Në prag të rënies së madhe financiare globale

Postuar në 02 Nëntor, 2015 19:52

Paul Mason, editor i çështjeve ekonomike në Channel 4 News shkruan një opinion për pikiatën financiare dhe ekonomike ku po hyn bota. Opinioni është botuar në gazetën e njohur “The Guardian” me një titull alarmues: Prag Apokalipsi:  a ka nisur shkërmoqja financiare e madhe? Madje edhe fotoja shoqëruese është një bombë bërthamore që shpërthen, si për të emfatizuar pasojat e mëdha traumatike që do të sillte rënia ekonomike si e viteve ‘29-33.  Arsyeja e kësaj sinteze që çon në pesimizëm është kriza e vitit 2008 dhe sidomos roli i bankave qendrore në meanxhimin e saj. Borxhi dhe emetimi i parasë së lirë në masë 12 trilionë dollarë, janë hallkat që tërheqin botën drejt rënies. “...Borxhi i papërballueshëm. Që nga viti 2007, borxhi në shkallë globale është rritur në 57 trilionë dollarë. Borxhet janë dyfishuar në vendet e ashtuquajtura në zhvillim dhe është trefishuar në vendet e zhvilluara. John Maynard Keynes shkruante dikur se “paraja është një lidhje me të ardhmen”. Kjo do të thotë se ajo çfarë bëjmë me paranë është një sinjalizues i asaj që mendojmë se do të ndodhë në të ardhmen. Ajo çfarë kemi bërë me kreditimin që nga kriza globale e vitit 2008 është zgjerimi i tij më shpejt se vetë ekonomia – që mund të bëhet si akt i arsyeshëm vetëm nëse ne mendojmë se do të kemi një të ardhme më të pasur sesa e tashmja”, shkruan Mason. Problemi pra është serioz, pasi parë nga ky këndvështrim, në pyetje merret e gjithë politika reaguese ndaj krizës. Dhe kjo politikë ka sot si bilanc shtimin e problemit, kthimin e tij në peshë për vetë sistemin duke zbuluar se institucionet financiare ndërkombëtare dhe bankat qendrore nuk ditën të parashikojnë dhe të përshtasin politikat e duhura. Probleme serioze paraqet edhe treguesi i çmimeve në shkëmbimet tregtare, rënia e tyre për mallra bazë si nafta dhe mineralet, rënia e ritmeve të motorrit të rikuperimit të pas 2009-ës , ekonomisë kineze, rishikimi  rritjes ekonomike nga Japonia dhe SHBA. Pra gjithë bota ku është përqendruar prodhimi dhe ku rreh zemra ekonomike e botës është në ngadalësim. Parashikimi mbetet i vagullt: “Gjithë çka dimë është se ka mosbalancim mes rritjes së kreditimit, rënies së rritjes, çmimeve dhe tregtisë dhe një tregu financiar të sëmurë që aktualisht vijon regresin, ndërkohë që paraja vërshon nga një sektor në tjetrin, apo nga një rajon gjeografik në tjetrin”, vijon Mason, sipas të cilit rreziku kryesor për botën nuk është fluska e deflacionit, por ngecja në rrjetën e gjeopolitikës, pra vendosja e saj si prioritet. Loja me çmimet e naftës së fundmi, sillet si shembull domethënës për të kuptuar se aty nuk ka realisht një manovër që bazohet te kërkesat ekonomike. Por ky supozim na çon disi më afër, te kriza greke, ku ndërhyrja e Europës erdhi më shumë si nevojë e llogarive gjeopolitike franceze, sesa si pasojë e analizës së duhur. Për këtë arsye paradoksi i pikëpamjes greke të daljes nga Eurozona me referendum afrohet me projektin e ministrit gjerman të Financave, Schauble. Por në fund vendosi politika. 

http://www.theguardian.com/commentisfree/2015/nov/01/financial-armageddo...

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.