Deklarata shpërudhëse e Ramës

Postuar në 06 Nëntor, 2015 21:55

Gjatë emisionit Top Story të mbrëmshëm, Edi Rama i akuzoi disa herë analistët përballë tij (Mustafa Nanon, Skënder Minxhozin, Arjan Vasjarin), si edhe analistët e gazetarët shqiptarë në përgjithësi, se i marrin për të mirëqëna deklaratat e politikanëve, pa i verifikuar apo analizuar me thellësi ato. Mustafa Nano, duke sfiduar sy më sy Ramën, u bëri thirrje publike kolegëve shqiptarë që t’i drejtohen për ndihmë Nanos, nëse duan të marrin nga zyrat e qeverisë dokumente dhe informacione, në funksion të analizimit të thellë të ndonjë deklarate të politikanëve.

Duke marrë një shkëndijë nga ky incident i mbrëmshëm në Top Story, vendosa të analizoj në thellësinë e shkallë së parë një deklaratë që bëri në emision Rama rreth rritjes së të ardhurave buxhetore vjet. Por për të analizuar atë deklaratë në këtë shkallë, nuk do të më  duhet ndihma e Nanos – të dhënat për këtë analizë gjenden lehtësisht në faqen e internetit të Thesarit të Shtetit dhe janë nga më të monitoruarat prej FMN-së, Bankës Botërore, BE-së, dhe Bankës së Shqipërisë.

Deklarata e Ramës ishte se rritja prej 43 miliardë lekësh e të ardhurave buxhetore vjet (krahasuar me një vit më parë) ia kalonte rritjes në 5 vjetët më të mirë të qeverisë Berisha, të marrë së bashku. Nga pikpamja arithmetike, kjo deklaratë është e saktë. Por nga pikpamja statistikore, ajo është shpërudhëse (misleading do të quhej në anglisht). Dhe ja përse.

Në statistikën ekonomike, kur bëhet krahasimi kohor i rritjes së të ardhurave buxhetore, nuk përdoret rritja nominale (siç bëri Rama), por përdoret treguesi standard i përqindjes së tyre ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB). Ky tregues, duke treguar se ç’pjesë e vlerës së PBB-së vilet nga shteti, zhvesh ndikimin mbi të ardhurat që ka rritja ekonomike dhe rritja e çmimeve nga viti në vit.

Duke përdorur këtë tregues, rezulton se në Thesarin e Shtetit, u fut vjet 26.3% e vlerës së PBB-së. Një përmirsim i ndjeshëm ky ndaj një viti më parë, kur treguesi ishte vetëm 24%. Por në qoftë se shkojmë në të tjera vite të mëparshme (shih grafikun bashkëngjitur), shohim se viti më i mirë për vjeljen e të ardhurave ka qenë 2008-ta, kur ky tregues ishte 26.9%. Ndersa ne vitet 2006, 2007, 2009 e 2010, në Thesarin e Shtetit, u futën 26.0% - 26.2% të vlerës së PBB-së 

Në 6 muajt e parë të 2015-ës, në Thesarin e Shtetit u fut 26.3% e vlerës së PBB-së – shumë më poshtë kjo shifër se objektivi vjetor 27%. Dhe gjasat janë që ky objektiv të mos arrihet në muajt e mbetur.

Mbetet të shihet nëse rekordi i arritur në vitin 2008 (26.9%), do të thyhet në vitin e ardhshëm…

E.Zaloshnja

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.