Makthi që sjell para

Postuar në 05 Nëntor, 2015 10:51

Është kaq e fortë dhe ndjellëse, saqë vetë Napoleoni thoshte se mund t’ia ndiente aromën që nga anija sa herë që kthehej në Korsikë ende pa e parë bregun. Legjendat thonë gjithashtu se lulet e kësaj bime thaheshin për t’ua ofruar Zotave Grekë. Fantazia me siguri po ju çon shumë larg tani, por ajo që mund t’iu themi është se kjo bimë është pjesë e mjekësisë tradicionale në vendet e Mesdheut. Edhe pse popullaritetin e ka në të gjithë botën për shkak të vajit të tij tejet të shtrenjtë, kjo bimë rritet edhe në Shqipëri. Sigurisht që po flasim përHelichrysum italicum (e njohur në shqip si makthi). Kjo bimë mrekullibërëse ka nisur të rritet në vitet e fundit në zonën e Koplikut në Malësinë e Madhe, në Lezhë dhe në një pjesë të vogël në kodrat e Tiranës.

Përmes projektit SAVS të USAID dhe AAC Lushnja janë asistuar fermerët e këtyre zonave për ta kultivuar këtë bimë mjekësore, e cila njihet si lulja që i buzëqesh diellit. Por në fakt, po u buzëqesh dhe banorëve të Koplikut, të cilët arrijnë të sigurojnë jetesën nga kjo lule e re e cila ka një potencial të madh për biznes, siç pohon për Agroweb dhe Piro Rrapushi i AAC Lushnja. “Shoh një potencial të madh tek kjo bimë, veçanërisht në zonën e Koplikut dhe të Lezhës. Ne kryem një studim fizibilieti, i cili na rezultoi i suksesshëm”. Momentalisht ka rreth 54 ha të mbjellë me helychrysum, por siç dhe pohojnë ekspertët, pritet që të shkojë deri në 100 ha. Çka do të thotë se 100 familje nga Malësia e Madhe mund të sigurojnë jetesën e tyre falë kësaj bime, për vajin esencial të së cilës ka kërkesa shumë të mëdha në tregun evropian, veçanërisht në atë austriak.

Por gjithashtu një tjetër zonë që ka nisur ta kultivojë helychrysum është Tirana. Besnik Koçi, i cili prej disa vitesh merret me bimët medicinale dhe me distilimin e tyre në vaj esencial, thotë për Agroweb se pas sherebelës, kjo është bima medicinale me më shumë potencial. “Eshtë një biznes shumë fitimprurës, duke qenë se kërkesa është shumë e lartë. E vetmja gjë për të cilën do të na duhet të punojmë më shumë është cilësia e vajit”. Në tregun evropian 5 gram vaj helichrysum shitet për 20-30 Euro.

Shoh një potencial të madh tek kjo bimë, veçanërisht në zonën e Koplikut dhe të Lezhës

Por tani me siguri do të jeni duke pyetur: “Po çfarë ka ky vaji kaq të veçantë?” Shumë gjëra në fakt. Helichrysum italicum (ose makthi) është një vaj esencial shumë unik në komponentët e tij molekularë. Eshtë vaji i vetëm që përmban të ashtuquajturat de-kitone që janë të sigurta por dhe shumë të fuqishëm, përbërësit e së cilës njihen për vetitë anti-inflamatore por gjithashtu ka veti të shkëlqyera relaksuese. Rigjenerues, anti inflamator, qetësues e çfarë mund të kërkosh më shumë nga një vaj terapeutik.

Aroma e Helichrysum të bën të ndihesh mirë dhe ka një efekt në psikikë që mund të ndihmojë në lirimin e emocioneve negative. Sipas Gabriel Mojay eskpert në Terapinë e Aromave: "Këto janë zakonisht emocione që nuk tregohen, gjysëm zemërimi, hidhërimi dhe një qëndrim negativ prej kokëforti”. Helichrysum është një vaj esencial i shkëlqyer për masazhe relaksuese pasi ndikon si në aspektin fizik edhe në atë psikologjik, duke lehtësuar dhimbjen.

Siç dhe mund ta shihni, Helichrysum mund të shërbejë si një ilaç shërues për të gjithë ata që kërkojnë metoda më natyrale. Eshtë një vaj aq i sigurtë sa që mund të përdoret nga profesionistët e shëndetit pa hezitim. Vërtet që është një vaj shumë i shtrenjtë, por mjaftojnë vetëm disa pika për të bërë mrekullinë dhe është një investim për ta patur në dollapin tuaj të ilaçeve në shtëpi.

Aktualisht ka mbi pesëqind lloje të bimës Helichrysum; shumë ndajnë të njëjtat karakteristika si ngjyra jeshile dhe lulet e verdhë të ndritshme. Por është vetëm Helichrysum 'Italicum' ajo që prodhon vajin esencial të përjetshëm, bimë që rritet edhe në vendin tonë. Një vaj, për të cilin ka kërkesa në të gjithë botën, por që në fakt të paktë janë ata që kanë mundësi ta kultivojnë duke qenë se kërkon një klimë mesdhetare, të cilin e ka Shqipëria. Së bashku me sherebelën, levandën dhe çajin e malit, helichrysum mund të kthehet në një potencial të madh për Shqipërinë. Pasi pse jo edhe ne mund të kemi L’immortelle d’Albanie.

http://agroweb.org/?id=10&l=626&ln=sq&url=makthi-qe-sjell-para#sthash.3e...

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.