Ja një ndodhi nga aksioni kundër informalitetit...
Frika ruan vreshtin thotë një fjalë popullore, sidomos kur "brigadierët e tatimeve" kamzhikun e ligjit e përdorin sipas metrit të atij që kanë përballë. Sa më e vogël kasa fiskale aq më e madhe ushtria e "bletoshëve" të Briseidës që gumëzhijnë në dyqanet e këpucarëve, orëndreqësve, lustraxhinjve apo berberëve. Njëri prej tyre më rrëfeu si kishte arritur të mbante në këmbë dyqanin pas vendimit të komandantit të Tatimorëve për të sekuestruar dy karrige, një gërshërë dhe tre furça rroje si dënim për mbajtjen e çirakëve të pasiguruar.
Në terma të përditshëm mund të përkufizohet se me shtetin nuk bëhet shaka, pasi kur i detyrohesh edhe mund të të "marrë peng" kapitalin dhe nuk ke çfarë i bën. Por gjithmonë ka një rrugëdalje për të shpëtuar katastrofën kur në derë të mbijnë 12 apo më shumë tatimorë.
Berberi më rrëfeu se falë njohjeve kishte arritur t'i gjente mikun shefit të grupit dhe se për të tilla raste aplikohej një skemë "lehtësuese", falë një rryshfeti për shefin. Karriget e sekuestruara në berberhanë dhe furçat e rrojes u nxorrën në ankand dhe blerësi i vetëm u paraqit berberi me një shumë disi simbolike, duke riblerë pajisjet e tij. Ky është një nga rastet e aksioneve kundër informalitetit që vlen edhe si shembull për mënyrën sesi po vendoset ligji përmes fushatave të këtij lloji.
Add new comment