Tone kritike drejt Gjermanisë nga Varshava

Postuar në 11 Nëntor, 2015 11:21

Ekipi i kryeministres së ardhshme polake, Beata Szydlo po shkakton që tani diskutime. Në politikën e jashtme mund të dalin shpejt në pah interesa kombëtare.
Në Berlin mund të përgatiten për tone të reja nga Varshava: sepse për ministrin e ri të Jashtëm të Varshavës, Witold Waszczykowski thuhet se ka gjuhë të mprehtë. Waszczykowski është diplomat me përvojë. Ai ka mbaruar Universitetin e Oregonit dhe ka qenë përfaqësues i Polonisë në NATO si dhe negociator në bisedimet për mbrojtjen raketore amerikane në Poloni. Pas një periudhe si ambasador i Polonisë në Teheran, në vitet 2005-2008 ai ka qenë zëvendësministër i Jashtëm i Polonisë. Bashkëpunimin e ngushtë politik me Gjermaninë ai e sheh më tepër me skepticizëm. Vetëm pak kohë më parë ai tha në një intervistë në një gazetë se qendrimi i ish-Ministrit të Jashtëm, Radoslav Sikorski ndaj kësaj çështjeje përfaqëson një "perversitet". "Sikorski pohon se bashkëpunimi me Gjermaninë do të na sjellë më pranë bërthamës vendimore të BE. Kjo rezultoi përfundim i gabuar. Në cilat vendime po marrim pjesë? Në ato për zgjidhjen e konfliktit ruso-ukrainas? Në ato për politikën energjetike dhe për ndërtimin e tubacionit të furnizimit me naftë e gaz Nordstream 2? Në zgjidhjen e problemit të refugjatëve? Me siguri që jo", mendon Waszczykowski.

Witold Waszczykowski, ministër i Jashtëm
Por në një intervistë tjetër ai i relativizoi thëniet e tij duke thënë se nuk "duhet demonizuar qëndrimi kritik ndaj Gjermanisë." "Ne duam të përfaqësojmë interesat tona dhe shpresojmë për kompromise", qartësoi ai. Ai theksoi disa herë se ekonomia e Polonisë dhe e Gjermanisë jetojnë në "një simbiozë". "Nuk është fjala që të keqësohen marrëdhëniet me Gjermaninë. Ne kemi theksuar disa herë se jemi të interesuar të kemi marrëdhënie të mira me Gjermaninë, sepse është bashkëpunimi që ia vlen për ne nga pikëpamja ekonomike. Ne do të përpiqemi që ky bashkëpunim të formësohet më fort në frymë partneriteti," tha Waszczykowski në një intervistë televizive.
Ithtar i teorive të komplotit

Antoni Macierewicz, ministër i Mbrojtjes
Por debatet më të mëdha i shkakton megjithatë emërimi i Antoni Macierewicz-it si ministër i Mbrojtjes. Për kundërshtarët e nacionalkonservatorëve kjo është një shenjë e qartë se po përgatitet një kthim në politikën e viteve 2005-2007. Atëherë, qeveria e Jaroslaw Kaczynskit u përqendrua në luftimin e armiqve realë ose të supozuar të shtetit. Macierewicz-i u bë atëherë i ngarkuar i Qeverisë për punën e Shërbimit Informativ Ushtarak, një vend që gjithmonë është përfolur si strehë për lidhjet e vjetra komuniste. Në periudhën kur partia e tij PiS ndodhej në opozitë, Macierewicz-i ishte kryetar i "Komisionit Hetimor për sqarimin e katastrofës së Smolenskut." Ky ishte një organ që konkuronte me institucionet shtetërore dhe që u vinte pikëpyetje rezultateve zyrtare të hetimeve. Macierewicz-i nuk e përjashton as sot, që vëllai i kryetarit të PiS dhe njerëzit që e shoqëronin ranë viktimë e një atentati. Natyrisht që vëmendja e Macierewicz-it është e drejtuar nga Rusia. Gjermaninë ai e kritikoi së fundi në lidhje me krizën e refugjatëve. "Ishte zonja Merkel, që si reagim ndaj valës së refugjatëve i ftoi këta njerëz në Gjermani. Pasojat e pakujdesisë së saj e frikësuan atëw dhe pasojat duhet t'i përballojnë tani evropianët e tjerë", i tha ai së fundi gazetës "Do Rzeczy".

Reagime pozitive përtej kufijve partiakë nga ana tjetër solli emërimi si ministër për Evropën i politikanit për Evropën të PiS, Konrad Szymanski. Szymanski konsiderohet si një nga ekspertët kryesorë në politikën energjetike e me lidhje të mira në Bruksel.

Ekspertja nga Varshava Agnieszka Lada thotë se "politika e kësaj qeverie do të përqendrohet në mbrojtjen e interesave polake, ashtu siç i kupton ato PiS. Prandaj duhet të përgatitemi për ndryshime."
DW

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.