Moratoriumi i borxhit, tenderat,Toyota Prius
Kur FMN-ja vendosi t’i japë Shqipërisë një kredi të butë 3-vjeçare për 330 milionë euro (duke filluar nga janari i 2014-ës), kushti kryesor që na vuri ishte reduktimi i borxhit publik – atij të deklaruar dhe atij të padeklaruar. Dhe jo më kot.
Nga 1 janari i 2014-ës e deri më sot, shpenzimet e interesave për borxhet e akumuluara ndër vite dhe për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura të qeverisë së mëparshme kapin vlerën 1.2 miliard dollarë (me kursin e këmbimit të atëhershëm). Kjo shumë është 25% më e lartë sesa shpenzimet kapitale të kryera gjatë së njëjtës periudhë. Thënë ndryshe, shteti shqiptar ka shpenzuar 25% më shumë për të shkuarën sesa për të ardhmen.
Që e shkuara të mos i bëhet barrë të ardhmes, duhet pra që, gradualisht, barra e borxhit të ulet nga viti në vit. Dhe për këtë duhen rritur të ardhurat, por edhe duhen shpenzuar me nikoqirllëk ato.
Nuk i falet shtetit shqiptar që të mbledhë të ardhura sa 27% vlerës së Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndërkohë që fqinji ynë verior, Mali i Zi, mbledh 34% (me taksa më të ulta se sa tonat). Nuk i falet shtetit shqiptar që të mos i mbledhë 150 milionë eurot që i kanë borxhë biznesmenët me makina luksoze (që përmendi Drejtoresha e Tatimeve në një intervistë dje). Nuk i falet shtetit shqiptar që mallrat të shiten pa fatura e kupona fiskalë apo me fatura/kupona që tregojnë vetëm gjysmën e vlerës së shitur. Nuk i falet shtetit shqiptar që të mos mbledhë as gjysmën e taksave të pronës apo të vlerës së ujit që furnizojnë ujësjellsat. Nuk i falet shtetit shqiptar që të mos mbledhë një më një lekët e energjisë elektrike, etj. etj.
Por nga ana tjetër, shtetit shqiptar nuk i falet të mos jetë nikoqir me të ardhurat që mbledh nga populli pothuaj më i varfër në Europë. Në qoftë se mbledh të ardhura sa 27% vlerës së Prodhimit të Brendshëm Bruto, nuk duhet të shpenzojë sa 30% e saj. Sepse përndryshe, i bie që t’i shtojë borxhit të vjetër rreth 450 milionë dollarë borxh të ri në vit.
Në këto kushte, ndoshta është e domosdoshme që të shpallet një moratorium disavjeçar i borxhit, sipas të cilit, shpenzimet buxhetore duhet të mos i kalojnë të ardhurat vjetore. Me një moratorium të tillë, të shprehur në ligj, qeveria do të detyrohet të jetë më dorështrënguar me tenderat, udhëtimet, dietat, karburantin, personelin etj. Dhe pastaj, kur të shqyrtojë zëvendësimin e makinave shtatërore, nuk do të mendojë për të marrë me qira afatgjatë jaguarë, por Toyota Prius, siç i sugjeroi ambasadori amerikan…
E.Zaloshnja
Add new comment