dorë.

Këto shaka (nëse mund t’i quajmë kështu) të Ilirit ndaj kryeministrit vetëm sa turbullojnë drejtuesin e Rilindjes që pas çdo takimi del më optimist dhe më i vendosur për të vazhduar në rrugën e reformave. Por e keqja është se humorin që ka brenda vilës 30, Ilir Meta e vazhdon edhe pasi del prej saj, duke mos nguruar që përmes mikorfonëve që i zgjaten ta përcjellë talljen edhe për audiencën e shqiptarëve.

Të qeshurat e LSI-së duhet të jenë të mëdha pas shpinës së Edi Ramës që vazhdon të ketë bindjen se po transformon Shqipërinë me kontributin e Ilir Beqajt, Damian Gjiknurit apo Saimir Tahirit..Edhe shqiptarët janë të detyruar që këtë qeverisje ta shtyjnë me humorin e Ilirit, duke mos u çuditur nga hapat e sigurtë në rritje të LSI-së dhe vozitjen e lodruese të makinistit që flet për Rilindje..

l.mitro

 

 

 

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.