Cilat Reforma?

Postuar në 07 Nëntor, 2015 15:33

Zgjedhjet e vitit 2017 po afrojnë dhe qeveria ka ndërmarrë një tur të ri dialogimi me qytetarët, nga ato të cilat tanimë njihen si seriali: “Gju më gju me popullin”. “Të pastrojmë Shqipërinë” quhet turi në fjalë dhe me gjasë synon rivendosjen e kontakteve me shqetësimet e njerëzve, që janë të pakënaqur “për shkak të kostos së reformave”, siç na thotë zv.kryeministri Niko Peleshi. Që në këtë lloj ligjërimi, apo terminologjie, nis edhe problemi. Sepse askush nuk pranon të ndajë masat korrigjuese dhe zbatimin e ligjeve në fuqi, nga ato që do të duhet të jenë reformat e vërteta, e që janë ndryshime legjislacioni, organizimi, ndryshimi i klimës, çlirimi i energjive që pengohen nga një status quo juridike e institucionale etj.. Për ilustrim ajo që kjo mazhorancë po bën me sistemin e Drejtësisë quhet reformë, sepse preken një sërë hallkash, ndryshojnë balancat e brendshme në sistem, arkitektura institucionale përfton një peizazh të ri. Por kur zv.kryeministri konsideron reformë aksionin kundër informalitetit në ekonomi, në pagesat dhe vjedhjen e energjisë elektrike etj., kjo pastaj provon për probleme serioze të përdorimit të populizmit si hope zhvillime. Tha Peleshi: “Puna dy vjeçare ka pasur si qëllim ndërtimin e një mentaliteti të ri. Lufta kundër informalitetit është mënyra si qeveria ka trajtuar informalitetin në energji, ka lejuar formalitetin në ekonomi, universitete, edukim. Ne bëmë zgjedhjen tonë, zgjedhjen e vështirë të reformave. Jemi të vetëdijshëm që reformat afatshkurtër kanë koston e tyre, por janë investimi më i mirë dhe i duhur për Shqipërinë e gjeneratës tjetër”.

T’i marrim me radhë disa:

Qeveria nisi me Lazaratin një aksion masiv policor për ndërprerjen e kultivimit të bimëve narkotike. Askush nuk e kritikoi qeverinë për këtë, përveç ndonjë deputeti të saj. Mirëpo pas Lazaratit problemi i kultivimit të drogës është bërë problematik në shkallë vendi; shifrat dhe faktet e provojnë këtë, sikurse nuk mund të mohohet se ka një luftë në vazhdim kundër drogës. Pas Lazaratit figura e ministrit të Brendshëm është vënë disa herë në qendër të akuzave me bazë, por edhe me autorësi, ka nisur trafiku me avionë, janë implikuar punonjës policie etj.. Gjithë pra një shpërthim trafiku që na provon të gjithëve se lufta kundër drogës kërkon strategji, sidomos në mbylljen e boshllëkut ekonomike që pason, strategji që shohim se nuk ekziston.

Nisma e dytë ishte rimëkëmbja e sistemit energjetik. Qeveria dhe drejtues të saj kanë shumë dëshirë të quajnë mbledhjen e borxheve, ndalimin e vjedhjes së energjisë si reforma. Mirëpo teksa përdoren këto terma, "harrohet" se ato kanë qenë vepra penale edhe më parë. Pra njëspk të dënueshme. Thjesht dikush po zbaton ligjin në fuqi që parashikonte sanksionet përkatëse. Dhe zbatimi i ligjit nuk ka sesi të quhet reformë. Qeveria nuk ka dhënë asnjë informacion, meqenëse këtë e ka praktikë, të rezultateve të aksionit të energjisë tek biznesi i madh, tek operatorët vip, madje edhe në Bllok në Tiranë. Ka qarkulluar një listë me debitorë prej qindra milionë lekësh ndaj CEZ-it, listë e cila po të besojmë deputetin socialist Ben Blushi, në disa emra është fshirë. Vijmë këtu te selektiviteti që fshihet pas show-t me policë që kapin “hajdutë” 50 mijë lekësh energjie për t’i nxjerrë si viktima të një zhvillimi pozitiv, i cili siç u pa thjesht e përdori terrorin psikologjik, pasi kamatat e debitorëve, që ishin disa fish mbi detyrimet, thjesht u fshinë në masën 80%. 

 Aksioni kundër informalitetit që ka nisur në ekonomi është më grotesku në mënyrën si po zbatohet dhe me synimet që pretendon se ka. Të nisësh një aksion kundër informalitetit nga shitësit ambulantë është poshtëruese. Është të kthesh çdo sektor që paguhet me paratë e taksapaguesve në një lloj xhandari që merret me ruajtjen e rendit nga mendjeprishurit. Lufta kundër informalitetit, ajo e vërteta, ajo që do bënte shumë vip-a të mos takoheshin dot më me kryeministrin, e lëre më të hanin dreka e darka, është detyrimisht e lidhur me ndërtimin e mekanizmave ligjorë e instituconalë të konsolidsuar dhe sidomos me rezultate kokrete në luftën kundër korrupsionit. Janë dy hallka të të njëjtit mekanizëm. Qeveria sugjeron spiunimin e tatimorëve që shkelin ligjin në këmbim të parave. Burgosjen për moslëshimin e kuponit tatimor. Hipergjobitjen për shkelje administrative minimale. Nëse kjo quhet reformë, atëherë është hera e parë që po realizohet policimi në ekonomi. I cili do dështojë patjetër për të sjellë kosto të mëdha dhe informalitet të shtuar e të sofistikuar.

Qeveria ka konsumuar kështu gjysmën e një mandati duke shpalosur qartë se nuk e njihte realitetin e vendit, se ka bërë opozitë kuturu dhe me shpresën se dikur do të vijë në pushtet. Se nuk ka as vizion dhe as një strategji të qartë se kush janë prioritetet – kuptohet përveç konçesioneve – dhe se çfarë profili do të ketë Shqipëria në të ardhmen. Rihapja e sektorit të ndërtimit së fundmi, përveçse i nevojshëm, na provon se dimensioni mendor që kjo qeveri ka për ekonominë, nuk po kapërcen dot atë të një bashkie. Natyrisht do të ishim të padrejtë të mos shtonim se disa gjëra po i bën më mirë se Saliu. Të padrejtë edhe sepse vetëm dy vjet më pas, ky është metri i krahasimit dhe i gjykimit mbi suksesin. 

Comments

Submitted by Albi_I (not verified) on

Nuk po vret akoma me duart e saj, kete po ben me mire se Saliu. Po edhe Saliu nuk vau me duart e tij ne 2 vitet e para.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.