Guri i fundit i dominosë

Postuar në 09 Nëntor, 2015 20:56
Aleksandër Meksi

Ilir Demalia dhe libri i tij 

Ata që e jetuan ndodhinë, atë që ne sot e përmendim me emrin 2 Korriku apo Ambasadat, nuk mund ta harrojnë, në cilindo krahë të barrikadës politike ishin dje apo janë ende sot.

Parabola e shembjes së diktaturës enveriste në Shqipëri, si rezultat i dështimit ekonomik e politik të sistemit komunist në botën lindore, trajtat e të cilit ishin në vartësi të shkallës së zhvillimit e emancipimit të secilit vend, mori një tatëpjetë me rënien e murit të Berlinit dhe vrasjen e diktatorit rumun Çaushesku. Të dyja këto ngjarje  ishin një mesazh mjaft folës për diktaturën komuniste në Shqipëri.

Kaluan muaj dhe u pa sheshit se “liderët” nuk dëshironin ndryshimin e qeverisjes, nuk deshën liberalizim të jetës politike e ekonomike të vendit, nuk deshën pluralizëm politik, nuk pranonin TV  lironin të burgosurit politik. Për shqiptarët e jo vetëm për kundërshtarët e regjimit, durimi po soste dhe filloi të ndihej e të lëvizte një frymë proteste.

Pikërisht me këto ndodhi fillon libri i Ilir Demalisë, dhe këtu duhet të vëmë në dukje se ai flet për përjetimet e tija, ndodhitë ku është përfshirë, me emra të përveçëm të të pranishmëve (që ne dhe mund ti pyesim), flet pra mbi fakte që dokumentohen dhe njihen. Nuk flet pra për veten e tij por  vetëm çka di, jo për çka ka ndi. Libri fillon me këto ngjarje dhe mbyllet me largimin nga Shqipëria më 13 Korrik të atyre që guxuan dhe sfiduan regjimin. Iliri nuk flet e as nuk jep mend për gjëra që nuk i ka jetuar e nuk i njeh. Nuk e nxjerr veten si hero e qendra e ngjarjeve, përmend gjithashtu këdo që është pjesëmarrës e dëshmon. Dhe kjo sot nuk është pak për mënyrën se si po e tregojmë historinë bashkëkohëse që  e kemi jetuar të gjithë.

Ndihej në ato ditë fillimviti 1990 se një erë e re po frynte më së fundi edhe për shqiptarët, që perëndimi i kishte harruar. Njerëzit filluan të shpresojnë, por ndihej dhe fakti që hierarkët e Tiranës nuk kishin ndërmend të ndryshonin. Pikërisht këto muaj Ilir Demalia përshkruan me imtësi, duke interpretuar qëndrimet e shtresave të shoqërisë shqiptare, por dhe të disa individëve me emër. Përshkruan si dredhitë e atyre që parapëlqyen të “hanin bar” por nuk dorëzoheshin, ashtu dhe ngritjen e pakënaqësisë dhe fillimin e vrasjes së frikës me manifestimet reale apo të heshtura në Shkodër, Tiranë, Kavajë e gjetkë.

Në mënyrë të hollësishme Ilir Demalia paraqet, analizon e shpjegon hapat e regjimit pjesë e një “strategjie” mashtruese për mbajtjen e pushtetit nga Partia e Punës (dhe atë personal të atyre “që ju takon”), duke u shprehur me të huajt ndryshe nga çfarë flitej në parti, apo me mbrojtjen që i bënin tezave zyrtare  intelektualët komunistë në shtypin e partisë dhe të levave  të saj. Paralel me këtë tablo jepet në Libër çfarë ndodhte në terren, si reagonin “masat” dhe si shprehet dëshira e tyre për ndryshim real, jo për tualet fasade demokratizimi.

Jo pa interes dhe vlerë  janë bisedat e tij me intelektualë në zë të kohës, për problemet e vendit dhe nevojës së ndryshimit, dhe çdo herë vërente se zgjidhjet i kërkonin brenda sistemit, që i privilegjonte. Janë pra sqarime interesante për të kuptuar rolin e inteligjencës së regjimit. Po aq me interes është dhe demaskimi për vrasjet makabre në kufi, ndërkohë që flitej për liberalizim dhe demokratizim, për dhënie pasaportash, falsiteti i të cilave ishte i qartë në atë kohë por çuditërisht i harruar sot.

Në një kuadër të tillë mosbesimi ndaj regjimit fillon në mes të muajit Qershor ajo që quhet Ambasadat. Fillon me futjen e disa të rinjve në ambasadën greke e që pasohet me atë italiane, duke shpërthyer portën me kamion, atë Turke e ndonjë tjetër, si dhe largimi i një pjese me viza. U vu re një ulje e rruajtjes së ambasadave dhe Iliri ndalet duke analizuar në shumë aspekte dukurinë e futjes në ambasada gjatë Qershorit dhe Korrikut, sidomos 2 Korriku dhe futjen masive të  shqiptarëve në Ambasadën Gjermane, qëndrimin e shtetit komunist  dhe atë të personelit të ambasadave. Analizon shkaqet, si ndodhi dhe rezultatin duke dhënë shpjegime me vlerë.

Në libër do të gjeni në formën e një ditari realist odisenë e atyre djem e vajza burra e gra me fëmijë, që sfiduan regjimin, morën parasysh rrezikun dhe u larguan duke i dhënë regjimit goditjen e parë reale dhe më të rëndë, që i tronditi themelet dhe i shkaktoi më vonë shembjen e pashmangshme, por që njëkohësisht i tregoi dhe botës demokratike dëshirën e shqiptarëve për liri, demokraci e përparim.

Ilir Demalia e mbyll librin me largimin e popullit të Ambasadave nga Shqipëria. Ai flet për gjithë ato muaj që paraprinë Ambasadat, dhe vëtë ndodhinë sepse i jetoi dhe i dëshmoi. Ai jep një mësim që të mos flasim për gjëra që nuk i dimë e par legjenda urbane, dhe nuk i jep mësim kujt përderisa nuk jeton këtu me ne.

Libri i shkruar mirë dhe me gjuhë të kuptueshme duhet lexuar, për disa të kujtojnë  ato kohë dhe emocionet tona të atëhershme, për të tjerët, që sot janë shumica (ata në moshën nën 40 vjeç), që të mësojnë historinë e për të kuptuar se çfarë ishte  e si rrëzohet diktatura kur shumica ngrihet.  Libri gjithashtu duhet të jetë një nxitje për studime për atë kohë që para priu Dhjetorin. Njëherazi duhet përgëzuar Shtëpia Botuese “Marin Barleti” për këtë botim të bukur.

 

Tiranë 8 Nëntor 2015

 

Comments

Submitted by edmond bermema (not verified) on

POSHTE KOMUNIZMI...........RROFTE DEMOKRACIJA...
Rrespekte per cunin e Tirones z. Ilir Demalia

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.