Erdogan, adhurimi ndaj modelit të gabuar*

Postuar në 03 Nëntor, 2015 10:25
Afrim Krasniqi

Ka bërë lajm në disa media perëndimore festa në Prizren apo Tetovë e disa shqiptarëve për fitoren e radhës në zgjedhje të AKP-së në Turqi. Nuk ka asnjë rast kur shqiptarët të kenë dalë për të festuar fitoret politike të kandidatëve të radhës në SHBA, Gjermani, Francë apo Britani,-vende që kanë rol specifik në politikat globale dhe në gjeopolitikën në rajon,-por është e treta herë që festohet për pushtetin e Erdoganit, sundimtarit të Turqisë së sotme.

Duket paradoks, por 103 vjet pas shpalljes së Pavarësisë nga Perandoria Otomane, në pjesët shqiptare vijon të festohen ngjarjet e ish-perandorisë. Për më tepër kur modeli që Perandoria la, me Ataturk, modeli i një shteti laik dhe modern, është shumë i ndryshëm nga modeli thellësisht konservator dhe problematik i sundimtarit të ri të Turqisë.

E drejta për të festuar është personale dhe kushdo mund ta bëjë këtë. Njësoj si në ndeshje futbolli apo ngjarje të tjera jashtë hapësirës shqiptare. Por kur në mediat sociale lexohen postimet dhe komentet rreth këtyre festave atëherë kuptohet se nuk është thjesht pretekst për festë, por një linjë festimi e organizuar, celebrim me element provokativ ndaj identitetit shqiptar dhe adhurim ndaj një modeli, i cili gjithnjë e më pak ka të bëjë me demokracinë dhe familjen e vlerave evropiane të cilave shqiptarët duhet dhe synojnë tu përkasin.

Në këto rrethana festa të tilla janë fyese, janë provokuese, janë regres dhe një sinjal për krizën e thellë morale, identitare dhe politike në të cilën po kalojnë shoqëritë shqiptare. Për më tepër, ato janë alibi për më pak demokraci, thirrje për më shumë autoritarizëm, ftesë për më shumë arrogancë ndaj mendimit kritik dhe një sistem vertikal drejtimi që kufizon ndjeshëm demokracinë në funksion, në përfaqësim dhe në jetësim.

Shoqëritë e emancipuara dinë të dallojnë vlerat nga antivlerat apo devijimi i tyre, sistemin e meritës nga sistemi i imponimit të meritës, politikën që përfaqëson me politikën që dikton, modelin prej të cilit frymëzohesh nga modeli prej të cilit rrezikohesh. Kjo vlen, sidomos për shoqëritë shqiptare. A nuk kemi sot një shumicë qytetare në Kosovë, Tetovë e Tiranë që ndjehet e papërfaqësuar dhe kritike me cilësinë e demokracisë dhe shtetit të së drejtës? A nuk kemi tregues të zhgënjimit tek sistemi demokratik dhe cilësia e qeverisjes? A nuk kemi krizë ekonomike dhe dilema rreth sigurisë sociale për të ardhmen?

Dhe kush është zgjidhja? Rendja pas modeleve që i zgjidhin këto probleme, apo drejt modeleve që i shkaktojnë dhe ushqejnë këto modele? Në fund të fundit, çfarë festohet: mbajtja e gjatë e pushtetit, modeli i liderit suprem, forca për të kontrolluar gjithçka apo një sistem i hapur vlerash e konkurrimi? Përse qenka frymëzues lideri që sundon një vend mik prej 14 vitesh nën kritika të forta të të gjithë institucioneve vendore dhe ndërkombëtare të të drejtave të njeriut? A nuk provuan shoqëritë shqiptare domethënien e shkeljes së të drejtave dhe a nuk kanë mësuar ato ende rëndësinë e tyre për një shoqëri të hapur dhe shtet funksional demokratik?

Festa në Prizren e Tetovë zgjidhjen e kërkon tek thellimi i kontrastit midis pakicës që sundon dhe shumicës që nuk përfaqësohet. Turqia e sotme, fatkeqësisht, nuk është një model inspirues demokracie. Gazetarë e media kritike janë në burgje, politikanë dhe qarqe intelektuale liberalë janë në burgje, shanset e konkurrimit janë të kufizuara dhe se cilësia e besimit tek shteti demokratik është dukshëm i cenuar.

Turqia ndryshe, Turqia demokratike, konkurruese, funksionale dhe e besueshme do të ishte pasuri për Evropën, fqinjët, rajonin dhe miqtë e saj. Ajo e sotme, është e mbetet një shembull negativ për të gjithë, një devijim nga demokracia funksionale dhe vlerat e saj. Në këto rrethana, ata që festojnë ngjarje të tilla a-historike, në fakt, u japin më shumë mandat e forcë liderëve të tyre lokale të jenë më pak demokratë dhe më shumë oligarkë dhe arrogantë me qytetarët e tyre. Pra, festimet janë ftesë për më pak demokraci, më pak Evropë, më pak progres dhe më pak shtet të së drejtës.

Natyrisht as unë, askush tjetër nuk ka të drejtë të gjykojë apriori verdiktin e zgjedhjeve turke dhe cilësinë e politikës atje. Duhet ta bëjnë vetë qytetarët e institucionet turke, më pas ne mund t’i komentojmë ato. Por cilido ka të drejtë dhe duhet të analizojë reflektimin e modeleve të jashtme brenda botës shqiptare, dhe ky është një rast tipik. Në aspektin shtetëror Turqia është dhe mbetet një aleat strategjik i Shqipërisë, fqinjësia dhe raportet dypalëshe nuk varen nga lloji i qeverive përkatëse, por përtej raportit shtetëror, në aspektin qytetar, civil, politik dhe krahasues, modeli i demokracisë turke është model të cilit nuk duam t’i ngjajmë.

Sepse është gjysmak, është imitim i demokracisë, është cilësi tjetër nga nevojat, pritshmëritë, premtimet dhe interesat tona madhore si shtete dhe shoqëri. Ndaj edhe festat folklorike për fitoren e një modeli të gabuar, janë ushqim e alibi për krijimin e modeleve të gabuara edhe brenda nesh, janë pengesë për një model të ri demokracie, janë investim për të kundërtën e interesit tonë madhor shtetëror e kombëtar: integrimit të merituar në familjen evropiane. Alibitë e përkatësisë fetare, e miteve të forcës, e nevojës për një big brother oriental, etj, janë alibi për devijim nga kursi dhe interesi jetik nacional shqiptar, janë alibi për më pak demokraci dhe më shumë sundim, janë devijim nga aspirata dhe axhenda shqiptare, janë e mbeten ftesë për të mbetur aty ku rivalët tanë kritikë kanë dashur dhe duan të na shohin.

Së fundi, festat dhe disa komente mbështetëse për to, na ftojnë të frymëzohemi nga modeli i gabuar i raportit shtet – qytetar, shtet – demokraci, shtet – kushtetutë, shtet – media, shtet – shoqëri civile. Një model kundër të cilit protestojmë dhe shprehemi kritik çdo ditë në Tiranë, Prishtinë e Tetovë, një model ikja prej të cilit na ndihmon të fitojmë kohën e humbur dhe të bëhemi pjesë të një bashkësie më të madhe, ku respekti për jetën, fjalën, vlerat, besimin, konkurrencën janë standard unik dhe i garantuar.

"Shekulli"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.